“Ti mund të thuash se jam ëndërrimtar,
Por unë nuk jam i vetmi…”
Ky është një pasazh i shkurtër i këngës “Imagine” të John Lennon, me të cilën artisti i ri Gjergj Kaçinari vendosi të hapë koncertin që u zhvillua ditën e djeshme, në sallën e Teatrit Kombëtar. I vendosur në qendër të skenës, mund ta përjetoje emocionin e tij teksa vazhdimisht ndërvepronte me publikun, duke i ndarë ndjesitë dhe ngjarjet që e lidhin me atë ambient.
“Daja im është aktor, Vasjan Lami, qëkur kam lindur unë kam ardhur këtej, qoftë për të luajtur, qoftë për të parë shfaqje, por më shumë kam ardhur për të luajtur. Dhe në atë pishinë kam mësuar not, para 20 vitesh” shprehet Gjergj Kaçinari për Citizens Channel, duke shtuar se kjo hapësirë i ofron rehati dhe paqe shpirtërore.
Ai gjithashtu zgjodhi simbolikisht Teatrin për të ndarë këngën e tij më të re që titullohet “Young hearts”, e cila do të publikohet së shpejti. Gjergj Kaçinari na tregon se është pikërisht rëndësia e madhe që mbart kauza e Teatrit arsyeja pse ai zgjodhi atë audiencë dhe mjedis.
“Për mendimin tim nuk kanë të krahasuar këto lloj koncertesh. Dhe fakti që ishte një koncert kaq i rëndësishëm për mua, vendosa që edhe këngën mos ‘ta çoj dëm’”, rrëfen Gjergji.
I pyetur nga Citizens Channel rreth kushteve fizike të mjedisit dhe skenës, ai tregon se nuk ka hasur asnjë vështirësi apo problematikë gjatë minutave që ai ishte duke kënduar. “Salla është jashtëzakonisht e mirë, akustika është fantastike, s’ke ça me i lujt!” shprehet ai.
Uendi Morava ishte e pranishme teksa u zhvillua koncerti brenda Teatrit Kombëtar. “Sot ishte shumë bukur, shumë relaksuese, emocionuese edhe sepse performuesi ishte një personazh i cili vetë në skenë emocionohej shumë. E përcolli aq mirë!” shprehet Uendi për Citizens Channel. Ajo e konsideron me shumë vlerë koncertet dhe festivalet e zhvilluara radhazi prej disa javësh.
“Periudha e ndërtimit të gjithë këtyre festivaleve në mbrojtje të Teatrit është një iniciativë tejet interesante që mban gjallë edhe pjesën artistike të këtij vendi”.
Kënga që titullohet “Sound of Silence”, kulmon në vargjet të cilat japin mesazhin e fortë për rëndësinë e komunikimin, jo vetëm linguistik por edhe emocional. Të marra nga kënga dhe të përkthyera, Gjergj Kaçinari vendosi që ta mbyllë koncertin e tij pikërisht me këtë këngë.
“Dhe në dritën e zbehtë unë pashë
Dhjetë mijë njerëz, ndoshta më shumë
Njerëzit që flasin, pa folur
Njerëzit që dëgjojnë, pa dëgjuar
Njerëzit shkruajnë këngë, që zërat kurrë nuk i ndanë
Dhe askush nuk guxoi
“Ta ngacmojë” tingullin e heshtjes”
Koncerti i Gjergj Kaçinarit ishte aktiviteti i gjashtë i një cikli eventesh kulturore që kanë që nisur prej muajit korrik, kohë kur aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ri-hapën dyert e godinës, duke organizuar atë që e kanë quajtur “Festivali për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”.
Fillimisht artisti Mehdi Malkaj luajti monodramën “Marr Guximi”, i ndjekur nga interpretimi i aktorëve të njohur ndërkombëtarisht Arben Bajraktaraj dhe Bob Berkley pak ditë më pas. Serisë së aktiviteteve iu bashkua më pas aktorja Justina Aliaj me shfaqjen “Mbretëresha” dhe performanca eksperimentale “Kanuni i Gruas” nga një artistik nga Kosova.
Koncerti i këngëtarit Kacinari, u parapri nga një drama “Emigrantët” e vënë në skenë nga aktorët Besmir Haliti dhe Endri Ahmetaj.
*Citizens Channel /E.N/