Citizens.al

Kopshti Botanik: Universiteti fiton betejën e parë gjyqësore

Seanca gjyqësore e radhës mes Universitetit të Tiranës si palë paditëse dhe qeverisë u zhvillua ditën e sotme në orën 12:00 dhe u përmbyll me vendimin se padia është legjitime dhe çeshtja tashmë mund të kalojë në gjykim. Ky vendim bazohet në Ligjin Nr.80/2015 për Arsimin e Lartë që i garanton universitetit autonomi të plotë. Bashkia Tiranë kishte kërkuar më herët që padia e Universitetit të Tiranës të mos pranohej. Në seancat e ardhshme do të përcaktohet nga gjykata nëse kopshti botanik do t’i kalojë bashkisë apo do të qendrojë pronë e Universiteti të Tiranës.

Sipas ligjit nr 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, neni 3/pika 3/D garanton autonominë e Universitetit të Tiranës dhe i garanton institucionit lirinë e plotë për të administruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që ka në pronësi.

Gjatë zhvillimit të kësaj seanca, studentë dhe pedagogë u mblodhën para Gjykatës dhe qëndruan aty deri në përfundim të saj. Alfred Mullaj, pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës tregon për Citizens Channel pse ai kopsht duhet t’i qëndrojë në pronësi Universitetit të Tiranës.

Është një laborator në natyrë i studentëve të biologjisë, jo vetëm i FSHN-së por i të gjithë universiteteve të rretheve, të Gjirokastrës, Shkodrës.  Ata vijnë e bëjnë praktikat në terren për njohjen, sepse ka një florë të pasur, 1600-1700 specie së Shqipërisë të introduktuara brenda Kopshtit botanik“, shpjegon ai.

Mullaj krahason më tej Shqipërinë me shtetet e tjera dhe informon se kopshte të kësaj natyre ruhen dhe mbrohen pikërisht për vlerat që mbartin në aspektin studimor dhe shkencor.

Kopshti botanik në Shqipëri është objekt unikal që i përket Universitetit të Tiranës. Kroacia ka katër kopshte botanike, një shtet si Franca po them, mund të ketë 50-60 kopshte botanike. Ne një kemi dhe atij duan t’ia heqin atë emër që ka“, arsyeton më tej zoti Mullaj.

Shqipëria evropiane pa kopsht botanik”, është mesazhi i shkruar ne pankartën e një studenteje, e cila shprehet: “Ne na nevojitet një kopsht botanik dhe jo një park argëtimi. Është i vetmi vend ku studentët e shkencave të natyrës, sidomos dega e biologjisë mund të bëjë praktikë. Ka bimë endemike që nuk gjenden në rajone të tjera të Shqipërisë. Studentët nuk i besojnë më termave për rinovim ambienti dhe premtimeve e fjalëve  boshe, pasi e kemi parë tashmë çfarë është bërë me ambiente të tilla. Janë kthyer në parkingje e janë ngritur kulla”.

Po të njëjtin qëndrim ndan edhe Kristiana Mano, ish-studente e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe aktiviste e lëvizjes Për Universitetin. Ajo ndan përvojat personale dhe rolit që ka pasur Kopshti Botanik gjatë viteve të saja universitare.

Megjithëse i kam mbaruar studimet, vazhdoj të jem natyrisht e interesuar edhe sepse e di rëndësinë që ka kopshti botanik për FSHN-në. Ne aty kemi zhvilluar lëndë kryesisht të profilit të botanikës, vetë ai vend për studentët e shkencave të Natyrës ka qenë pjesë e fakultetit dhe është jashtë çdo sensi logjik që të përdoret nga kushdo ent tjetër“, tregon Kristiana për Citizens Channel.

Mano shprehet dyshuese ndaj aftësive menaxheriale që mund të zotërojnë persona të jashtëm të cilët nuk janë pjesë e profesionistëve që i kanë shërbyer prej vitesh Kopshtit Botanik.

Ka dëmtime në parqe që po rikonstruktohen në brendësi të Tiranës. Në parkun Rinia kanë prerë pemë pa lidhje thjesht sepse ideja e tyre është, në një farë mënyre, jo shumë afër natyrës dhe sesi funksionon ajo“, përfundon ajo.

Në protestën para administratës, si pjesë e stafit akademik ka marrë pjesë edhe pedagogia dhe ish deputetja e kuvendit të Shqipërisë, zonja Mimoza Hafizi e cila është shprehur kundër këtij vendimi për kalimin e kopshtit në pronësi të Bashkisë.

“Nuk jam dakord dhe do rezistojmë studentë e pedagogë bashkë që ky akt grabitjeje të mos realizohet. Duke parë që çdo sipërfaqe është mbjellë me pallate në Tiranë, nuk dyshoj në qëllimin që ekziston për kopshtin botanik. Duhet të mbrojmë vlerën e universitetit që është ngritur me dekada. Ne rezistojmë dhe nuk duam të lejojmë që ky kopsht të tjetërsohet. Vështirë të them se kam besim te gjykata, por më pëlqen fakti që ka rezistencë“.

*Citizens Channel/E.k/E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *