Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Dialog e solidaritet me minatorët e Bulqizës

Qendra sociale “Logu i Shkëndijës” priti dje dy  minatorët e Bulqizës që janë pushuar nga puna në muajin nëntor, disa ditë pasi shpallën krijimin e sindikatës së re, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Në formë solidariteti, të gjithë të pranishmit ishin të ftuar të kontribuonin, në bazë të mundësive financiare, për të ndihmuar minatorët që muaji dhjetor i gjeti të papunë.

Përpara se takimi të fillonte, grupe të vogla të rinjsh jetësuan oborrin, ku nisën dhe bisedat për probleme të jetës së përditshme, përpara se fjalën ta merrnin minatorët, Elton Debreshi dhe Beqir Duriçi, që për rreth një orë rrëfyen historinë e gjatë të rezistencës dhe vuajtjes që kanë parë sytë e tyre.

Në nisje të fjalës së tij, Debreshi tregon se shumë prej minatorëve të tjerë kishin dëshirë të ishin të pranishëm në këtë takim, por si pasojë e kërcënimeve dhe situatës së tensionuar në Bulqizë pas grevës disa ditore, ata nuk e kishin të mundur të ishin pjesë.

Ai kujton si lindja e sindikatës u prit me shumë entuziazëm nga minatorët dhe qytetarët e Bulqizës ditën e shpalljes së  saj në sheshin e  qytetit.

“Gjithçka shkoi shumë mirë, qyteti ishte i gëzuar, minatorët na mbështetën dhe ishim edhe ne pothujse shumë të gëzuar sepse pritshim diçka“, shprehet Eltoni, kryetari aktual i sindikatës.

Brenda pak ditësh, Debreshi u thirr në zyrat e kompanisë Albchrome, për të disatën herë që nga koha kur kishte nisur të mblidhte firmat për krijimin e sindikatës. Këtë herë, ai mori lajmin se për arsye të shkeljes së etikës, kompania do t’i ndërpriste marrëdhënien e punës.

Je fut në 7 pa 5, ke dalë në 3 pa 5, punë minutash, ishte ba mbledhja dhe gjashtë muajt e fundit më dilshin mua 4 orë e ca minus dhe kjo ishte arsyeja, shkelje e etikës në punë, që më përjashtun nga puna“, shpjegon ai, teksa tregon se shkaku fillestar i zhvillimit të këtij takimi ishte mungesat e pajustifikuar në punë, për të cilat Debreshi kishte marrë raport mjekësor.

Ky largim nga puna i revoltoi minatorët e tjerë, të cilët e panë të padrejtë këtë vendim të kompanisë dhe vendosën të dalin në grevë, duke shtuar si kërkesë kthimin në punë të kryetarit të sindikatës.

Shokët e mi u revoltun ç’është e drejta, sepse të pushosh një person nga puna në mënyrë barbare, të kontribuosh në atë galeri, të sakrifikosh jetën, të nxjerrësh njerëz që kanë humb gjymtyrë e kanë humb jetën aty… për neve ishte më shumë turp sesa pushim prej pune”, rrëfen ai.

Ata nuk lënë pa përmendur situatën aktuale të qytetarëve të atij qyteti, që edhe pse i pasur në burime tokësore,  nuk u mundëson dot banorëve një jetë dinjitoze.

“Të jetosh në Bulqizë, ardhshi e ja kalofshi shnosh e mirë, pini një gotë ujë se e kemi ujin e mirë, po gja tjetër ne nuk kemi atje. Se qyteti është shumë i varfër, populli është i varfër. Shumë familje kanë humb prindërit, dikush ka humb babën, dikush ka humb burrin, edhe gratë kanë rreziku jetën, janë me dhjetëra gra që për të ushqy familjen kanë humb jetën, jo në galeri por nëpër shtigje duke mbledh krom“, rrëfen ai.

Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe, ne jetojmë në Bulqizë dhe jetojmë për bukën e gojës”, vijon Debreshi, teksa tregon se ka katër fëmijë për të mbajtur që i puthte çdo ditë para se të shkonte në punë, nga frika se të nesërmen nuk do mund ta bëjë dot më.

Unë jam minator, babin e kam pas minator, edhe gjyshin minator. Jam brezi i tretë që punoj në atë galeri. Dhe i dimë shumë mirë hallet sepse në familjet tona nuk ka muhabet tjetër. Veç galeria, rroga, minatori, kush u vra, kush shpëtoi, kush erdhi, kush shkoi. Në Bulqizë nuk diskutohet kafe e më the e të thashë. Atje ka vetëm norma, puna, rroga. Vetëm fundviti, por edhe në fundvit themi pse nuk e morëm rrogën e 13-të që të festojmë Vitin e Ri” artikulon kryetari i sindikatës.

Eltoni thekson mungesën e investimeve nga ana e kompanisë Albchrome dhe dështimin e sindikatës ekzistuese ndër vite për të përfaqësuar nevojat dhe kërkesat e minatorëve. Kushtet e vështira mund t’u kushtojnë atyre jetën, përmend ai.

Mbase ju e dini shumica çfarë do të thotë hidrogjen, që hidrogjeni është një bombë atomike. Ne jetojmë, punojmë mbi atë gaz që larg qoftë, në qoftë se ai gaz shpërthen atje në galeri, atje hapet një mortje e madhe. Samir Mane do thotë ‘Obobo më humbi kromi’, ndërsa minatorët e Bulqizës humbin familjen“, përmbyll fjalën e tij Eltoni, për të vijuar më pas me pyetjet e pjesëmarrësve.

Sa paguheni ju?“, pyet minatorët një nga të pranishmit. “350 euro minimumi, maksimumi shkon 420 euro“, i përgjigjet Beqir Duriçi, pjesë e Këshillit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Ata përmendin që në këtë rrogë përfshihet një trajtim i cili jepet bashkë me rrogën dhe si i tillë tatohet. Kur është kërkuar që ajo pjesë të mos tatohet kjo kërkesë nuk është mirëpritur. Duke përllogaritur edhe trajtimin, minatorët pohojnë se rroga shkon tek vlera 50.000 lekë.

Minatorët nga Kina, shkak për  krijimin e sindikatës së re

Nisma jonë me thanë të drejtën u ba, si me thanë, budalliku edhe i ktyne. Se me hapjen e thellësisë së pusit, ky ka marrë edhe ia dha një kompanie kineze. Edhe dashje pa dashje ishim paralel aty në punë. Pothuajse i njëjti profil, edhe përballeshim me këto kinezët. Sa i thosha unë merr ti lekë? Lekë se kuptonte ai dhe i basha shenjën e dollarit. Më shkrunte ai mu, 1500 dollarë. Ia shkrusha 150 dollarë. Ai i vinte kryq. Kur e shkruajta 1500, bënte OK [shenjën]. Po ti më thoshte mu? Unë i thosha marr 350 dollarë. Kjo ishte me një fjalë ajo që na shtyu më shumë, se një profil pune, ata ishin shumë lart në krahasim me ne kur në një kohë kromi prodhohet aty tek ne në Bulqizë e vjen Kina e paguhen ma mirë se ne“, rrëfen Duriçi gjatë asaj mbrëmjeje.

Zoti Beqir tregon se në fakt sindikata gëzon mbështetjen e të gjithë minatorëve, edhe të atyre të cilat nuk shprehen dot haptazi pro tyre.

Aktualisht ne kemi 350 firma që i kemi marrë, anëtarësime të punëtorëve. Edhe 300-ja tjetër është pro me ne, por pozicionet e punës që i kanë të lehta disi, edhe janë edhe pak mosha, 45 e sipër, që edhe mosha të tradhton në një moment”, vijon ai teksa e di se presioni është arsyeja kryesore pse nuk është bashkuar edhe pjesa tjetër.

Janë me ne ato, mirëpo presionet që u bahen- se në momentin e parë që e marrin vesh që për shembull Beqiri është anëtarësu me Eltonin, më thirrin mu ‘Hajde këtu o karafil, pse u anëtarësove me atë? Ik ti!’ Se ta bin emrin këtu, tek i madhi pasha“, sqaron ai teksa shpesh fjalët e tij ngjallin mjaft humor tek mbështetësit e pranishëm.

Beqir Duriçi e shikon bashkimin si zgjidhje për të luftuar padrejtësitë e ushtruara ndër vite ndaj minatorëve.

Po të bëhemi të gjithë së bashku, siç ka thënë edhe Skënderbeu, një thupër thyhet, e shumë nuk thyhen. Se unë nuk jam as pronar, as kryetar sindikate, unë jam punëtor si ata. Ama të gjithë së bashku të ngrihemi për një qëllim, t’i bëjmë bllokim prodhimin, s’ka çfarë bën Samir Mane, se me pru këto administratën që ka këtu me nxjerrë krom… mesa kam pa unë, ata i kishin duart për t’i ra pianos“, përfundon zoti Beqir, fjalët e të cilit priten me duartrokitje nga të pranishmit.

Duke iu rikthyer punës së  minatorit, Debreshi rrëfen se ajo është e ekspozuar ndaj kushteve shumë të vështira.

Pensionistë Bulqiza me thënë të drejtën nga miniera ka shumë pak, sepse s’jetojnë. Me gazrat që ka në galeri , me pluhrat, me lagështirën, me vuajtjen që kanë heq ne galeri, në kohën që janë në pension, jetojnë dy tre vjet edhe vdesin. Çdo pensionist që është në Bulqizë, që ka dalë në pension, mund të shesi fara, çaj mali, që i kemi neve ose noj bimë kshu, duhan, vjen merr duhan këtu sepse se përballon dot, aq pension sa marrin“, thekson Debreshi.

Pushimi i minatorëve po ndiqet nga ana ligjore

Redi Muçi, aktivist i Organizatës Politike dhe njëkohësisht mbështetës i kauzës së minatorëve, tregon se pushimi i Debreshit dhe Duriçit po ndiqet nga Inspektorati i Punës.

Tani, sa i përket anës ligjore, kemi nisur procedurat për ta ndjekur çështjen në gjykate sepse kjo është flagrante si shkelje. Dua ta lidh çik me takimin që patëm më Inspektoratin e Punës ditën e tetë të grevës. Me këta përfaqësues, u tha që vendimi i kompanisë ishte që nuk e njihte sindikatën“, shpjegon Muçi.

Dhe pa u kuptuar u debatua mbi dy orë aty, ajo përfaqësuesja kryesore e Inspektoratit u ngrit e tha: ‘Tani, tha që të flasim hapur të gjithë këtu tha, se u lodhëm duke dhënë argumenta tha, po ta pranojmë diçka. Arsyeja pse jemi në këtë situatë dhe pse jemi ulur në këtë tavolinë është sepse nuk keni informuar kompaninë për ekzistencën e sindikatës’“, artikulon më tej ai, duke dhënë detaje nga takimi i tyre me Inspektoratin e Punës.

Lidhur me pyetjen se si do vijojë situata, Muçi shprehet se tashmë pushimi i minatorëve është çuar në gjykatë dhe po ndiqet si çështje në aspektin ligjor.

*Citizens Channel/E.N/ E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *