Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Refxhei Tola, 19-vjeçarja që do të bëhet prokurore e përgjithshme

Eshtë vetëm 19 vjeçe, por është një adoleshente krejt ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj. Refxhei Tola, është gjimnaziste në vitin e fundit në shkollën “Çajupi” në Tiranë, por ndërsa bashkëmoshatarët e saj i tërheq akoma përralla e Hirushes apo festat e ditëlindjeve, ajo ka vendosur të bëhet Prokurore e Përgjithshme.

Aq e bindur është për rrugën që do të ndjekë, saqë edhe pse aktualisht është maturante, njeh në majë të gishtave Kushtetutën e vendit, ka lexuar Kodin Penal, Kriminalistikën dhe po ashtu lexon me endje çdo material që e ndihmon të kuptojë strukturimin e sistemit të drejtësisë në vend. Dhe kjo nuk është një dëshirë fluturake e adoleshentes Refxhei, por është një ëndërr për të cilën ajo thotë se po punon që në moshën 13-vjeçare. Moshë në të cilën ka nisur edhe punën e parë, ku u bënte kurse kimie, fizike apo biologjie bashkëmoshatarëve të vet, ndërsa aktualisht ka një punë stabël si koordinatore projektesh pranë fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.

Sigurisht, si atëherë kur ishte 13-vjeçe edhe sot që është 19-vjeçe, me paratë e fituara ndihmon familjen e saj. E qartë për rrugën në të cilën do të ecë, në një intervistë për Citizens Channel Refxhei thotë se ndihet e motivuar çdo mëngjes, edhe pse e nis ditën e saj në 06:30 dhe e mbyll në 22:00.

Ka fituar tre herë vendin e parë në olimpiadat e Matematikës, Fizikës dhe Kimisë, është autore e dy librave: njëri për politikën dhe tjetri për varfërinë në vendin tonë, flet anglisht, greqisht, italisht (kupton gjermanisht, frëngjisht) dhe fituese e çmimit të parë në festivalin “Giffoni” të filmit, si komentuesja më e mirë e filmave.

Asaj i mjafton të dëgjojë në kufje “Unstoppable” të Sia-s, dhe të lexojë “Fitimtarët” të Alastair Campbell, ish -këshilltarit të Tony Blair, “për shkak të dritëhijes së tij në figurën e Edi Ramës”, shpjegon Refxhei. Sepse ajo e ka të qartë se ku do të mbërrijë!

Të shkruash projekte për një fondacion si “Fundjavë Ndryshe” është e vështirë, si ke arritur ta bësh këtë gjë?

Unë jam një njeri që vlerësoj pjesën autodidakte. Më pëlqen të mësoj gjëra të reja. Në momentin e parë që më jepet një mundësi e pranoj pa hezituar, sepse për mua, çdo mundësi që na vjen është një shanc për të mësuar diçka të re. Sigurisht që fillimisht nuk dija të shkruaja projekte, por unë vlerësoj pjesën autodidakte, kështu që fillova të kërkoj në internet, lexova libra, materiale ndihmëse, etj. Dhe besoj ia kam dalë.

Si iu bashkove “Fundjavës”?

Ishte një ftesë nga themeluesi Arbër Hajdari para dy vjetësh e gjysëm. Më kishte parë në një dalje publike në TV dhe më ftoi që të flisnim rreth një bashkëpunimi. Pasi folëm kuptova që realisht vendi ynë nuk na jep shumë mundësi për të shfaqur potencialin që kemi dhe “Fundjava Ndryshe” ishte pikërisht një lloj mundësie që ne të japim kontributin tonë për ta bërë vendin tonë më të mirë. Unë mendoj se për të dashur Shqipërinë, duhet të kuptojmë dhe të duam shqiptarët. Dhe kush më mirë se sa ky grup që janë më të pambrojturit, mund të na japin mundësinë për të njohur realitetin e vërtetë të varfërisë ekstreme që është sfida më e madhe që Shqipëria ka sot.

Përse kjo zgjedhje? Je vetëm 19-vjeçe…bashkëmoshtarët e tu e kalojnë kohën e lirë, në festa, ditëlindje, party…nuk të mungojnë këto gjëra?

Ishte një zgjedhje që më buronte nga brenda. Kuptova se realisht, të vetmet gjëra që zgjasin përgjithmonë, janë ato që posedojmë brenda vetes. Kuptova se mundësia për të njohur nga afër realitetin e hidhur shqiptar dhe jo me dimensionin e ndritshëm që shohin nëpër party apo festa është një mundësi për t’i dhënë kohës sonë një tjetër vlerë. Ndaj nëse do të më jepej mundësia të kthehesha pas në kohë, kjo do të ishte sërish zgjedhja ime.

Ti ndjek studimet pranë gjimnazit “Çajupi”, por ti je një nxënëse me kërkesa të larta, a i përgjigjet kjo shkollë kërkesave të tua?

„Çajupi” është një ndër pesë gjimnazet më të mira të Tiranës. Sigurisht që lë shumë për të dëshiruar pasi mungon konkurenca mes nxënësve dhe individët që e frekuentojnë nuk kanë shumë kërkesa ndaj shkollës, por stafi i mësuesve është shumë i kualifikuar. Dhe mua kaq më mjafton. Unë e kam të qartë qëllimin tim, e di se ku dua të arrij dhe çfarë më duhet të bëj. Këto “pengesat” e vogla që më dalin gjatë rrugës nuk më pëngojnë për të arritur tek qëllimi im. Unë jam në vit të fundit në këtë gjimnaz dhe kam kuptuar se përtej raportit mësues -nxënës apo nxënës- nxënës janë marrëdhëniet njerëzore ato që na mbesin në mendje. Unë mendoj që kjo shkollë më ka dhënë këtë dimension njerëzor. 

Ndonëse ke qenë nxënëse ekselente që nga klasa e parë, por e ke humbur një vit në gjimnaz...

Unë jam nga Korça dhe kur mbarova klasën e nëntë fitova një bursë të plotë tre vjeçare në një nga shkollat më me emër private në Tiranë. Në vitin e parë të gjimnazit pranë shkollës private ku isha me bursë, unë u shpalla fituese e katër olimpiandave të ndryshme në rang vendi, dhe shuma e parave që duhet të merrja si fituese e olimpiadave ishte më e madhe se sa bursa që më paguante shkolla. Këtu nisi edhe konflikti, pasi drejtuesit e shkollës nuk pranuan që të më jepnin diferencën e parave që më takonin dhe unë prisha kontratën. Kjo solli që unë të humbja vitin e parë të shkollës së mesme dhe ta nisja sërish vitin e parë, këtë herë në një shkollë publike ku jam edhe sot, pra gjimnazi “Çajupi”. Në këtë kohë unë nuk kisha ku qëndroja, kështu që edhe familja ime u detyrua që të vinte në Tiranë për të qenë afër meje.

Ti je një nxënëse ekselente që shkelqen kudo që të të çosh, por a ndryshon shkolla private nga ajo publike?

Ka një diferencë shumë të madhe mes shkollave publike dhe atyre private. Mua më ka mjaftuar një vit në një shkollë private për të vendosur që do të jem gjithmonë një student i shkollave shtetërore. Në shkollat private ti je i rrethuar nga nxënës që shpërblehen jo në bazë të meritave apo kontributeve, por të parave që ka babi. Sigurisht që këtë fenomen e ndeshim edhe në shkollat shtetërore, por në privat është më e theksuar. Po ashtu në shkollat private vuan nga “sindroma e biçikletës”. Çiklisti e ul ritmin kur e ndjen se nuk ka një garues tjetër nga mbrapa. Mendoj që për t’ia dalë ne duhet të vendosemi në konkurencë dhe jo vetëm me të tjerët apo domosdoshmërisht me të tjetrët. Fare mirë këtë mund ta bëjmë edhe me veten. Ajo që mua më motivon çdo ditë është sfida me veten. Unë kam sfidë me veten për t’u ngjitur lart, kam një ambicie timen, kam një ëndërr, kam një dëshirë, një plan projekt. Dhe kjo është ajo që çdo ditë më zgjon në 6:30 të mëngjesit.

Cila është ëndërra jote?

Endërra ime e hershme është që të bëhen prokurore e përgjithshme. Përpiqem që gjatë gjithë kohës të shikoj dhe të shoh mundësi se si mund të shërohen plagët e shoqërisë sonë.

Përse kryeprokurore? Nuk është një ëndërr e zakonshme…

Unë mendoj se këtij vendi më tepër se çdo gjë i duhet drejtësia. Kur shoh që ka kaq shumë varfëri esktreme e kam kuptuar që e kundërta e varfërisë nuk është pasuria, por drejtësia. Kam zgjedhur të bëhem prokurore e përgjithshme sepse jam e bindur që kjo është një punë që unë do e bëj me pasion. Që tani kam nisur të studioj lëndë të drejtësisë…

D.m.th. ti e ke vendosur se për çfarë do të studiosh?

(Qesh). Sigurisht që tek Fakulteti i Drejtësisë. Kam lexuar kriminalistikën, kodin penal, njoh kushtetutën shumë mirë dhe po mundohem të kuptoj strukturimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Besoj i ke ndjekur zhvillimet e fundit për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm? Si e shikon ti situatën? 

Unë personalisht nuk isha as pro faktit që të vazhdonte të qëndronte Llalla si kryeprokuror, pasi unë mendoj se ai ka qenë që në fillim një prokuror i varur nga politika dhe si i tillë nuk mund të ishte një prokuror i vërtetë. Aq më tepër një individ si Adriatik Lalla, që gjatë viteve të qëndrimit në këtë post, pati një lumë akuzash për shkatërrimin e karrierës së shumë prokurorëve të tjerë, për transferime të pabaza… Nga ana tjetër edhe një kryeprokurore si Arta Marku, në atë formë dhe në atë kushte që u betua ajo, unë nuk do të isha betuar kurrë.  

Si kryeprokurore çfarë do të ndryshoje?

Këtij vendi e keqja i vjen nga politika. Sistemi njerëzor është i strukturuar në formë piramide, dhe në majë qëndrojnë ata njerëz që luajnë me fatet e njerëzve dhe të shoqërise. Në mënyrë që kjo piramidë të shkatërrohet duhet ta nsim nga lart.

Por a është e mundur të shkatërrohet kaq lehtë ky rend?

Unë mendoj që kjo do të shkatërrohet kur të fillojë të zbatohet Vettingu.

Përveç politikës çfarë do të ndryshoje?

Konceptin që njerëzit kanë për drejtësinë. Njerëzit në Shqipëri nuk besojnë tek drejtësia, tek gjykatat. Ne jetojmë në një vend ku në gjykata ka humbur drejtësia, në mjekësi ka humbur humanizmi, në arsim ka humbur kualiteti. Shoqëria është zhytur në kaos. Në mënyrë që ne të fillojmë ta zbusim këtë kaos duhet të fillojmë të përmirësojmë jetët, pak nga pak, të grupeve të ndryshme shoqërore. Kjo është arsyeja se përse unë e kam gjetur veten tek “Fundjava”, sepse synon të mbështesë njerëz pa asnjë mbështetje.

Të punosh nuk është një gjë e re për ty, kur ke qenë më e vogël bëje edhe kurse kimie për nxënësit e tjerë?

Për mua periudha e punësimit ka nisur që kur kam qenë shumë e vogël. E kam nisur që 13-14 vjeçe. Në lëndët ekzakte kam qenë gjithmonë absolute. Jepja matematikë, fizikë dhe kimi… kryesisht ishin bashkëmoshatarë të mi ose edhe pak më të rritur. U shpjegoja mësimin e ri si dhe i ndihmoja që të zgjidhnin edhe ushtrimet dhe kam funksionuar mirë. Nxënësit që vinin tek unë kishin rezultatet më të larta në shkollë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Sigurisht që ky ka qenë një moment i vështirë edhe për familjen time, ndaj edhe mua më është dashur të punoj. Unë jam shumë e lumtur që në një moshë shumë të vogël kam bërë disa zgjedhje që bashkëmoshatarët e mi as nuk i mendojnë. Nisur nga eksperienca ime unë një gjë mund ta them me siguri: me sadopak forca mund t’ia dalin të bëjnë gjëra të mëdha. Ashtu sikurse thoshte Nënë Tereza: Nëse do të ndryshosh botën, shko dhe duaj familjen tënde.

Ti ndan të njëjtën bankë në klasë me bashkëmoshatërt e tu, a kanë të rinjtë shqiptarë një model që mund ta ndjekin, apo ashtu si e gjithë shoqëria, edhe ata janë konfuzë dhe e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e drejtë në të cilën do të ecin?

Në shkollë shoh që ka shumë të rinj që kanë dëshirë për të shfaqur potencialet, por jo gjithmonë iu jepet mundësia. Ndërsa tek “Fundjava” çdo ditë të motivon, është kjo arsyeja që janë rreth 7.5 mijë vullnetarë nga i gjithë vendi, 15-25 vjeçarë që nuk kanë zgjedhur t’i bashkohen politikës (pavarëisht premtimeve të saja), por kanë zgjedhur të bëjnë punë vullnetare. Kjo tregon se të rinjtë shqiptarë kanë dëshirën dhe ennergjinë për të bërë gjëra të mira. Janë kaq shumë dhe ata zgjedhin të kalojnë kohë me familjet në nevojë, kjo tregon se ata e kuptojnë që është pikërisht kjo kohë e kaluar me këtë kategori njerëzish që regjistrohet në shiritin tonë emocianal të jetës dhe kjo tregon se sa nevojë kanë ata për emocione pozitive njerëzore.

E stimulon shkolla një të ri?

Sistemi arsimor në Shqipëri është në gjendje skandaloze. Nxënësit nuk edukohen për të ngritur ide apo zhvilluar mendimin kritik, por edukohen që të mësojmë në mënyrë mekanike dhe të vijnë të testohen për këto njohuri që i mësuan në mënyrë mekanike para dy ditësh. Është shumë e vështirë të mbijetosh në një mjedis të tillë, është shumë e vështirë të shkosh me dëshirë në një mjedis të tillë. Personalisht unë kam arritur në një pikë që e shoh shkollën vetëm si një procedurë, sepse mënyra se si ne mësojmë na kthen pas.

Intervsitoi: Esmeralda Keta / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *