Citizens.al

8 Mars (jo)televiziv

Vëzhgova, gjatë një jave të zakonshme, emisionet e darkës në kanalet kryesorë televizivë. Thjesht, numërova sa burra e sa gra ishin ftuar për të dhënë mendim në çështjet politike e ekonomike. Rezultati s’ishte diçka që nuk e prisja, por shifrat ishin të forta: në katër ditë, pashë 32 burra dhe vetëm 6 gra.

Elementi grua thuajse është anuluar nga hapësira serioze televizive, ndërkohë që elementi burrë forcohet ditë pas dite, javë pas jave. Gratë nuk ftohen për të dhënë mendimin e tyre ekspert, por vetëm për të zbukuruar studion me trupat e flokët e tyre në emisionet argëtuese të fundjavës. Truri i grave duhet të luftojë fort, në një betejë të pabarabartë e të humbur pa nisur mirë.

Në mars, priten më tepër gra në televizion, për të treguar historitë e suksesit e të vuajtjeve për shkak të gjinisë, por në kohë të zakonshme, opinionistët janë burra. Stafi televiziv drejtohet së pari tek një burrë për ta thirrur në emisionin e darkës, ndërsa një grua nuk duket si aset për të folur mbi reformën në drejtësi a për lëvizjet e Trumpit.

Shqipëria ka plot gra inteligjente, që me formimin dhe përvojën e tyre mund të japin mendim të argumentuar, por nuk duken gjëkundi. Në jetën profesionale, ato hasin pengesa e ngacmime të vazhdueshme, dhe i duhet të ecin para me më tepër vështirësi se burrat. Sa profesoresha shkëlqejnë në auditore, që kanë botuar shkrime e libra të mirë, dhe sa prej tyre dëgjohen?

Para disa javësh, më qëlloi të punoja disa intervista me gra e burra të thjeshtë, dhe ajo që vura re ishte se burrat e anketuar flisnin dhe jepnin mendim me autoritet, edhe nuk nuk ia kishin haberin çështjes. Ndërsa nga grupi i grave flisnin pak prej tyre. Të tjerat, vetëm buzëqeshnin ose miratonin shoqja-shoqen, si të tregonin se mendimi i tyre nuk ka rëndësi. E gjithë kjo më la shijen e hidhur se ato gra të zakonshme shqiptare, pa universitet e pa rehati në jetë, ishin të mësuara me idenë se fjala e tyre nuk ka peshë. Në realitet, gratë shkurajohen.

Shkurajohen kur kandidatja e vetme në historinë e garave presidenciale amerikane garoi përballë një seksisti, mizogjeni e ngacmuesi publik të grave. Shkurajohen kur një deputet në Parlamentin Europian deklaron me zë të lartë e bindje se gratë janë më të dobta, më pak të mençura se burrat, dhe meritojnë më pak. Shkurajohen kur mendja e grave tona të zgjuara shkon dëm, sepse në televizor shohim më shumë burra, apo qoftë edhe drejtuesit e emisioneve kryesore politike janë meshkuj.

Zëri i gruas ka të drejtë të dëgjohet po aq sa ai i burrit, dhe media që ka rol të rëndësishëm në shoqëri, mund e duhet të bëjë shumë të tepër që gruaja të jetë pjesë e debatit. Inkurajimi i promovimit të modelit të gruas së mençur e intelektuale në media do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e stigmës së aspektit seksual të saj. Mbi të gjitha, duke mos harruar rolin edukues të medias, vajzat e vogla meritojnë të shohin më tepër se gjashtë gra profesioniste në televizor.

Autor: Fiona Kopali

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *