Citizens.al

Të mallkuar në mes të fushave me “ar të zi”

Autore: Fatmira Bajrami/Citizens Channel 

Në gusht të këtij viti, 68 vjeçarja N.K. nga fshati Zharrës humbi jetën. Sipas njoftimit të policisë ajo ishte duke ushqyer shpendët dhe nga pakujdesia ka rënë në një nga gropat e hidrokarbureve.

Aksidenti tragjik që i mori jetën të moshuarës ndodhi në zonën naftëmbajtëse të qarkut Fier, ku gjenden rreth 1480 pellgje të tilla me mbetje të naftës, të shtrira në një sipërfaqe prej 95 hektarësh.

Video: Kryetari i Shoqatës Ambientaliste Zharrëza shpjegon situatën problematike të zonës


“Gropat me mbetje hidrokarbure të naftës pranë banesave po thithin edhe njerëz jo vetëm shpendët dhe mbeturinat që bien aty… Nga Zharrëza jonë ishte ajo që u mbyt në gropë të serës, tek gropat e Bankersit”, tregon Tajar Hajdini, banor i zonës.

Në zonat e Marinzës, Belinës dhe Zharrëzës, nafta është kthyer në një vrasës të heshtur që ndot ujin, tokat dhe ajrin e banorëve të dënuar të jetojnë aty. Jemi fund të  muajit  tetor 2019 , dhe  rrezet e para të diellit  mezi depërtojnë nën perden e ndotjes. Mëngjeset dhe mbrëmjet janë koha kur presioni i ajrit bie dhe ndotja ndihet më shumë.

Qani Rredhi, kryetar i Shoqatës Ambientaliste Zharrëza shpjegon se këto gropat dhe kanalet e hidrokarbureve lëshojnë gazra të rrezikshme për shëndetin dhe shkrirja e tyre dëmton rëndë bimësinë. Ai tregon se askush nuk i ka mbështetur në përpjekjet për të përmirësuar situatën: “Disa herë i jemi drejtuar kompanisë AlbPetrol  me një projekt konkret për pastrimin e këtyre zonave të ndotura, kryesisht kanaleve që vetëm për njësinë administrative Zharrëz janë 8700 metra linearë. Na thanë që u miratua projekti juaj, por nuk shikojmë të bëhet asgjë konkretisht” .

Banorët shprehen se situata  është më e vështirë natën , ku retë e zeza të tymit pushtojnë banesat e tyre dhe mbetjet të rrezikshme derdhen në lumenj. Ajri depërton pas dritareve të mbyllura kur puna vazhdon pa orar, ndërsa banorët dhe institucionet përgjegjëse flenë, por industria naftë nxjerrëse jo.

Prodhimet bujqësore, të “damkosura” për shkak të ndotjes


Fermerët në zonën e Myzeqesë prej kohësh protestojnë duke hedhur prodhimet në rrugë për mungesë të tregut dhe ndihmës nga shteti. Por situata është edhe më e rëndë për familjet e zonave nafte nxjerrëse, pasi prodhimet e tyre janë shpesh të paragjykuara për shkak të ndotjes së tokës.

“Të shesësh diçka këtu në Zharrëz, nuk e tregton dot. Edhe qumështi që shesin fshatarët, po të shkosh të thuash jam nga Zharrëza, nuk ta marrin”, tregon Dylber Karafili, ish-mësues i zonës.

Tajar Hajdini tregon se shkaktarë të ndotjes janë pikërisht kompanitë që administrojnë hidrokarburet: “I kemi në shtëpi perimet, po të dalësh nga fushat e fshatarëve e shikon se çfarë ngjyre marrin, ngjyrë të bardhë nga pluhuri që ngre Bankersi”

Shtëpitë e rrënuara nga gërmimet për naftë 


Muret e brishta të shtëpive të Zharrëzës janë një tjetër problem për banorët e zonës, veç ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës. Që prej vitit 2008, injektimet e ujit teknologjik në puset e naftës nga kompania Bankers Petroleum shkaktonin tërmete çdo natë. Në vitin 2016 këto lëkundje ndaluan, duke lënë pas 57 shtëpi në gjendje të pa banueshme.

“Kam 3 vjet e kusur në këtë dhomë këtu. Kam frikë të rri brenda, kur ra tërmeti atë ditë dola jashtë me tmerr të madh. Flemë me frikë të madhe”, tregon Myfarete Hoxha e cila banon në një dhomë me mure të krisura që mbahen prej një skele hekuri të lidhur në tavan.

Ende sot,  këta banorë nuk i kanë marrë dëmshpërblimet, pavarësisht se ka një Vendim Këshilli Ministrash që e detyron kompaninë të paguajë 60% të vlerës së dëmtimit. Kompania private ende nuk ka pranuar përgjegjësinë për tronditjet dhe ende nuk ka një vendim gjyqësor që e detyron të paguajë.

“Asnjë kokërr leku dhe nuk na japin asnjë farë përgjigje. Kush është ky Bankres, ky na groposi, me plasje, helme me dreq e me të bir dhe kur vjen si përfundim nuk pranon asgjë”, shprehet Qazim Toska, banor i Zharrëzës.

*Redaktor-Lorin Kadiu/Citizens Channel 

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW