Citizens.al

Delta e paprekur e Vjosës kërcënohet nga turizmi masiv

Pamje nga droni i projektit te lumit te Vjoses
Foto nga projekti

40 shkencëtarë të huaj dhe nga Shqipëria u bënë bashkë në javën shkencore të Deltës së Vjosës, për të vlerësuar biodiversitetin e zonës, e cila aktualisht po kërcënohet nga turizmi masiv.

Gjatë kësaj jave shkencëtarët nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Greqia dhe Italia mblodhën të dhëna për deltën “e paeksploruar pjesërisht dhe të paprekur të Vjosës”. 

“Nga studimi i peshqve, gjitarëve, shpendëve, bimësisë, insekteve dhe deri te monitorimi i përpiktë i cilësisë së uji dhe mikroplastiës, çdo vrojtim i kësaj ekspeditë synon të zbulojë rëndësinë ekologjike të kësaj zone dhe të advokojë për përfshirjen e tij në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës (WRNP) në përputhje me standartet e IUCN-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas një studimi i realizuar nga Euronature dhe Riverwatch, delta e Vjosës është një nga deltat e pakta të paprekura në mesdhe.

 Nga 258 deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve të vlerësuara në rajon, vetëm 4% e tyre janë në gjendje të mirë. 

“Vjosa dhe deltat fqinjë të lumenjve Shkumbin dhe Seman në Shqipëri përbëjnë deltat e fundit të mëdha dhe dinamike, të cilat bartin vlerë të pakrahasueshme për të gjithë detin Mesdhe dhe Europën”, – thuhet në studim.

Teksa ekspertët theksojnë rëndësinë e zonës, ato theksojnë rrezikun që i kanoset nga projektet turistike në zonë.

Projekti i fundit i bërë publik që cënon deltën e Vjosës, është ndërtimi i një resorti luksoz i investitorit Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan, Doland Trump.

Ai ka prezantuar dy projekte të cilat prekin zona të mbrojtura në vendtin tonë. Njëra prej tyre do të ndërtohet në ishullin e Sazanit, një zonë ushtarake që rrethohet nga ujërat e mbrojtura të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ndërsa një tjetër resort luksoz parashikohet të ndërtohet pikërisht brenda deltës së Vjosës.

Sipas planit kryesor të qeverisë për zonën, kjo është vetëm maja e ajsbergut të planeve shkatërruese për këtë ekosistem delikat. 

“Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gjithashtu brenda deltës, është tashmë në ndërtim”, thuhet në njoftimin për shtyp për Javën Shkencore të Deltës.

Delegacioni shkencor ka kundërshtuar këto plane të qeverisë, të cilat i cilëson si shkatërruese.

“Gjetjet tona të para zbulojnë vlerën e jashtëzakonshme ekologjike të deltës. Është e dukshme për të gjithë shkencëtarët që morën pjesë në Javën Shkencore, që delta e Vjosës meriton një status ruajtjeje të lartë dhe duhet të  përfshihet në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa (WRNP)”, thuhet në njoftim.

Shkencëtari kryesor austriak nga Universiteti i Vienës, Prof. Fritz Schiemer u shpreh se shqiptarët dhe evropianët meritojnë ta mbajnë “këtë perlë natyrale”. 

“Në mes të joshjes së turizmit luksoz, ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pakrahasueshme ekologjike të deltës së Vjosës, një thesar unik në të gjithë Europën”, tha ai.

I pranishën në Javën Shkencore të Deltës, ishte dhe profesori i Universitetit të Tiranës, Aleko Miho, i cili tha se gjetet e tyre në 5 ditë janë një testament i biodiversitetit të pasur të deltës. 

“Ne po draftojmë një raport gjithëpërfshirës të të dhënave tona dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë rëndësinë ekologjike të kësaj zone delikate dhe ta përfshijë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në përputhje me standardet e IUCN”, pohoi Miho.

“Si do mbrohet zona e mbrojtur?”

Delta e Vjosës përbëhet nga një zonë bregore dhe një deltë detare, aktualisht pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro – Nartë.

Rizonimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri i uli kategorinë e mbrojtjes të gjithë sistemit ligatinor të Deltës së Vjosës, ku mori statusin “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë” (kategoria V), nga “Rezervat Natyror i Menaxhuar” (Kategoria IV). Sipërfaqja e këtij ekosistemi u zvogëlua me 5,551.7 ha: nga 21,238.0 ha u bë në 16,124.61 ha. Sa i përket Vjosë-Nartës, pjesë e Deltës, sipërfaqja ku sot po ndërtohet aeroporti u hoq tërësisht nga harta e zonave të mbrojtura.

Ndryshimi i statusit, ngrinin alarmin ekspertët mjedisorë, një vit më parë, mund të çojë në betonizimin e një prej zonave më të rëndësishme për biodiversitetin.

Kërkesa e shkencëtarëve është që delta e lumit Vjosë të përfshihet në Parkun Kombëtar të Vjosës të shpallur si i tillë në mars 2023, pas një betejë të gjatë. Po ashtu shkencëtarët kërkojnë të ndalohen projektet si aeroporti i Vlorës apo ndërtimet e resorteve luksoze në një zonë me biodiversitet të rrallë.

Por një vit më vonë, zona po kërcënohet realisht nga ndërtimet betonizuese si pasojë e turizmit masiv. Sakaq problemi më i madh është mbrojtja ligjore e këtyre zonave.

Me ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, këto zona po e humbin dhe mbrojtjen ligjore që kishin deri më tani.

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura i ka hapur rrugë ndërtimit të resorteve në to. 

Pas ndryshimeve ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ku Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) merr në dorë vendimmarrjen brenda zonave të mbrojtura, qeveria bëri një tjetër ndryshim. Këshilli Kombëtar i Territorit kthehet në Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) duke marrë kështu kompetenca vendimmarrëse edhe për zonat detare.

Ndër detyrat e KKTU-së është edhe “përcaktimin dhe ndryshimin e regjimit të zonave të mbrojtura të shpallura në rastet e pashmangshme dhe kufijve të tyre”.

KKTU shndërrohet kështu në përcaktuesen e projekteve apo mënyrës së zhvillimit të Zonave të Mbrojtura dhe hapësirave detare.

Pak ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi se qeveria po punon që Vjosa të shpallet e mbrojtur nga UNESCO.

Vjosa pas shpalljet Park Kombëtar në fakt është përballur me një sërë kërcënimesh, së pari duke lënë jashtë saj deltën dhe së dyti duke kërcënuar degëzimet e saj, siç është lumi Shushicë.

Projekti i ujësjellësit të Himarës parashikon devijimin e shtratit të lumit, duke marrë ujin nga lumi Shushicë dhe duke e dërguar atë hë Himarë.

Citizens dërgoi një kërkesë për koment pranë Ministrisë për të ditur se për çfarë mbrojtje flet qeveria kur përmend plane mbrojtjeje nga UNESCO. Citizens kërkoi nga ministria të bëjë me dije nëse delta e Vjosës do përfshihet në këtë mbrojtje dhe çfarë parashikohet të ndodh me projektet që cenojnë Vjosën në degëzimet e saj, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Ministria e Turzimit dhe Mjedisit nuk ka kthyer përgjigje.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW