Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë, zerohen tarifat për fëmijët rom dhe egjiptian në kopshtet dhe çerdhet shtetërore

Që prej vitit 2017, aktivistë në mbrojtje të komunitetit Rom dhe Egjiptian, janë angazhuar në heqjen e tarifave shtetërore për regjistrimin e fëmijëve nga këto grupe në çerdhet dhe kopshtet shtetërore.

Heqja e pagesave u miratua në muajin dhjetor 2019. Lajmi u bë i ditur nga qendra Treja, ku u përcoll njoftimi se Bashkia Tiranë ka përfshirë fëmijët romë dhe egjiptianë në kategorinë e familjeve në nevojë dhe kësisoj përfitojnë shërbime pa pagesë në çerdhet dhe kopshtet publike.

Sipas të dhënave të publikuara tek fëmijëtetiranës.al tarifa e garancisë për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe shtetërore ka vlerën e 2860 lekëve, ndërsa për kopshtet është 3520 lekë. Gjithashtu, fëmijët që ndjekin këto institucione duhet të paguajnë, përkatësisht 130 lekë/dita në çerdhe dhe 160 lekë/dita nëse frekuentojnë kopshtet shtetërore.

Familjet e komunitetit rom dhe egjiptian e kanë mirëpritur vendimin e Bashkisë Tiranë për t’i zeruar këto tarifa dhe shprehen se kjo do u krijojë shumë lehtësira. 

Nga mospagesa nuk e kam çuar djalin në çerdhe. Shkoja për shembull ta regjistroja djalin, ato duan pagesë muaj për muaj po unë nuk kam [lekë] për ta bërë pagesën”, shprehet për Citizens Channel nëna e një fëmije dy-vjeçar, pjesë e komunitetit, e cila deri tani është detyruar ta mbajë fëmijën në shtëpi për shkak të pamundësisë ekonomike.

Ajo shton se djali i saj e ka përjetuar keq pamundësinë për ta ndjekur me bashkëmoshatarët çerdhen shtetërore.

Ai e ka shumë qejf, shikon ata kalamajt dhe ma bën ‘Mami, më ço tek topshti’. Qante, u përplaste, më ço tek kalamajt”, vijon më tej zonja, e cila ndjehet e lehtësuar se tashmë do ta ketë të mundur dërgimin e djalit në atë institucion. Ajo bën me dije se pasi të regjistrojë fëmijën, do fillojë menjëherë punë.  

Ndjehem shumë mirë, normale e kam fëmijën të siguruar në çerdhe, dal nga puna, shkoj marr djalin, shkoj në shpi bëj gjellën, ato ça kam për të bërë, jam më mirë. Pastaj, atje ka edhe ushqimin”, përfundon ajo.

Si ka nisur organizimi për të hequr tarifat shtetërore për komunitetin rom dhe egjiptian?

Nevoja për të hequr tarifat ka lindur prej shumë prindërve të cilët, në pamundësi për të paguar, detyroheshin t’i mbanin fëmijët në shtëpi. Ky proces për ata ishte pengues në shumë aspekte, pasi nuk mund të kërkonin punë, duke ua rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike.

Aktivistja Alma Jashari, tregon për Citizens Channel si ka nisur i gjithë procesi i mbledhjes së firmave për këtë problem. 

Kemi dalë në terren me disa vajza të tjera, kemi marrë disa firma nga banorë, jo vetëm romë dhe egjiptianë por edhe të mazhorancës. Kemi mbledh 2000 firma. I kemi sqaruar, i kemi marrë, ishin dakord, me kartë, me emër, mbiemër, me firmë. I kemi marrë, kemi dalë në terren, kemi mbledh letrat, ia kemi dorëzuar kush është ajo më e madhja”, shprehet Jashari e cila tregon se ka gjetur mbështetjen e institucionit të Komisionerit Kundër Diskriminimit dhe punonjësve të Bashkisë.

Të pyetur rreth diskriminimit, Jashari shpjegon se ende fëmijët e komuniteteve bie pre e paragjykimit dhe ndasive shoqërore.

Tek kopshti ‘Pinoku’ e kemi një çikë të vështirë. Atje nuk edhe shumë romë, ka më shumë nga mazhoranca, dhe kur shkojmë aty ndjehemi pak të diskriminuar nga drejtoresha e kopshtit, nuk na sqaron mirë”, denoncon Alma duke rrëfyer rastin e ndodhur para pak muajsh.

Para tre-katër muajve e kam cuar një fëmijë në çerdhe, [drejtoresha] na tha do i bëni komplet letrat dhe do m’i sillni mua. Në momentin që i kemi bërë letrat me një aktiviste të komunitetit rom, e sqaruam, është e aftë ta paguajnë kopshtin dhe parapagimin, edhe mund ta vëjë fëmijën në çerdhe se ia kanë ofruar punën. Në momentin që vajta me nënën e vajzës që donte të regjistrohej, ajo ngeli duke parë atë dhe tha ‘Keq më vjen po nuk ka vende’”, kujton ajo teksa bën me dijë se ka reaguar ndaj refuzimit të drejtoreshës për të proceduar më tej me regjistrimin e fëmijës.

I thashë unë: ‘Si s’ka vende? A më the mua mblidhi letrat, dokumentet? Urdhëro t’i kam sjellë. Unë të kam ardh në një qershor, çerdhja ka kohë, fillon nga shtatori, unë letrat po t’i sjell para kohe. Për ça nuk ka vende apo ka diskriminim? E shikon që është rome?’”, shpjegon Alma Jashari teksa rrëfen se regjistrimi është kryer dhe tashmë fëmija ka mbaruar çerdhen dhe po ndjek kopshtin pranë atij institucioni.

Jashari njofton se ky lehtësim ekonomik do ketë impakt pozitiv veçanërisht tek nënat e komunitetit rom dhe egjiptian.

Edhe nënat nuk mbeten të papuna. Në momentin që sigurojnë fëmijën në kopsht apo çerdhe, ato mund të shohin për naj punë. Se kur jemi gjithë ditën më fëmijën në shtëpi, edhe punë nuk kërkojmë dot edhe detyrohemi pastaj rrimë me fëmijët”, përmbyll ajo.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *