Numri i gazetarëve të vrarë në të gjithë botën deri tani, pothuajse është dyfishuar, sipas një raporti të nxjerrë të mërkurën nga Komiteti i Mbrojtjes së Gazetarëve.
Organizata e vendosur në New York zbuloi se të paktën 34 gazetarë ishin targetuar dhe vrarë për shkak të punës së tyre. Të paktën 53 gazetarë u vranë ndërkohë që ishin duke bërë punë të rrezikshme. Ndërkohë që në vitin 2017 ishin rreth 18 vrasje për hakmarrje nga 48 vrasje në total.
Raporti gjithashtu zbuloi se numri i gazetarëve të burgosur është në rritje.
“Konteksti i krizës varion dhe është kompleks dhe lidhet ngushtë me ndryshimet teknologjike të cilat kanë lejuar që më shumë njerëz të bëjnë gazetari dhe gjithashtu e ka zgjeruar gazetarin drejt grupeve politike dhe kriminale të cilët dikur kishin nevojë për median për të dhënë mesazhet e tyre nëpërmjet saj”, thuhet në raportin vjetor.
Ky raport erdhi një ditë pasi grupi i lirë mediatik Reporterët pa Kufinj, nxorrën raportin e tyre duke thënë se Shtetet e Bashkuara për herë të parë renditen midis 5 vendeve të para në të cilët vriten gazetarët, me gjashtë gazetarë të vrarë për këtë vit. Katër nga këta gazetarë u vranë nga një person i armatosur në sulmin e muajit qershor në gazetën “Capitale Gazzete” në Maryland. Ndërsa dy gazetarë të tjerë u vranë ndërkohë që ishin duke raportuar për një stuhi.
Grupi në Paris, dokumentoi 63 gazetarë të vrarë, gjatë vitit 2018 në të gjithë botën.
Të dy organizatat investigojnë dhe verifikojnë rrethanat e vdekjes së çdo gazetari para se t’i rendisin , por ndryshojnë në llojin e rrethanave të cilat përfshijnë. Për shembull, Reporterët pa Kufinj i përfshinë dy gazetarët të cilët vdiqën për shkak të stuhisë, bashkë me gazetarët që vdiqën duke luftuar, nga të shtënat apo sepse ishin përfshirë në punë të rrezikshme.
Raporti i Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve përfshin edhe vrasjen e kolumnistit të Washington Post, Jamal Khashoggi, me kombësi nga Arabia Saudite i cili në mënyrë të vendosur kritikonte regjimin mbretëror. Vdekja e tij në 2 tetor brenda konsullatës arabë në Stamboll bëri bujë në skenën politike globale sepse Princi i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman u përfshi në akuza.
Khashoggi jetonte në eksil në Shtetet e Bashkuara, por kishte shkuar në konsullatën e Arabisë Saudite për të formalizuar divorcin e tij. Ai u mbyt dhe u ther dhe për këtë janë të akuzuar agjentë të Arabisë Saudite.
Arabia Saudite e mohoi përfshirjen e Princit Mohammed, por mbretëria e pranoi faktin se ngjarja ishte planifikuar nga agjentë të Arabisë Saudite të afërt me Princin, pas presionit ndërkombëtar.
I pyetur nëse e besonte se Princi i Arabisë Saudite e kishte urdhëruar këtë ngjarje, Presidenti Donald Trump tha muajin e kaluar: “Ndoshta po, ndoshta jo”. Ndërkohë që Presidenti e dënoi dhunën kundrejt gazetarëve, raporti thekson se ai i ka quajtur gazetarët “armiku i popullit”.
Gazeta “Time” gjatë javës së kaluar përzgjodhi si “njeriu i vitit”, gazetarët e vrarë dhe të burgosur gjatë vitit 2018, duke përfshirë: Khashoggi-n, Maria Ressa-n të burgosur në Filipine, Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo të burgossur në Miamar si dhe grupin e gazetarëve të vrarë në “Capital Gazzete”.
Vendi kryesor i gazetarëve të vrarë gjatë këtij viti është Afganistani, sipas raportit të Komitetit. 13 gazetarë u vranë atje, disa nga bombat vrasëse të militantëve të grupit të shtetit islamik.
Në Siri dhe Jemen, dy shtetet me luftën cilile shkatërruese, gazetarët janë vrarë më pak që nga viti 2011. 3 vdiqën në Jemen dhe në Siri Komiteti regjistroi 9 vdekje krahasuar me numrin e lartë në vitin 2012, që ishte 31. Megjithatë rënia mund të jetë për shkak të aksesit të limituar ose për shkak rë rrëzikut ekstrem i cili e dekurajon prezencën e medias, thotë raporti.