Citizens.al

Shkodër, dëmshpërblimet për përmbytjet mbeten peng i burokracive mes Bashkisë dhe Prefekturës

Muaji Mars shënoi një tjetër përmbytje për banorët e zonës së nën – Shkodrës. Uji dëmtoi banesat, bagëtitë dhe kulturat bujqësore në periudhën e fillimit të pranverës, kohë kur një pjesë e madhe e prodhimeve pritet të japin frytet. 5 muaj më pas, banorët  janë ende në pritje të dëmshpërblimeve, të cilat mbeten peng i procedurave burokratike të institucioneve përgjegjëse.

Jac Zadrima, banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja e fundit, i pyetur nga “Citizens Channel” mbi ndikimin e përmbytjes në ekonominë lokale, tha: “Unë jam tu punu me borxh. Kalojnë infeksionet dhe ashtë mbjellë dy herë bereqeti. Jonxhës në vend me ja marrë kosën e parë në mars ose në prill, unë ja kam marrë në qershor”.

Në kohën e përmbytjes, pati vizita dhe inspektime nga ana e institucioneve përgjegjëse. Zv. Kryeministrja Senida Mesi  dhe Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka shkuan në vendngjarje dhe premtuan se do të bënin maksimumin për të mbështetur banorët e përmbytur si dhe do të shikonin mundësinë për investime afatgjata për të parandaluar situata të tilla.

Nëpërmjet ligjit për të Drejtën e Informimit, Citizens Channel i kërkoi Bashkisë Shkodër raportin me përfundimet e vlerësimit të dëmeve dhe kulturave bujqësore të dëmtuara.

Në datën 19 korrik Bashkia e Shkodrës me anë të vendimit Nr. 51, bën të ditur vlerësimin e dëmeve në total për banorët e njësive administrative: Dajç, Ana e Malit dhe njësia administrative Rrethina + Qendër.

Vlera totale e përllogaritur në lekë për këto zona, në bazë të këtij vendimi është 98,624, 24 lekë për 59 familje të prekura.

Ndërsa, për sa i përket kulturave bujqësore, numri i tyre është 25, në rreth 4965 parcela, me një sipërfaqe në total prej 20,788,821 metra katrorë. Vlera totale e këtij dëmtimi shkon në 310,976,940 lekë.

Vleresimet sipas kulturave bujqësore/ Burimi: Bashkia Shkodër *Citizens Channel

Në vendim Bashkia Shkodër ka kërkuar një alokim fondesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të “pamjaftueshmërisë së Bashkisë për të mbuluar vlerën”.

Burokracitë mes Prefekturës dhe Bashkisë mbajnë peng dëmshpërblimin e banorëve të prekur

Citizens Channel iu drejtua përmes një kërkese për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, për të pyetur nëse është dhënë fondi i kërkuar nga Bashkia e Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes u përgjigj: “Dokumentacionet për banesat e dëmtuara nga përmbytjet e muajit Mars në qarkun Shkodër nuk janë depozituar ende në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile”.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë për “Citizens Channel” se nga kontaktet me Institucionin e Prefektit të Qarkut Shkodër janë informuar se Bashkia Shkodër nuk ka kryer plotësimet e nevojshme bazuar VKM-së nr. 329, datë 16.05.2012. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, përcakton kriteret se si bëhet procedura e vlerësimit të dëmeve të ndodhura nga fatkeqësi natyrore ose veprimtari njerëzore, në dy kategori: kur shpallet gjendja e emergjencës si dhe në rastet kur ajo nuk shpallet.

Citizens Channel iu drejtua Prefekturës së Qarkut Shkodër për të ditur se cilat ishin kriteret e paplotësuara nga Bashkia Shkodër sipas VKM – së numër 329 e datës 16.05.2012 në vlerësimin e dëmeve nga përmbytja e muajit mars 2018.

Prefektura Shkodër u përgjigj se kishte vënë re disa parregullsi ligjore dhe e kishte kthyer mbrapsht vendimin nr. 34 i datës 22/05/2018 për shkak të disa mangësive tekniko – ligjore në lidhje me përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Rreth dy muaj më vonë, Bashkia Shkodër publikoi vendimin e rishikuar ku  miratohej  vlera e dëmeve nga përmbytjet e marsit.

Edhe këtë vendim, Prefektura e ka kthyer në Bashkinë e Shkodrës për rishikim në datën 18 gusht 2018, duke shtuar: “Është konstatuar në të njëjtën kohë se Këshilli Bashkiak Shkodër nuk ka marrë vendim për dhënien ndihmë financiare të menjëhershme nga buxheti i vitit 2018.

“Për sa më sipër Bashkia Shkodër duhet të përpilonte dokumentacion për secilën nga familjet e përmbytura referuar preventivave ndërtimore dhe atyre elektroshtëpiake në zbatim të VKM-së nr 329/2012 kreu III me qëllim dërgimin e praktikave individuale pranë Prefektit të qarkut Shkodër dhe më pas përcjelljen e tyre Ministrisë së Mbrojtjes – Drejtorisë së Emergjencave Civile”, vijon më tej përgjigjja e Prefekturës.

Prefektura i ka kërkuar edhe një herë Bashkisë Shkodër plotësim të dokumentave.
“Me shkresën tonë Nr.1035/1 date 17.08.2018  drejtuar Bashkisë Shkodër i është kërkuar të plotësoj dosjet individuale sipas kritereve ligjore duke zbatuar edhe afatet kohore”, thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion.

Banorët ende të painformuar mbi dëmshpërblimet

Gjatë muajit gusht Citizens Channel takoi disa nga banorët e prekur nga përmbytja ku ata u shprehën për dëmet e shkaktuara, për dëmtimin material por edhe për dëmtimin e gjësë së gjallë.

Video më poshtë tregon gjendjen e shtëpisë së familjes Zadrima, banues në fshating Shirq të Shkodrës gjatë përmbytjeve në mars të këtij viti.

[videopress SbeInCut]

Jac Zadrima – Banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja/ Foto: *Citizens Channel

I intervistuari Jac Zadrima, kur u pyet se a kishte marrë një informacion të dytë pas vlerësimit të dëmeve nga Bashkia Shkodër u përgjigj: “Absolutisht, as Qeveria as Bashkia. Nuk na kanë kthy xhevap si me thënë, për dëmet që janë bërë. Kur kanë ardh i kanë pa, dhe sot i ke efektet e shtëpisë. Shifet banaku, shifet bufeja, shifet raftet, shifen muret, shifet çdo gjë se çfarë dëmi është bërë. Ata kanë ardh i kanë vlerësu, por nuk ndijmë ndonjë fjalë të mirë as prej Qeverisë, as prej Bashkisë. Po vjen vjeshta prapë, prapë po përmbytna. Na paret e 2010 dhe 2011 i kena pa marrë akoma, të shtëpive.”

Por nga vijnë përmbytjet dhe kush janë përgjegjësit?

E kontaktuar nga Citizens Channel, Alminda Mema drejtoreshë e  Qendra e Informimit Aarhus që ka në fokus mjedisin, na jep këtë informacion:

  • Përmbytjet në Shkodër kanë një historik të vazhdueshëm për shkak të karakteristikave hidrike dhe reshjeve të shumta dhe me densitet të lartë. Ndërsa shtimi i përmbytjeve vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike (me shumë reshje dhe të dendura, shkrirje e shpejtë e borës ndër male), ndërtimi i hidrocentraleve që kanë ndryshuar rrjedhën e lirë të lumenjve dhe mbajnë rezervuaret me ujë mbi normat e parashikuara me ligj dhe detyrohen të bëjnë shkarkime shumë të mëdha nëse prurjet e ujërave në digë janë shumë të larta.
  • Përmbytjet vijnë edhe si pasojë e gërryerjes dhe shfrytëzimit të inerteve të shtretërve të lumenjve, prerjes së pemëve në pyje dhe bimësisë përgjatë lumenjve. Vijnë edhe si pasojë e mungesës apo bllokimit të kanaleve kulluese të para, të dyta dhe të treta. Të hedhjes së mbeturinave nga njerëzit në këto kanale, të ndërtimeve pa kriter në zona të predispozuara për tu përmbytur.
  • Përgjegjës janë komunitetet që kanë ndërtuar aty, autoritetet që kanë lejuar ndërtimet, hidrocentralet, qeveria që nuk merr masa rehabilitimi, dëmshpërblimi apo shpërngulje të këtyre banorëve apo që nuk bën investime në infrastruktura mbrojtëse/argjinatura apo që nuk delivron fond mjaftueshëm për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese apo që nuk ka aftësi ripërtëritëse pas një fatkeqësie natyrore (renditemi ndër vendet e fundit në botë për kapacitetin ripërtëritës pas një fatkeqësie).
  • Përgjegjëse është edhe Bashkia që mund të bëjë investime të tilla por edhe për menaxhimin jo të duhur të mbetjeve urbane të cilat përfundojnë në kanalet kulluese.
  • Përgjegjës janë njerëzit atje që nuk janë të informuar as nuk marrin masa vetjake për tu impaktuar më pak nga përmbytjet.
  • Fajin e kanë edhe firmat e sigurimeve që nuk pranojnë të sigurojnë toka të cilat e dinë që kanë rrezik përmbytjesh.

Në kushtet kur banorët janë ende të pa dëmshpërblyer nga përmbytja e fundit dhe të pashpresë për dimrin që vjen, institucionet përgjegjëse ende nuk e kanë zgjidhur në mënyrën e duhur ligjore këtë problematike dhe “dëmshpërblimi” është vetëm në letër.

*Citizens Channel / Fjori Sinoruka Senad Tula

Lista e dokumentave dhe kërkesave:

Përgjigje nga Bashkia Shkodër

Pergjigje nga Ministria e Mbrojtjes

Përgjigje nga Prefektura e Qarkut Shkodër

Vendimi Nr. 51 i Këshillit Bashkiak Shkodër

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW