Për të dytën ditë rresht studentët kanë bojkotuar auditoret duke organizuar një protestë masive përpara Ministrisë së Arsimit. Protesta nisi në orën 9:30 si një marshim nga Fakultete të ndryshme të Tiranës i cili përfundoi në orën 10:00 me një tubim tek Ministria e Arsimit, numri i pjesëmarrësve është aq i lartë sa e gjithë gjatësia e “Rrugës së Durrësit” ishte e mbushur me studentë.
Kësaj proteste i janë bashkuar edhe universitetet e Durrësit, Elbasanit, Kamzës dhe Korçës të cilët bojkotuan autodiret dhedolën në rrugë.

Foto: Lorin Kadiu/ Citizens Channel
Këshillat studentorë të Universiteteve Publike i janë drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke paraqitur katër kërkesa:
- Shfuqizimi i VKM nr 288 , konkretisht pika 4 e cila parashikon:
“Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.
- Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat studentor, Ligji i Arsimit të lartë pika 2, kërkohet që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
- Përmirësimin i kushteve të konvikteve.
- Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji i Arsimit të Lartë).
Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Eurostat dhe INSTAT tregojnë se familjet shqiptare paguajnë katër herë më shumë për arsimin krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.
Tërhiqet ministrja e arsimit
Vetëm pak orë më parë ministrja e arsimit dhe sportit Lindita Nikolla zhvilloi një takim urgjent me rektorët dhe dekanët e universiteteve në institucionin që ajo drejton në lidhje me kërkesat e paraqitura nga studentët.
Në një deklaratë për mediat ministrja Nikolla u shpreh se kërkesat e studentëve do të realizohen. Pavarësisht kësaj studentët lajmërojnë vazhdimin e protestës pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve deri në orën 16:00.

Foto: Lorin Kadiu/ Citizens Channel