Citizens.al

Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë, i risjellë përmes fotografive

Ekspozita “Vjosa perla e egër e Evropës” u hap dje në Muzeun Kombëtar dhe paraqiti për publikun veprat artistike të  7 fotografëve shqiptarë dhe të huaj, duke treguar bukuritë dhe aspektet e veçanta të këtij lumi.

Nuk është hera e parë që organizata “EcoAlbania” zhvillon evente për të mbrojtur Vjosën dhe për të evidentuar vlerat e saj nëpërmjet artit. 2 vite më parë u zhvillua koncerti “Mos ma prek Vjosën” në sheshin Skënderbej në Tiranë i cili gjithashtu synonte sensibilizimin e qytetarëve për mos ndërtimin e digave të planifikuara në Vjosë.

Jo vetëm nga ana artistike, por edhe nga ana shkencore ka pasur aktivitete dhe iniciativa sensibilizuese. 30 shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë kanë kryer studime në Vjosë dhe kanë mbajtur qëndrimin kundër ndërtimit të heceve në këtë zonë.

Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe disa nga fotografët që  kanë dokumentuar bukuritë dhe veçoritë e këtij lumi.

“Unë meqë kam një cikël të hershëm me  të huajt me kostume shqiptare, kam çuar në Vjosë dhe kam fotografuar nënkryetaren e Parlamentit Evropian e cila pranoi dhe ka dalë buzë Vjosës me një kostum të zonës ose më saktë të zonës së Beratit. Më e bukura është kur erdhën 5 art – designer që kanë kërcyer të gjithë, nga Kalifornia, një firmë shumë e fuqishme në Amerikë që quhet Patagonia edhe ata në sensibilizim dhe në mbrojtje të Vjosës. Erdhën, pranuan u veshën me këto kostumet e zonës dhe dolën e bënë një cikël shumë të bukur fotografik buzë Vjosës”, u shpreh për Citizens Channel fotografi Roland Tasho.

Ndërsa për fotografin tjetër Adrian Guri kontakti i parë me Vjosën ishte kur iu propozua që të punonte për të. Ai tregon se më parë nuk kishte ndonjë informacion specifik për këtë lum.

” Ai ishte impakti im i parë dhe momenti më i rëndësishëm dhe pas asaj filluam 6 dokumentarë të tjerë, gjithmonë me tematikën për ta mbrojtur për të nxjerrë në pah vlerat e saj për të nxjerrë vlerat e gjithçkaje se nuk është vetëm lumi, është komplet lugina dhe fshatrat”, u shpreh ai.

Olsi Nika biolog dhe drejtues i “EcoAlbania” i cili ka një eksperiencë të gjatë në studimin dhe mbrojtjen e mjedisit u shpreh se:

“Ideja për Vjosën është për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale dhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të ushtrojmë edhe një presion tek vendimmarrësit në mënyrë që vlerat që Vjosa mbart, të cilat janë edhe vlera natyrore por janë edhe vlera historike , kulturore e më gjerë; të ruhen kështu siç janë dhe të transmetohen dhe në brezat pasardhës”.

Ndërsa fotografi amerikan Nick St. Oegger tregoi se kur erdhi për herë të parë aksidentalisht në Shqipëri, të gjithë i thoshin se është një vend në të cilin nuk ke çfarë sheh ose çfarë bën. Por përshtypja e tij e parë ishte krejt e kundërt me çfarë i kishin thënë. Ai kontribuoi në këtë ekspozitë me disa fotografi të Vjosës dhe u shpreh se ishte i impresionuar nga zona përreth.

” Ajo çka mendoj që ishte më interesante është se duket që ka një çështje (toka) që i bashkon shumë njerëz në Shqipëri dhe ata duket se do të luftojnë për të”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar deri ditën e dielë. Në objektivin e fotografëve Roland Dorozhani, Artan Rama, Gregor Subic, Robert Hackman, Nick St. Oegger, Adrian Guri dhe Roland Tasho; Vjosa paraqitet në disa këndvështrime.

*Citizens Channel /f.s./

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW