Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të rinjtë e mjekësisë marrin valixhet, të zhgënjyer nga kushtet e punës dhe pagat

* Citizens Channel / Esmeralda Keta

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë anemike për mjekë e infermierë. Me numrin më të vogël në rajon të mjekëve për banorë, përllogaritet që në një vit dalin në pension rreth 300 bluza të bardha dhe diplomohen 250. Të zhgënjyer nga politikat e ndjekura dhe të demoralizuar nga kushtet e punës vetëm për këtë vit 4500 infermierë ëndërruan Gjermaninë, duke rrezikuar të zhysë në kolaps shëndetësisë shqiptare.

Dita e enjte është ditë “feste” për pacientët që vuajnë nga zemra në rrethin Matit.  Ndonëse sëmundjet kardiovaskulare  renditen në krye të listës si vrasësit kryesorë të shqiptarëve, në spitalin e Burrelit nuk ka kardiolog. Ai vjen vetëm një herë në javë nga Durrësi, ndërkohë që janë me qindra pacientë që kanë nevojë. Ndaj e enjtja, është një ditë e shënuar për ata që vuajnë nga zemra, pasi në spitalin e Burrelit vjen kardiologu. Radhët e gjata janë të kuptueshme dhe pacientët, të cilët vijnë edhe nga të gjithë fshatrat, janë me fat nëse arrijnë të marrin shërbimin deri në fund të ditës. Në të kundërt duhet të presin të enjten e javës që vjen.

Por kardiologu nuk është i vetmi specialist që mungon në spitalin e Burrelit. Në këtë spital nuk ka as mjek okulist, i cili edhe ai vjen vetëm një ditë në javë. Ndërsa materniteti i cili ishte braktisur prej kohësh nga mjekët, që prej dhjetorit 2017 është plotësuar nëpërmjet sistemit të patronazhimit, me mjekë nga dy maternitetet e Tiranës, ai “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”, por vetë nuk ka as obstetër e as gjinekolog.

Nuk është vetëm spitali i Burrelit i prekur nga fenomeni i mungesës së mjekëve.  Situata ka ardhur duke u rënduar nga viti në vit, pasi dy vitet e fundit, pamjaftueshmërisë në burime njerëzore i është shtuar edhe fenomeni i largimit të mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë.

Juna Musa, është nga ata raste të rralla që pasi fitoi një bursë studimi nga BE dhe kreu një master për kërkim shkencor në Universitetin “Erasmus” në Hollandë, aplikoi në konkursin e specializimeve që  hapi gjatë muajit mars, pas 4 vitesh ndërprerje, Universiteti i Mjekësisë. Ironikisht, ndonëse ka kryer studimet në anglisht në një universitet lider ndërkombëtar, iu refuzua e drejta për të marrë pjesë në konkursin e specializimeve me pretendimin se nuk kishte të mbrojtur anglishten në Tiranë.  Aktualisht, Juna me një eksperiencë pune 8-vjeçare jo vetëm si mjeke, por edhe në sektorin e farmaceutikës me gjigandin Berlin Chemie, ka siguruar një kontratë pune në Gjermani dhe do të zhvendoset përfundimisht atje në fillim të muajit tetor. Jo pak e zhgënjyer nga eksperienca në Shqipëri ajo rrëfen se pavarësisht arsyeve familjare asgjë nuk e miklon që të qëndrojë më në Tiranë.

“Për çfarë të qëndroj në Shqipëri? Që të punoj si mjeke poliklinike me 40 mijë lekë në muaj dhe të mbush kartelat se punë nuk bëhet? Madje edhe për të filluar punë aty duhet të japësh një thes me lekë. Këtu nuk funksionon asgjë. Edhe specializimet zgjidhen me mik, ndërkohë që mua ma refuzuan të drejtën se nuk kisha dhënë provim anglishten në Tiranë, ndërkohë që unë kam bërë masterin në anglisht. Unë këtu nuk shoh asnjë perspektivë, dhe më e keqja është se nuk shoh asnjë dritë jeshile edhe për të ardhmen”, – na rrëfen Juna e cila tashmë ka firmosur një kontratë me një spital në Gjermani, ku në tetor nis punë si mjeke.

Ajo është shumë skeptike për situatën. Më e keqja sipas saj është se të gjithë mjekët po ëndërrojnë Gjermaninë. “Shumica e atyre që nisën specializimin nuk e nisën për të punuar në Shqipëri, por  të gjithë e kanë projektuar veten për në Gjermani. I ke të gjithë në kurse gjermanishteje. Është një situatë vërtetë alarmante dhe QSUT do braktiset shumë shpejt nga mjekët, ndërsa nëpër rrethe as që bëhet fjalë të ketë më mjekë”, – na thotë Juna.

Fatmir Brahimaj, president i “Urdhrit të Mjekut” të Shqipërisë, është më i rezervuar, në dhënien e shifrave. Ai thotë se situata nuk duhet parë bardhë e zi.

 “Unë dua të jem i kujdesshëm në dhënien e shifrave, ndaj nuk do të preferoja të jepja shifra për këtë vit. Ama gjatë 2017-ës, 150 mjekë kërkuan rekomandime pranë Urdhrit të Mjekut  që nuk kanë masa disiplinore. Por ky është një fenomen që ka prekur të gjitha vendet e Evropës Lindore, jo vetëm vendin tonë”, – thotë për “Citizens Channel” Brahimaj i cili shton se gjatë 2017-ës, 50 mjekë të huaj erdhën për të punuar në Shqipëri.

Sipas tij shqetësim mbetet largimi i mjekëve specialist, të cilët duan së paku një dekadë që të përgatiten. “Mund të them se nga mjekët që u larguan një vit më parë një numër i konsiderueshëm ishin mjekë specialist, të cilët janë një aset i vyer që nuk duhet humbur”, – thotë Brahimaj.

Teksa rendit arsyet se përse mjekët zgjedhin të lënë Shqipërinë, Brahimaj thotë se kryesisht ata largohen për rritje në karrierë, për paga më të mira, për mbrojtje më të  mirë ligjore, për kushte më të mirë pune dhe për aparatura me të mira në dispozicion.

Edhe pa nisur vala e largimeve të mjekëve dhe infermierëve nga vendi, Shqipëria është shumë anemike sa i përket standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Mungesa e burimeve në mjekë si dhe shpërndarja jo e drejtë e tyre është një problem i kahershëm që OBSH ka kërkuar të mbahet nën vëmendje.

Sipas raportit të Bankës Botërore, Shqipëria, krahasuar edhe me rajonin,  është në fund të listës sa i përket numrit të mjekëve për banorë. Më konkretisht Shqipëria  ka  vetëm 1.1 mjekë për 1 mijë banorë;  Bosnje Hercegovina ka 1.6 mjekë për 1 mijë banorë, Mali I Zi ka 2 mjekë për 1 mijë banorë, Kroacia ka 2.2 mjekë për 1 mijë banorë, Serbia 2.8 mjekë për 1 mijë banorë, Bullgaria ka 3.6 mjekë për 1 mijë banorë, ndërkohë që mesatarja e BE është 3.4 mjekë për 1 mijë banorë.

Nuk janë vetëm mjekët ata që po largohen. Masivisht po largohen edhe infermierë.

Tre herë në javë, sapo mbyll turnin e punës si infermier në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në QSUT, Endri Hoxha, nxiton drejt qendrës së kurseve, ku po mëson gjermanishten. Ka arritur në nivelin B2 dhe tashmë ka nisur përpjekjet për sigurimin e një kontrate pune në spitalet gjermane. Me 10 vite eksperiencë si infermier në QSUT, një dekadë më pas, ai e shikon veten pa shpresë në Shqipëri.  Ndaj ka hedhur sytë nga Gjermania.

“Edhe pas 10 vitesh pune si infermier e shikoj veten zero në këtë profesion. Jam njësoj me ata që futen për herë të parë në punë. Kushtet e punës janë skandaloze, ka mbingarkesë, pagat janë shumë të ulëta. Këtu ka vetëm premtime, vetëm fjalë boshe…nuk ka shpresë as për rritje page e as për rritje në karrierë”- tha ai për Citizens Channel, “U bënë thuajse një vit që kam nisur gjermanishten, jam në nivelin B2 dhe po shqyrtoj disa mundësi për në Gjermani. Oferta ka plot, por unë synoj të punoj infermier në spital, siç jam edhe këtu, ndaj po përpiqem të gjej atë që bën për mua. Dua të iki së bashku me familjen. Këtu nuk ia vlen asnjë sakrificë. Jam gati që atje t’ia nis gjithçka nga e para”, – na shpjegon Endri. Sipas tij, shumë kolegë të tij, që kanë punuar vite të tëra në Shqipëri tashmë janë sistemuar në spitalet gjermane me kushte pune dhe paga shumë më të mira se 50 mijë lekëshi që merr një infermier urgjence në Shqipëri.

Por Endri nuk është i vetmi që po planifikon të largohet. Tashmë numërohen me mijëra infermierë të larguar dhe mijëra të tjerë kanë nisur procedurat dhe janë në pritje.

Për Elson Jaçej, kryetari i shoqatës së infermierëve, situata është alarmante. Ai jep shifra të frikshme të largimit të personelit ndihmës, që sipas tij, rrezikojnë të zhysin në kolaps të gjithë sistemin shëndetësor.

“Në 6 mujorin e parë janë larguar rreth 2500 infermierë. Ndërkohë që ne kemi informacion që janë në proces largimi edhe 2000 të tjerë. Shumica kanë qenë  të rinj, por midis tyre ka pasur edhe nga ata që kanë vite të tëra eksperience pune. Madje kjo kategori, krahasuar me më të rinjtë, kanë më shumë avantazhe, janë më të kërkuar. Nëse të rinjtë që largohen nuk fillojnë punë menjëherë si infermier, por si ndihmës deri sa t’ju njihet diploma e plotë, pasi  kanë mungesë të orëve të praktikës u duhet mbi 6 muaj të quhen profesionist, ndërsa ata që kanë eksperiencë pune fillojnë direkt në profesion”, – tha Jaçaj për  Citizens Channel, “së fundmi janë dhe profesionistët me eksperiencë shumë të madhe pune që janë në prag largimi ku numri është rreth 2mijë në rang vendi e ku pas pak kohësh nuk dihet ku do jetë shëndetësia jonë”, vijon më tej ai.

Politikat e gabuara, ulen kriteret për mjekët specialist

Duket se politikat e gabuara janë faktori kryesor i kësaj situate alarmante që po përjeton vendi ynë. Aktualisht në vendin tonë dalin më shumë mjekë në pension se sa diplomohen të rinj, pa llogaritur ata që shkojnë jashtë.

Konkretisht përllogaritet që në vendin tonë, çdo vit të dalin në pension rreth 300 mjekë, ndërkohë që diplomohen 250 të rinj. Pa llogaritur ata që largohen, duket se hendeku që po krijohet është shumë i madh. Në këtë situatë Ministria e Shëndetësisë i ka varur shpresat tek specializimet e reja, të cilat u hapën pas katër vitesh ndërprerje.

Por ndryshe nga herët e kaluara, edhe aty u desh të ”ndërhyhej” duke hequr kriterin e  notës mesatare. Por pavarësisht se steka e pranimeve për mjekët e rinj u ul në minimum, numri i atyre që shfaqen interes ishte shumë i vogël krahasuar me vitet e kaluara.

Si rrjedhojë për herë të parë këtë vit, nuk kishte konkurrencë,  u shpallën fitues edhe kandidatë me mesatare 6 e në disa raste edhe më të ulët se 6 në degë shumë të rëndësishme si kirurgji apo kardiologji. Por vendimi i senatit të Fakultetit të Mjekësisë, ndryshe nga sa u shit si një masë liberalizimi për kriteret aq të rrepta të specializimeve të mjekësisë, nuk shihet nga të gjithë me të njëjtin optimizëm.

 “E kupton se çdo të thotë për ne që të pranojmë në specializime një student që ka mbaruar Mjekësinë me mesatare 6? Për ne në mjekësi ai nuk është një mjek”, – na shpjegon doktor Edvin Prifti, një nga kardiokirurgët më me emër që ka braktisur spitalin e New York për të punuar në QSUT.

“Zhgënjimi i punësimit përmes portalit dhe mungesa e vendeve të punës në vend është një nga arsyet kryesore. Portali ka vende për 400 infermierë ndërkohë që vetëm në një vit diplomohen. Paga e ulët, mosvlerësimi i figurës së infermierit, kushtet e punës, mbingarkesa e madhe dhe mbi të gjitha stresi është faktori kryesor”– shprehet Jaçej që sipas tij tashmë në kërkim të profesionistëve tanë nuk është vetëm Gjermania, por ka shfaqur shumë interes edhe Anglia e Italia.

Të gjithë në kurs për gjermanisht

Te instituti Gëte në Tiranë ka plot të rinj hyjnë e dalin. Është e martë dhe ka provim për nivelin A2, B1 dhe B2 të gjuhës gjermane. Ata që mbizotërojnë janë të rinjtë, por midis tyre dallon edhe nga ata që janë pak më të shtyrë në moshë.

“Unë vetë kam parë mjekë me eksperiencë disa vjeçare, kam parë mjekë që janë në moshë mbi 50 vjeç, por edhe mjek specializantë në QSUT, që shkojnë në spital me librat e gjermanishtes me vete. Është vërtetë për të ardhur keq, kur tek instituti Gëte shikon mjekë 50-vjeçarë që duan të ikin”. – na  thotë doktoreshë Juna, e cila sapo ka dhënë provimin e gjuhës pranë këtij instituti. Ajo shpjegon se nëse në të gjithë botën mjekët komunikojnë mes tyre në latinisht, në gjermani e gjitha terminologjia mjekësore është në gjermanisht, ndaj edhe provimi i gjuhës është kusht i detyrueshëm.

E njëjta situatë është edhe para ambasadës gjermane. Dhjetëra të rinj, presin në radhë për të marrë një përgjigje për vizën.

Sipas Elson Jaçej, së fundmi edhe vetë shteti Gjerman ka bërë  tolerime në aplikimet e profesionistëve  mjek dhe infermier si për vizat e punës dhe për kushtet e qëndrimit dhe “kjo po i shtyn dhe më tepër” – thotë Jaçej.

 “Në vendin tonë një infermier arrin dhe duhet ti shërbejë rreth 20-25 pacientëve në orarin e punës. Ndërkohë që së fundmi nuk marrin orë shtesë as kur punojnë të shtunë e të dielë, po ashtu nuk u paguhen as ditët e festive siç e parashikon ligji. E si të mos shohin mundësinë e largimit në një vend ku të paktën vlerësohen dhe u shërbejnë jo më shume se2-3 pacientëve, ndërsa pagesat shkojnë deri në 2 mijë euro” – përfundon Jaçaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *