Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Liqeni i Shkodrës; Rreziku nga mbetjet urbane dhe ujërat e zeza përballë harresës nga autoritetet

Liqeni i Shkodrës është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2005, por nuk është aspak i mbrojtur nga ndotja. Brigjet e tij janë të mbushura me mbetje urbane, të hedhura nga banorët vendas dhe të papastruara nga autoritetet përgjegjëse. Pjesa nënujore e tij, e pasur me një shumëllojshmëri peshqish dhe shpendësh, ndotet nga ujërat e zeza të qytetit të cilat derdhen në pjesën perëndimore, aty ku takohet me lumin Buna, por edhe nga ndotje të kombinatit të aluminit në Mal të Zi, të cilat vijnë nëpërmjet lumit Moraça.

Citizens Channel dokumentoi ndotjen e brigjeve të liqenit në pikëtakimin e tij me lumin Buna. Situatë që vjen nga keqadministrimii i kësaj zone, por ajo çka është më problematike ( për të cilën askush nuk përgjigjet) është derdhja e ujërave të zeza në liqen e cila mund të shkaktojë sëmundje infektive dhe të zhdukë faunën.

Nga vëzhgimi i bërë në terren Citizens Channel konstatoi një kanal ku ujërat e zeza derdhen në menyrë të pandërprerë, jashtë standardeve të depurimit apo filtrimit, duke shkaktuar aromë të pakëndshme dhe nivele të rrezikshme ndotje për banorët dhe gjallesat që jetojnë në këtë zonë.

Kanali që derdh ujërat e zeza në qytetin e Shkodrës / Foto: Citizens Channel

Liqeni i Shkodrës, veçoritë e tij

Si zonë e mbrojtur, në liqenin e Shkodrës nuk zbatohet një nga objektivat e ligjit “Për zonat e mbrojtura”: “ndotësi paguan” i cili parashikon se subjektet me veprimet ose mosveprimet e tyre ndotin dhe/apo dëmtojnë mjedisin brenda apo jashtë zonës së ndotur, paguajnë për rehabilitimin e tij.

Liqeni i Shkodrës është një nga bukuritë natyrore me të cilën Shkodra identifikohet si qytet. I ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ai konsiderohet një pasuri natyrore ndërkufitare dhe për sa i përket madhësisë, është më i madhi në Ballkan.

Bazuar tek të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Liqeni i Shkodrës është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2005. Ky liqen ka një sërë karakteristikash në aspektin e florës dhe të faunës, me 40 shpendë ujorë dhe me rreth 56 lloje peshqish.

Në grykëderdhjen e lumit Buna, kryhen një sërë aktivitetesh nga vendasit si peshkimi apo turizmi lokal. Pozita e tij strategjike gjeografike është një pikë kyçe për zhvillimin turistik të zonës.

 Peshkatarët e zonës shprehen se Liqeni nuk është pastruar që nga ardhja e demokracisë.

“Që kur ka ardh demokracia ska vënë kush dorë në të”, u shpreh Mark Gjinashi një peshkatar i zonës kur u pyet se kur është pastruar liqeni i Shkodrës për herë të fundit.

Ata tregojnë se ky liqen ka pas qenë më i bukuri në Ballkan dhe ka qenë një  pikë shumë e rëndësishme për qytetin dhe komunitetin.

“Tani të vjen keq me ardhë turistë me pa këtë pamje”, thotë Mark Gjinashi.

Liqeni i Shkodrës
Foto: Citizens Channel

Kush është përgjegjës për pastrimin e liqenit?

Me ndarjen e re administrativo – territoriale, bashkive të vendit iu ngarkua përgjegjësia e menaxhimit të mbetjeve. Nisur nga kjo Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Shkodër për ta pyetur në lidhje me pastrimin e këtij liqeni; pjesës perëndimore të tij në të cilën takohet me lumin Buna, por përgjigjja që mori ishte se Bashkia kishte kontraktuar një firmë për “prerjen e bimëve të vogla rreth brigjeve të liqenit”.

“Bashkia Shkodër ka alokuar fondin prej 850.000 lekë për shërbimin e mirëmbajtjes së rrugës së Shirokës dhe bregut të liqenit (prerje bimë të vogla), shërbim i cili kryhet nga subjekti “Malvin sh.p.k”, për një periudhë tre vjeçare.”, thotë Gjergj Kurti, Koordinator i të Drejtës për Informim në përgjigjen zyrtare për Citizens Channel.

Ndërsa për sa i përket ndotjes së tij nga ujërat e zeza të qytetit, Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Shkodër për ta pyetur për këtë problematikë si dhe për mënyrën e menaxhimit të ujërave të zeza në qytet gjatë viteve të fundit.
Bashkia Shkodër e adresoi këtë problem tek Ndërmarrja e Ujësjellës –Kanalizime të qytetit duke sqaruar se është përgjegjësi e këtij institucioni.

Citizens Channel ka nisur komunikimin me Bashkinë Shkodër dhe Ndërmarrjen e Ujësjellës -Kanalizime Shkodër në 18 dhjetor të vitit 2018 dhe deri në momentin e publikimit është ende në pritje për marrjen e një përgjigjeje në lidhje me menaxhimin e ujërave të zeza në këtë qytet.

Liqeni i Shkodrës
Foto: Citizens Channel

Evidentime të Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Liqenin e Shkodrës:

Në një raport publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi disa problematika të lidhura me ndotjen e Liqenit gjatë viteve të fundit.

Ndër to konsiderohet derdhja e ujërave të zeza të qytetit të Shkodrës në grykëderdhje të lumit Drin dhe Bunë, hedhja e mbetjeve urbane , depozitimi dhe grumbullimi në breg të liqenit i inerteve nga ndërtimet pa leje dhe ndërtimi i Bypass-it të Shkodrës si dhe ndotja ndërkufitare që shkaktohet nga shkarkimi i mbetjeve kimikate të kombinatit të Aluminit në Malin e Zi.

Gjetjet nga auditimi:

Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna kanë një sipërfaqe prej 49562 hektarësh si zonë e mbrojtur natyrore dhe mbështetur në të dhënat e raporteve të menaxhimit e monitorimit të AdZM Shkodër për projektet që veprojnë në këtë zonë, është konstatuar se ka nivele të larta ndotjeje, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e ujit dhe të ajrit dhe kanë ndikim negativ në florën dhe faunën e ZM-ve, ardhur nga:

  • Ujërat e zeza të prodhuara nga qyteti i Shkodrës me mbi 140 mijë banorë, të cilat shkarkohen në ujërat e lumenjve Drin dhe Bunë pa u përpunuar, kanë sjellë si pasojë një situatë të tejndotur në nivele të larta sëmundshërie infektive.
  • Mbetjet urbane, ndërtimore mbeturinat e ndryshme që ndodhen pranë gjithë bregut të Liqenit. ( Zona e Shirokës dhe Zogaj).
  • Ndërtimet e panumërta pa leje dhe ndotja kimike që janë fakorë që shkatërrojnë faunën dhe biodiversitetin e Liqenit të Shkodrës dhe grykëderdhjen e lumit Buna.
  • Mali i Zi

Liqeni i Shkodrës pastrohet vetëm nga vullnetarët

Shoqata “Eco – Mendje” është një shoqatë lokale që një ndër fokuset e saj ka mjedisin. Para rreth 2 muajsh vullnetarët e kësaj shoqate zhvilluan pastrimin e bregut të këtij liqeni. Citizens Channel u vu në kontakt me përfaqësues të shoqatës dhe i pyeti se në cilin nivel e kishin gjetur ndotjen në Liqenin e Shkodrës.

“Atë ditë kemi pastruar 5.7 kilometër në ecje dhe ndotja në ujë ishte e tmerrshme nga të gjitha llojet e mbeturinave, si ato familjare, por dhe industriale, të bizneseve dhe të ujërave të kanaleve kulluese të qytetit. Gjendja prej afër dukej më e tmerrshme kur gjenim zogj dhe peshq të ngordhur nga ushqimet qe kishin hëngër në ujë, apo nga grackat e krijuara vetvetiu nga mbetjet e ndryshme si qese apo thasë të ndryshëm.”, tregojnë për Citizens Channel vullnetarët e Eco – Mendje.

Eco – Mendje thotë se kjo nuk është iniciativa e parë për pastrimin e liqenit dhe gjen si shkaktarë kryesorë të ndotjes së tij qytetarët, bizneset rreth e rrotull liqenit, por edhe institucionet përgjegjëse që nuk ndërmarrin masa.


“Ndotësit më kryesorë që ështënjë problem vërtetë shqetësues janë shkarkimet e ujrave të zeza të qytetit apo të lokaleve aty afër. Nga bisedat e ndryshme me peshkatarët na thojnë qe peshku ka pak vite që është drejt fundit. Gjithashtu ne shohim që në liqen dhe Bunë janë krijuar ishuj nga barishtet dhe fekalet të cilat ia marrin frymën liqenit dhe dëmtojnë atë si nga ana natyrore por dhe turistike”, u shprehën ata.

I ngelur në dorë të fatit dhe pa marë kujdesin që meriton një zonë e mbrojtur liqenit të Shkodrës i ka ngelur vetëm madhështia e dikurshme. Institucionet përgjegjëse edhe pse janë sinjalizuar nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit nuk i marin përgjegjsitë përkatëse por edhe banorët e zonës nuk i përmbushin detyrat qytetare dhe komunitare.

Sot liqeni i Shkodrës është lart të qenit një atraksion turistik dhe pse në hapësirën e tij ndodhen një sërë objektesh kulturore e fetare si: Kisha e Obotit, Xhamia e Muriqanit, Xhamia e Zuesit, Kisha e Shirqit, Xhamia e Mashanit, Kisha e Dajçit, Kisha e Samrishtit, Kisha e Pentarit, Kisha e Luarzë, Kisha e Gomsiqe e re, Kisha e Velipoje plazh, Kisha e Reçit, Kisha e Rrjollit, Xhamia Luarëz, Objekte historike dhe Kisha e Shirqit.

* Citizens Channel / Fjori Sinoruka

Ligji për zonat e mbrojtura

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Kontrata për liqenin e Shkodrës

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *