Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aparteidi klimatik do të sjellë më shumë tragjedi në Mesdhe

Nga Carola Rackete/The Guardian

Ajo çfarë unë kam parë nga anija në Mesdhe është thjesht një copëz e asaj e së ardhmes për miliona njerëz, nëse ne nuk veprojmë tani.

Arrestimi në portin italian të Lampedusa tërhoqi  vëmendjen e shumë mediave kundrejt meje këtë verë si një grua e re dhe një kapitene deti, anija e së cilës, “Sea-Watch 3”, kishte shpëtuar 40 njerëz nga Mesdheu dhe u kishte ofruar atyre siguri. Arrestimi im erdhi pas dy javësh në det, në përpjekje për të siguruar një zgjidhje politike, në mënyrë që ne të mund t’i zbrisnim legalisht këta refugjatë që vinin nga lufta civile në Libi. Anija ime hyri në ujërat italiane pavarësisht një urdhri nga Matteo Salvini, Ministri i Brendshëm i cili i përket ekstremit të djathtë, kështu që në media unë u ktheva në gruan e cila mbrojti të drejtën në Itali dhe Evropë.

Unë jam ende nën hetim nga autoritetet italiane (megjithëse një gjykatës rrëzoi vendimin për të më arrestuar sepse isha duke u përpjekur të shpëtoja jetë), por a jam e shqetësuar? Sinqerisht, jo, sepse veprimet e mia ishin të justifikuara. Ajo që unë kam frikë me të vërtetë është dëmtimi që ne po i bëjmë planetit tonë, dhe armiqësia që mund të ndizet kundër atyre që po ikin thatësirës, ​​urisë, zjarreve dhe stuhive. Për mua, rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe nevoja për të ndihmuar ata që përpiqen të kalojnë Mesdheun janë ngushtësisht të lidhura.

Shumë njerëz janë qartësisht të shqetësuar rreth të diskutuarit të lidhjes që ekziston mes migrimit dhe krizës klimatike pasi kanë frikë se kjo do të çojë në më shumë ksenofobi dhe madje edhe politika më të ashpra kufitare nga këto aktuale. E vërteta është se kjo ksenofobi dhe këto politika të vështira kufitare janë tashmë. Unë i kam parë me sytë e mi, tek njerëzit që i kam nxjerrë nga deti – dhe tek ata të cilët unë isha shumë vonë për t’i shpëtuar.

Ndryshimet klimatike përkeqësojnë arsyet që njerëzit tashmë i kanë në nevojën për të migruar, siç janë kushtet e dëshpëruara socio-ekonomike ose shtypja politike. Në situatat kur njerëzit luftojnë për të mbijetuar, përkeqësimi i klimës e intensifikon presionin, qoftë përmes rritjes së nivelit të detit, mungesës së ujit, dëmet nga stuhitë apo dëmet tek të korrat. Njerëzit që jetojnë në vendet më të pafavorshme në Tokë – të cilët kanë kontribuar më së paku në ndryshimet klimatike – janë gjithashtu të parët që përballen me efektet e saj. Stuhitë shkatërruese në Mozambik, thatësira në Somaliland të cilat kanë vrarë pjesën më të madhe të bagëtive, dhe valët e nxehtësisë në Indi janë vetëm një shije e gjërave që do të vijnë nëse vazhdojmë të pompojmë gazin serë në atmosferë. Gjithnjë e më shumë njerëz do të duhet të lëvizin vetëm në mënyrë që të mbijetojnë.

Në dekadat e ardhshme, miliona [njerëz] do të detyrohen të migrojnë për të shmangur kushtet – gjithnjë e më keq- në ndryshim, të mjedisit. Deri më tani shumica e tyre po migrojnë brenda, nga zonat rurale në ato urbane, ose janë duke shkuar në vendet fqinje. Thjesht një udhëtim i vogël me distanca më të gjata. Atëherë ata bllokohen përballë mureve të vendeve që shpesh janë pjesërisht përgjegjëse për kushtet – si ato mjedisore ashtu edhe ato politike – që ata po ikin. Pjesa veriore e globit ka pushtuar dhe plaçkitur gjatë gjithë periudhës së kolonializmit, dhe ende i mbajnë peng ato vende por gjithashtu tani po i privojnë njerëzit nga gjërat e domosdoshme të jetës përmes varësisë së tyre ndaj luksit me karbon të lartë.

Megjithatë, ne po shohim një ngritje të retorikës të së djathtës në kombet e pasura. Kjo ka pasoja të tmerrshme për ata që preken, pavarësisht nëse janë persona që ia marrin vetes jetën në qendrat famëkeqe Manus dhe Naure të Australisë, apo ata që po vdesin në departamentin e Migracionit (Immigration and Customs Enforcment custody) në kufirin SHBA-Meksikë, ose duke u mbytur në Mesdhe – i cili është momentalisht kufiri më vdekjeprurës në botë. Politikanët i justifikojnë këto kushte të tmerrshme me arsyetimin se ata do të pengojnë më shumë njerëz të vijnë. Por numri i migrantëve dhe refugjatëve që vazhdojnë të vijnë na sugjeron se kjo strategji nuk po funksionon. Sigurisht, jo i gjithë migrimi është i lidhur me ndryshimet klimatike, por urgjenca e klimës do të bëjë çdo “krizë migrantësh” që tani kemi duket si një “festë çaji”.

Një raport i bërë nga reporteri i Kombeve të Bashkuara për varfërinë dhe të drejtat e njeriut paralajmëroi së fundmi për një “aparteid klimatik” të ardhshëm, ku të varfrit në rang global do të vuajnë pasojat më të këqija të ndryshimeve teksa të pasurit blejnë rrugën e tyre drejt sigurisë relative. “Të drejtat e njeriut mund të mos i mbijetojnë trazirave që vijnë,” përfundon raporti. Frika ime më e madhe është se ky vizion distopian i së ardhmes sonë mund të bëhet i vërtetë. Erozioni i të drejtave të njeriut, tashmë në zhvillim e sipër, ishte shumë e qartë për mua në Itali.

Ajo që unë dhe ekuipazhi i “Sea-Ëatch” bëmë  ishte një gjë relativisht e vogël. Një moment solidariteti me ata që përballen me një kërcënim të menjëhershëm për jetën e tyre. Është vetëm mendim i mëvonshëm që do të bija dakord ta quaja simbolike. Ajo tregon hipokrizinë e qëndrimit të BE-së për migracionin, por gjithashtu shprehet me guxim se çfarë lloj të ardhmeje duam: e ardhmja e barazisë globale, solidaritetit dhe drejtësisë.

Duke punuar në anije kërkimore, kam parë efektet e ngrohjes globale drejtpërdrejt në natyrë. Por ndërsa punoja si vullnetare për Sea-Watch, unë kam parë një paraqitje të shkurtër të asaj çfarë mund të mbajë e ardhmja për miliona – madje edhe miliarda – njerëz. Gjithmonë ka nga ata që ose prodhojnë katastrofë ose përfitojnë nga ajo për të fituar pasuri dhe fuqi. Kriza klimatike do të shkaktojë katastrofa që mund të ndihmojnë tiranët dhe fashistët të marrin drejtimin. Ne duhet të bëjmë atë që mundemi për t’i ndaluar ata të fitojnë terren në Evropë.

Nuk është e mjaftueshme për evropianët të duartrokasin ata që sfidojnë ideologjinë e “Fortress Europe ideology“. Ne nuk do të ndryshojmë asgjë përmes mbështetjes pasive – të gjithë duhet të jemi aktiv në kërkimin dhe krijimin e së ardhmes që duam. Bashkohuni me lëvizjet aktiviste për të kërkuar veprime mbi ndryshimet klimatike. Ulni lëshimit e dyoksidit të karbonit – në mënyrë dramatike. Ndihmoni migrantët dhe refugjatët tashmë në vendin tuaj që të integrohen në shoqërinë tuaj. Mbështetni organizata të tilla si Sea-Watch sido të keni mundësi. Dhe flisni kundër – dhe votoni kundër – politikës së urrejtjes dhe ndarjes

Si qytetar gjerman, unë kam privilegjin të rrezikoj arrestimin pa frikë se do deportohem në një vend të rrezikshëm ose të lihem të mbytem në det. Por si gjermane kam edhe një mendim tjetër. Shumica prej nesh pyesin se çfarë do të kishim bërë në vitet 1930, pasi retorika raciste u shndërrua në politika raciste dhe, përfundimisht, gjenocid. Veprimet e mia me Sea-Watch, shpresoj, tregojnë se çfarë do të kisha bërë sikur të isha gjallë atëherë. Pyetja që kam për ju është: çfarë do të bëni ju tani?

*Carola Rackete është një kapitene në një anije gjermane dhe vullnetare në organizatën “Sea-Watch”

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *