Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kostot e tërmetit/Anulimi i PPP-ve në arbitrazh mund të falimentojë shtetin Shqiptar

Autore: Klaudja Karabolli/Citizens Channel 

Tërmeti i 26 nëntorit la pas një bilanc tragjik të jetëve njerëzore dhe kostove financiare. Në një kohë kur ende nuk kemi një shifër të saktë për dëmet e shkaktuara, gjithmonë e më shumë po propozohet anulimi i kontratave koncensionare me Partneritet Publik Privat.

Në versionin e fundit të Projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020” të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, parashikohet se vlera e PPP-ve mund të arrijë deri në 37.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë draft nuk ka një parashikim për numrin e kontratave me PPP, të cilat mund të lidhen përgjatë vitit kalendarik.

Pas Milot- Balldren dhe Orikum- Dukat, nuk do të nënshkruhen më kontrata koncesionare me PPP për ndërtim rrugësh. Qeveria kufizoi ligjin pas rekomandimeve të përsëritura të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të mos pranuar ofertat e pa kërkuara. Por mundësitë për kontrata të reja janë të hapura në të gjithë sektorët e tjerë.

Përgjatë 2019, institucionet më të mëdha ndërkombëtare financiare kanë ngritur alarmin për rrezikun e lartë nga kontratat e PPP-ve, por ekspertët e ekonomisë sqarojnë se anulimi apo prishja e këtyre kontratave nga njëra palë mund të jetë falimentuese për shtetin shqiptar. Në rastet e investimeve të mëdha, kompanitë private preferojnë që për zgjidhjen e kontratës të gjykohen në arbitrazh.

Shqipëria rrezikon të paguajë 58 milionë dollarë në arbitrazh vetëm për koncesionin e parkingjeve të Vlorës. Kompania koncesionare “Tis Park” ka paditur Bashkinë e Vlorës në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit për prishje të njëanshme të kontratës, duke kërkuar një dëmshpërblim nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Drejtoresha e Open DataAlbania, Aranita Brahaj thotë se janë të pakta kompanitë, të cilat zgjedhin gjykatat shqiptare për zgjidhjen e kontratave me shtetin.

“Kontratat e mëdha zgjidhen në arbitrazh, kryesisht ato me kontraktor të huaj. Dy palët përcaktojnë qartë edhe se cilën dhomë arbitrazhi do të ndjekin dhe me sa gjyqtarë do të gjykohen. Pak kompani shkojnë në gjykatat shqiptare për zgjidhjen e kontratave me Partneritet Publik Privat”, thotë Brahaj.

Aranita Brahaj – Drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencës

Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve në një korrespodencë me Citizens Channel thotë se në arbitrazh shkojnë edhe mosmarrëveshjet mes një autoriteti dhe një koncesionari, të cilat nuk zgjidhen brenda afateve të përcaktuara.

Në një raport të fundit të Eurodad (Rrjeti Evropian mbi Monitorimin e Borxhit) thuhet se çdo PPP i studiuar është më i rrezikshëm për shtetin sesa për kompanitë private të përfshira, pasi sektori publik kërkohet të hyjë dhe të marrë kostot kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Alarmin për risqet e kontratave PPP e ka ngritur edhe Banka Botërore, e cila ka kërkuar nga qeveria një menaxhim më të mirë.

“Shqipëria ka një portofol të konsiderueshëm prej 200 PPP-sh. Ky portofol në rritje shoqërohet me problemin e risqeve të mundshme fiskale, që rrjedhin nga kontratat e PPP-ve. Prandaj është jetike që Shqipëria të vijojë ta forcojë kuadrin e menaxhimit të PPP-ve, gjë që do të trajtonte risqet fiskale”, thotë Banka Botërore.

Pamundësia për të dalë nga “ngërçi” PPP 

Ende pa goditur Shqipërinë tërmeti i 26 nëntorit, politikanë të qendrës dhe opozitës publikisht kanë artikuluar mundësinë dhe zotimin për anulimin e kontratave koncesionare me PPP. Por kjo sipas ekspertëve është e pamundur, pasi zgjidhja e kontratave në bllok nga shteti nënkupton automatikisht një kosto të madhe për buxhetin. Përjashtohen rastet kur kompanitë mund të jenë në shkelje të kontratës dhe shteti mbyll marrëveshjen me këtë argument. Lehtësuese mund të jenë rastet kur në shenjë solidariteti me fatkeqësinë natyrore që tronditi Shqipërinë, kompanitë private të ndërpresin kontratat po e dërguar çështjen në arbitrazh.

Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj thotë se gjobat ndaj Shqipërisë në rastin e anulimit të kontratave koncesionare mund të kalojnë edhe vlerën e gjithë investimit të parashikuar.

“E pa mundur që kontratat PPP të anulohen me një të rënë të lapsit. Sepse çdo kontratë që bëhet ka disa penalitete, janë disa klauzola edhe pse të shkruara me të vogla që parashikojnë se nëse kontrata ndërpritet nga shteti paguhet një gjobë shumë e madhe, e cila shpesh herë tejkalon edhe pagesën për funksionimin e partneritetit”, thotë Danaj.

Vjodli Danaj – Ekspert Ekonime

raportet e FMN, theksohet se Ballkani është modeli më i keq në zbatimin e kontratave koncencionare sipas formës së Partneritet Publik-Privat (PPP), por Shqipëria rrezikon më shumë pasi qëndron në krye të listës me volumin më të madh të këtyre kontratave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

FOTO: Nismat PPP në Ballkanin Perëndimor sipas studimit të fundit të FMN

Risqet e shtuara të PPP-ve

Banka Botërore ka kërkuar më tepër transparencë për kontratat me Partneritet Publik Privat dhe po ashtu një analizë kosto- përfitim, në mënyrë që të shmangen risqet financiare.

Edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020 ka paralajmëruar se projektet me partneritet publik privat (PPP) shtojnë rreziqet për qeverinë pasi janë dhënë pa konkurrencë. BERZH  ngre alarmin se PPP sjellin kosto sociale të madhe në raport me madhësinë e projektit.

Edhe pse nën një presion të madh nga institucionet më të mëdha financiare, qeveria shqiptare nuk ka prezantuar ende një plan për të rishikuar kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat dhe as analizë risku. Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2020, institucionet e vendit janë pyetur edhe për kontratat koncesionare, kryesisht në shëndetësi, të cilat nuk kanë funksionuar, por qeveria është shprehur e vendosur për të vijuar më tej me projektet si një mënyrë e mirë për të garantuar shërbime të cilat vetë autoritetet publike nuk i financojnë dot në masën 100%.

Eksperti i financave, Vjoldi Danaj thotë se vetëm një studim i hollësishëm i marrëveshjeve mund të çojë në një anulim të favorshëm për shtetin të kontratave me PPP.

 “Duhet një studim i kontratave nga ana ligjore dhe të krahasohen me Kushtetutën tonë. Nëse gjendet një shkelje apo dëmtim i pronës publike apo ekonomisë që do të ndikojë brezat e ardhshëm atëherë shteti ka mundësi ta ndërpresë kontratën. Zakonisht privatët janë kujdesur të mos ketë gabime dhe të mos kapen ‘mat’ nja një qeveri tjetër”, thotë Danaj.

Teksa PPP nuk llogariten si pjesë e borxhit publik, mbetet për tu parë nëse institucionet financiare vendase do të përdorin instrumente fiskalë për të rritur kontrollin apo për të parashikuar risqet e mundshme nga zbatimi i kontratave me Partneritet Publik Privat. Burimet pranë mazhorancës mohojnë mundësinë e anulimit të kontratave, që paratë t’i kalojnë qytetarëve të prekur nga tërmeti. Mbetet për tu parë zgjidhja për një faturë të majme financiare që do të ndikojë jetën e gjithë shqiptarëve.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 

Rekomandimi i Bankës Botërore për menaxhimin e riskut të PPP në Shqipëri

http://blogs.worldbank.org/ppps/getting-service-delivery-right-albania-through-effective-ppp-monitoring

Rreziqet nga PPP sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar

https://www.imf.org/en/News/Articles/2019/05/06/mcs-050619-albania-staff-concluding-statement-second-post-program-monitoring-mission

Raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2019-20 për Shqipërinë

https://2019.tr-ebrd.com/countries/#

Monitorimi i Eurodad për kontratat PPP

https://eurodad.org/HistoryRePPPeated

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *