Gjykata Kushtetuese vendosi dje se Parku Kombëtar i Butrintit do të administrohet përfundimisht nga Ministria e Kulturës dhe AADF, sipas marrëveshjes 10 vjeçare, që kanë firmosur palët.
Ajo hodhi poshtë kërkesën e një grupi prej 36 deputetësh që kërkuan shfuqizimin e ligjit mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrinit.
“Gjykata Kushtetuese mori një vendim i cili është anti – kushtetues dhe është kundër interesit publik dhe kombëtar” – pohon Ina Zhupa për Citizens, një nga 36 deputetët që e konsideruan të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen për menaxhimin e Butrintit nga një fondacion privat dhe e dërguan çështjen për gjykim.
Pretendimin për cënimin e parimit të ligjshmërisë, për dhënien e statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, Gjykata vlerësoi se nuk ka juridiksion për shkak të natyrës individuale të këtij akti.
Për pretendimin për cënimin e parimit të kontrollit të financave publike Gjykata vlerësoi se është haptazi i pabazuar. Bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim, ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike.
“Kemi KLSH e cila në parashtrimet e veta ka mbështetur kërkesën tonë duke thënë që roli i saj në kontrollin dhe auditimin e Butrintit është i cënuar nga kjo marrëveshje sepse marrëveshja vetë parashikon që do të trajtohen paratë e biletave dhe paratë që prodhohen nga veprimtaria në Butrint si para private të fondacionit dhe do të kalojnë në llogari të tij. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ndryshe nga KLSh – ja nuk e shikon as këtë shkelje”- analizon më tej Zhupa.
Sipas njoftimit nga vetë institucioni Gjykata mori në shqyrtim në themel vetëm pretendimet për cënimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore.
“Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese” – citohet në njoftim.
Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës, sepse së pari sipas saj, fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përkasin shtetit.
Së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj.
Dhe së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.
Kujtojmë se raporti i UNESCO-ICOMOS, i periudhës 26 – 28 tetor 2023, i cili u bë publik për audiencën shqiptare vetëm përpara një muaji, hidhte kritika të ashpra për menaxhimin dhe rrudhjen e Parkut të Butrintit.
Raporti shpreh se përveç krijimit të këtij fondacioni për menaxhimin e Parkut të Butrinit nuk është paraqitur asnjë alternativë tjetër.
Projekt-ligji për marrëveshjen mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit u miratua më maj të 2022. Ministria e Kulturës dhe AADF themeluan Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritjeje.
Pas një seance të gjatë me debate të ndezura nga të gjithë palët, ligji i qeverisë u miratua me 75 vota pro dhe mori 18 vota kundër.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.