Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kirurgjia dhe COVID-19; Barra e operacionieve bie mbi spitalet lokale të zbrazura nga mjekët

Një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë në datën 9 Mars ka ndërprerë operacionet në QSUT dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku është drejtuar fluski i pacientëve me COVID-19. Barra e ndërhyrjeve bie mbi spitalet rajonale, të cilat shpesh nuk kanë asnjë mjek kirurg në strukturë ose mbështeten tek mjekët e dalë në pension.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, po përballon aktualisht të gjithë fluksin e pacientëve, me COVID 19. Sheqet Ndroqi është vendosur të jetë spitali i dytë COVID, ndërsa Spitali Universitar i Traumës do të presë të gjitha urgjencat kirurgjikale të Tiranës.

Ndërkohë, përmes një Urdhri nr. 147, datë 09.03.2020 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur “Ndërprerjen e ndërhyrjeve Kirurgjikale të Planifikuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, deri më datë 3 prill 2020. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar bëjnë vetëm ndërhyrjet kirurgjikale për patologjitë malinje, të cilat do të zhvillohen sipas planifikimit.

Urdhri nr. 147, datë 09.03.2020 MSHMS

Kufizimi i shërbimeve që ofrohen në QSU “Nënë Tereza”, rrit domosdoshmërinë e plotësimit të këtyre shërbimeve në spitalet Bashkiake dhe Rajonale.

2018: 34,5 % e shtrimeve dhe 43,2 % e ndërhyrjeve kirurgjikale janë realizuar në QSUT

Në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me temë “Kostimi i shërbimeve spitalore”, konstatohet se:” Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT”.  Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018, të shtruar gjithsej në institucionet e shërbimit spitalor ishin 279.018, nga të cilët 34,5 % janë realizuar pranë Q.S.U.T. Ndërhyrjet kirurgjikale në vitin 2018 ishin 64.929, nga të cilat 43,2 % e tyre u realizuan në Q.S.U.T.

Sipas këtyre të dhënave rezulton se QSUT ka barrën e realizimit të thuajse gjysmës së ndërhyrjeve kirurgjikalë në vend. Kjo tregon për kapacitete të pamjaftueshme sasiore dhe cilësore në spitalet bashkiake apo rajonale, që në kushtet aktuale duhet të përballojë fluksin e ndërhyrjeve dhe shërbimeve të tjera me infrastrukturën ekzistuese.

Në këtë kontekst, çështjet që shtrohen janë: Së pari, a do mund ta përballojnë spitalet bashkiake/rajonale fluksin e pacientëve (aspekti sasior)? Dhe, së dyti sa i garantuar është kualiteti i shërbimit, duke supozuar që një pjesë e ndërhyrjeve që kryheshin në Spitalet Universitare i përkasin nivelit terciar/universitar?

Në këtë analizë do të përqendrohemi kryesisht në spitalet Bashkiake të veriut të Shqipërisë. Pjesë e analizës do të jenë burimet njerëzore të specializuara që kanë këto spitale, veçanërisht për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme.

Shërbimi i kirurgjisë në funksion nga mjekët e dalë në pension

Një nga shtyllat kryesore të një shërbimi spitalor është kirurgjia. Nisur nga të dhënat aktuale, rezulton se në veri të Shqipërisë kanë kapacitete shumë të limituara ose inekzistente të shërbimit kirurgjikal.

Pas një vëzhgimi dhe mbledhje të të dhënave sasiore dhe cilësore, rezulton që në spitalin Malësi e Madhe nuk ka asnjë mjek në strukturë; por vetëm shërbim urgjence e cila mbulohet nga mjekët  e familjes. Ndërkohë që ky spital, duhet t’ju shërbejë 55 mijë banorëve.

Në vazhdim, spitalit i Hasit nuk ka shërbim kirurgjie. Në këtë spital edhe sa i takon lindjeve kryhen vetëm lindje normale (pa ndërhyrje kirurgjikale). Bashkia e Hasit ka 21,431 banorë (deri ne vitin 2017).

Spitali i Bulqizës në strukturën e tij aktualisht nuk ka asnjë mjek specialist kirurg të përgjithshëm. Gjithashtu edhe shërbimi kirurgjikal obstetrikal gjinekologjik nuk realizohet në këtë spital. Kryhen vetëm mikrokirurgji. Ndërhyrjet më të ndërlikuara janë drejtuar nëpërmjet sistemit të referimit në Spitalin Rajonal të Dibrës. Rastet për lindjet çezariane planifikohen nëpërmjet sistemit të referimit  dhe orientohen në Spitalin Rajonal të Dibrës. Bashkia e Bulqizës ka 39.869 banorë (deri ne vitin 2017).

Spitali Bashkiak i Laçit, është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për këtë arsye ndërtesa është jashtë funksionit. Bashkia e Laçit ka 29.568 banorë (deri ne vitin 2017).

Ndërsa spitale të tjera, si Tropoja ka një mjek kirurg të përgjithshëm. Ndërkohë numri mesatar vjetor i operacioneve në katër vitet e fundit është 46. Ndërsa për vitin 2018 dhe 2019 ndërhyrjet kirurgjikale obtetrikale gjinekologjike janë 0 . Bashkia e Tropojës ka 28.148 banorë (deri ne vitin 2017).

Spitali Bashkiak Pukë, ka një mjek kirurg të përgjithshëm. Mjeku specialist kirurg i përgjithshëm ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë por punon me kontratë 6 mujore të miratuara nga Ministira e Shëndetësisë. Ndërkohë numri mesatar vjetor i operacioneve në katër vitet e fundit është 45. Ndërsa për vitin 2018 dhe 2019 ndërhyrjet kirurgjikale obtetrikale gjinekologjike janë 33 ( 2018: 17 operacione;  2019: 16 operacione). Bashkia Pukë, ka 15.753 banorë.

Spitali Bashkiak Mirditë, 1 mjek kirurg të përgjithshëm, me kohë te plotë (me shtyrje pensioni). Ndërkohë që në këtë spital edhe shërbimi i kardiologjisë, ka rikthyer përmes kontratave  6 mujore një mjek të dalë në pension. Bashkia Mirditë ka 36.424 banorë.

Referuar kontratës me spitalet rajonale dhe bashkiake lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.për spitalet në nivel bashkie (rrethi) përshin shërbimet e:

  1. Urgjencës;
  2. Mjekësisë se përgjithshme;
  3. Kirurgjisë se përgjithshme;
  4. Pediatrisë dhe obstetrike-gjinekologjisë, neonatologji
  5. Radiologjisë;
  6. Laboratorëve kliniko-biokimike e të mikrobiologjisë
  7. Anestezi-reanimacionit;
  8. Farmacisë.
  9. Shërbimin ambulator të specializuar
  10. Banka e gjakut

Mungesa e shërbimit të kirurgjisë, i kthen këto spitale në pothuajse Qendra Shëndetësore (QSH). Kujtojmë se referuar Paketës Bazë të Shërbimeve në Kujdesin Shëndetësor Parësor, QSH duhet të ofrojnë: Diagnozat kryesore dhe mjekimi i sëmundjeve ( Hipertensioni; Dhimbjet e gjoksit; Angina/sëmundja e ishemisë së zemrës; Insuficiencë kardiake; etj); kujdesin për nënën dhe fëmijën; shëndeti i gruas dhe kujdesi shëndetësor riprodhues;  Kujdesi për rastet urgjente; Shërbime minimale laboratorike.

Në Spitalet Bashkiake të përmendura, spitali i Matit ka një strukturë më funksionale krahasimisht me spitalet e tjera.

Shqipëria me numrin shumëfish më të ulët të kirurgëve për banorë, në rajon

Sipas Bankës Botërore, në të dhënat e fundit të disponueshme të vitit, 2013-s rezulton se Fuqia Punëtore e Specialistëve në Kirurgji (Kirurgë të Përgjithshëm, Anestezist, Obstetër Gjinekologë) në Shqipëri është 12 për 100.000 banorë; Në Maqedoninë e Veriut është 61 për 100.000 banorë; në Malin e Zi është 64 për 100.000 banorë; Në Serbi 87 për 100.000 banorë; Në Rumani është 61 për 100.000 banorë; Në Itali 142 për 100.000 banorë; Greqia 164 për 100.000 banorë; Bullgaria  113 për 100.00 banorë, Gjermania 108 për 100.000 banorë. Ndërsa në Bashkimin Europian ka mesatarisht 96 për 100.000 banorë.

Grafika: Numri i Kirurgëve për 100.000 banorë

Me këto kapacitete të të dhënave që na ofrohen rezulton se shërbimi kirurgjikal i ofruar për popullatën në vendin tonë është i pamjaftueshëm dhe shumëfish nën standardet mesatare të kërkuara.

Largimi i mjekëve nga Shqipëria dhe paketat për rikthimin, përse nuk do të funksionojë

Statistikat dëshpëruese të numrit të mjekëve për banorë në Shqipëri ka ardhur edhe për shkak të emigrimit masiv të tyre vitet e fundit. Sipas shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, numri i mjekëve të diplomuar në shkollat shqiptare dhe që punojnë në Gjermani aktualisht, sipas Dhomës Gjermane të Mjekëve është 630 (statistika e 31.12.2018). Numri për vitin 2019 nuk ka dalë akoma.

Në këtë situatë Qeveria po përgatit një paketë të plotë mbështetëse konkrete për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës, që nga bonusi dhe incentivat financiarë, mbështetje për strehim, lehtësi fiskale dhe një kontratë që do të përmbushë pritshmërinë që ata kanë.

Në një intervistë për Citizens Channel, Marsela Ceno, mjeke kirurge në Gjermani, njëkohësisht Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani është shprehur se:

“Oferta për t’u kthyer ka qenë paga mujore prej 2000 Euro+Bonus të pa tatueshëm dhe një kredi të butë për të blerë një apartament. Ministrja ka përmendur dhe në Konferencën e mjekëve të Diasporës në datën 20 shkurt që po hartohet një paketë që të tërheqë mjekët shqiptare në Gjermani, por unë personalisht nuk jam në dijeni të pikave të tjera që përmban kjo paketë.

Nëse paketa e hartuar nga qeveria përmban vetëm pikat e sipërpërmendura, atëherë mund t’ju them me siguri të plotë, që kjo nuk do të funksionojë. Nuk është problemi i pagës, por pasiguria në punë, mentaliteti i punës, mungesat e siguracioneve shëndetësore, të profesionit ato që detyron mjekët e rinj dhe në kohët e fundit edhe mjekët me përvojë të largohen nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.

Marsela Ceno

Mjekja Marsela Ceno rendit 3 arsye që do t’i tundonin mjekët Shqiptarë të riktheheshin në Shqipëri:  “Siguria 100% në punë – ndryshimi i mentalitetit të punës – ndarja e politikës nga sistemi shëndetësor dhe vetëfinancimi i spitaleve. Sa i takon mjekëve specialistë që shkojnë në Gjermani, kryesisht janë për mjekësi interne, kardiologji, kardiokirurgji, neurologji- psikiatri, mjekësi familje. Më pak në Radiologji dhe kirurgji viscerale, neurokirurgji ose traumatologji”, përfundon ajo.

Një studim i shoqatës Together for Life, në vitin 2018, nxorri në pah se kishin tendencë për largim, mjekët me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria. Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër, sipas studimit, janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

*Autore: Denisa Canameti | Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *