Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Njoftimi për mësimin e pjesshëm online rikthen sfidat për arsimin parauniversitar

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, përmes një deklarate të bërë sot, përcolli rekomandimin e Komitetit të Ekspertëve ndaj Ministrisë së Arsimit: Mësimi prej datës 1 dhjetor sugjerohet të bëhet në formë të kombinuar, online dhe frekuentimit të klasave.

Kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve tanë dhe pas rekomandimit të komitetit të ekspertëve kemi vendosur që: T’i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit Sporteve dhe Rinisë, që prej datës 1 dhjetor të aplikojmë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën klasike, me prani fizike dhe të kombinuar gjithashtu me mësimin në distancë”, – u shpreh Manastirliu.

Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor parashikonte tre skenarë të mundshëm sa i përket arsimit të ciklit të ulët dhe të mesëm:

  1. Mësimi në shkollë
  2. Mësim i alternuar (në shtëpi dhe në shkollë)
  3. Mësim online

Këto tre skenarë do të viheshin në aplikim duke parë përhapjen e Covid-19, infrastrukturën e shkollave dhe numrin e nxënësve, thuhet në udhëzuesin për fillimin e vitit shkollor 2020-2021.

Hapja e shkollave parauniversitare

Në datë 13 shtator, u hapën dyert e shkollave për arsimin e fillor, 9-vjeçar dhe të mesëm.

Duke marrë parasysh skenarët e mësipërm, mësimi filloi në shkolla, ku klasat u ndanë në disa turne.

Ministria e Arsimit bëri me detyrim nënshkrimin e një formulari nga fëmijët dhe prindi/kujdestari i tyre ku deklarohej se fëmijët nuk ishin të prekur me Covid-19 dhe se nuk kishin pjesëtarë të familjes të infektuar.

E njëjta deklaratë bëhej dhe nga prindi/kujdestari i familjes dhe ky formular dorëzohej në bazë ditore, të firmosur nga të dyja palët.

Formulari i vetëdeklarimit të shëndetit

Po ashtu, fëmijët duhet të pajiseshin secili me maskë dhe dezinfektant me vete çdo ditë.

Pavarësisht masave të marra, sipas raportimit të A2 CNN, deri në 17 nëntor janë infektuar 200 arsimtarë, ndërkohë që shtatë prej tyre kanë humbur jetën. Po ashtu, mbi 700 fëmijë janë prekur nga Covid-19 por janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Vështirësia e mësimit platformave online

Anketa të ndryshme, të kryera kryesisht për arsimin e lartë kanë treguar se mësimi online është shoqëruar me mjaft problematika si pasojë e kostos së lartë të tarifave të internetit, mungesa e aparaturave që përshtaten me këtë formë të zhvillimit të procesit mësimor si dhe mungesa e përshtatshmërisë me teknologjinë.

Anketat janë zhvilluar në vitit e shkuar akademik, ku prej fillimit të muajit mars, shkollat u mbyllën dhe procesi mësimor u transferua online.

Sipas një ankete të kryer nga lëvizja Për Universitetin, në muajin prill të këtij viti, rezulton se një pjesë e madhe e studentëve janë të pakënaqur nga procesi mësimor online, duke raportuar probleme të mëdha në qasjen në internet. 44.5% nga 1570 studentë të anketuar kanë pasur akses të pjesshëm në internet dhe një pjesë dërrmuese (mbi 70%) janë të detyruar t’i ndjekin leksionet përmes telefonit celular

Këta të dhëna konfirmohen dhe nga një tjetër anketim i realizuar nga Qëndresa Qytetare, zhvilluar po në muajin prill. 720 studentë nga nëntë universitete u shprehën se kanë mbetur jashtë procesit mësimor online dhe një ndër shqetësimet kryesore mbetet aksesi në internet.

Jo vetëm universitetet, edhe cikli 9-vjeçar dhe gjimnazistët kanë ndeshur vështirësi në nxënie, ku mësimi është zhvilluar përmes Radio Televizionit Shqiptar dhe platformave online.

Në muajin prill, disa maturantë morën nismën “Unë i them stop stresit dhe i bëj bllok mësuesve”, ku vunë në pah problematikat shoqëruese të orëve mësimore, të kryera më së shumti në aplikacionet si “WhatsApp” apo “Messenger”.

Shqipëria është gjendur e papërgatitur para tërmetit dhe pandemisë, kundrejt faktit se në vitin 2014 janë shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për blerjen e tabletëve dhe krijimin e klasave inteligjente që duhet të kryheshin në formë digjiitale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *