Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Konventa e Bernës kritikon politikat mjedisore të qeverisë Shqiptare mbi Vjosën, zonat e mbrojtura dhe Aeroportin e Vlorës

Më datë 29 nëntor – 03 dhjetor, Komiteti i Konventës së Bernës zhvilloi mbledhjen e përvitshme në Strasburg. Në fokus të këtij takimi, sa i përket Shqipërisë, ishte çështja e Vjosës, aeroporti i Vlorës dhe ligji që synon të rishikojë kufijtë e zonave të mbrojtura.

Çfarë është konventa e Bernës?
Konventa e Bernës është një nga konventat më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës për mbrojtjen e biodiversitetit në Evropë. Shqipëria e ratifikoi Konventën e Bernës në janar të vitit 1999 dhe zbatimi hyri në fuqi në maj të po atij viti. 

Komiteti i Konventës e Bernës shprehu shqetësimin e mosshpalljes së Vjosës Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

Ata i kërkuan autoriteteve shqiptare të sqarojnë pse propozimi i EcoAlbania, i bazuar në studime të gjera për ta shpallur lumin Vjosa si Park Kombëtar (kategoria II), nuk është marrë parasysh.

Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i EcoAlbania-s, u shpreh se propozimi për shpalljen Park Kombëtar të lumit të fundit të egër në Evropë, është dërguar pranë Ministrisë së Mjedisit që në shkurt të vitit 2021, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër, sipas informacioneve që organizata mjedisore zotëron, Vjosa do të marrë një tjetër status ligjor mbrojtjeje, “Park Natyror”.

Ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht propozimin për t’i dhënë lumit Vjosa dhe degëve të saj statusin më të lartë të mbrojtjes, atë të Parkut Kombëtar”, – tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Komiteti i Konventës së Bernës ngriti gjithashtu shqetësimin rreth planeve të qeverisë për të ndërtuar aeroportin e Vlorës në Akërni, brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe kërkoi rishikimin e projektit.

Brenda vitit 2022, një grup ekspertësh ndërkombëtarë do të kryejnë një vëzhgim në terren sa i përket projektit të Aeroportit të Vlorës pasi Komiteti i Konventës së Bernës vlerëson se Vjosë-Narta mbart vlera të mëdha mjedisore.

Organizatat mjedisore kanë kundërshtuar prej kohësh projektin e qeverisë shqiptare sa i përket këtij aeroporti.

Së fundmi, 20 organizata dolën me një deklaratë për media dhe kritikuan raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) e cila, pas studimeve në terren favorizoi Akërninë, brenda Vjosë-Nartës, si pozicion gjeografik i volitshëm për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

De-facto, theksojnë organizatat, leja për ndërtimin e aeroportit ndaj kompanive private “Mabatex construction” dhe “YDA group” ishte dhënë para se të hartohej VNM-ja.

Së fundmi, Komiteti shprehu shqetësimin për gjithashtu në lidhje me reduktimin e mundshëm të rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura.

Ligji “Për miratimin e kufijve të zonave të mbrojtura”, ende i pamiratuar, planifikon të shndërrojë zonat e mbrojtura në Shqipëri në harta të copëzuara, duke hequr rreth 15.000 hektarë nga lista e territoreve që gëzojnë status mbrojtjeje në Shqipëri.

Aktivistët mjedisore dhe studiues i druhen faktin se copëzimi i zonave të mbrojtura do t’i hapë rrugë ndërtimeve të shumta që do të dëmtojnë mjedisin. Grupimet e organizatave mjedisore pohuan se procesi i rivlerësimin ka qenë i ngutshëm dhe është zhvilluar pa pasur transparencën e duhur.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *