Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Antenat e celularëve; Shqiptarët të pambrojtur nga rrezatimi jo-jonizues

Autore: Nikoleta Kovaçi | Citizens Channel

Kjo antenë që shikoni në foto është në tarracën e një pallati në zonën e Kasharit. Pallati është 6 katësh dhe vendi rreth e rrotull tij është i mbushur me ndërtesa të tjera që kanë të njëjtën lartësi, apo edhe me shtëpi private. Banorët e tij kanë reaguar ashpër disa herë. Askush nuk i ka përfillur e për pasojë ata vazhdojnë të bashkëjetojnë me antenën që sipas tyre është e rrezikshme. Ata vijojnë t`i dërgojnë letra Qeverisë, Avokatit të Popullit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asnjëherë nuk marrin një përgjigje. Thonë se e kanë më frikë se sa tërmetin, pasi antena është aty prej disa vitesh. Nuk dinë të shpjegojnë se përse e kanë frikë, pasi askush asnjëherë nuk iu ka shpjeguar asgjë në lidhje me rrezatimin, por ata mendojnë se bëhet fjalë për një rrezatim të rrezikshëm që iu kërcënon jetën çdo ditë.

Në fakt, askush s`ka bërë matje, askush nuk ka folur publikisht në lidhje me rrezikshmërinë apo sigurinë që paraqesin pranitë në tarracat e pallateve të këtyre antenave, por autoritetet mjaftohen me ca të dhëna që iu serviren mediave si matje në disa rrethe të vendit, ndërkohë që nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimi (ZMR) është pranuar, pak muaj më parë, se nuk kanë jo vetëm një matës konkret, pra aparaturë, por ka mangësi edhe në staf për të bërë të mundur realizimin e një matjeje të saktë. Por autoritetet, që në krye të herës, që daton me startin e instalimit të tyre në tarraca pallatesh, ndërtesash e banesash, e deri më sot, nuk kanë bërë asnjë inspektim serioz, të dhënat e të cilit të jenë publikuar apo servirur në ndonjë organ mediatik. Po ashtu, asnjë media vizive nuk i ka kushtuar asnjë hapësirë televizive këtij ankthi dhe paniku njerëzor, pasi të gjitha kompanitë e telefonisë celulare që ishin dhe veprojnë në vendin tonë, janë mbështetës financiar përkundrejt publikimit të reklamave që ato ofrojnë.

Anena në taracat e pallateve në Tiranë

Kështu, zëri i qytetarit, në këto 14-15 vite wshtw dwgjuar shumw pak, vetëm një herë në vitin 2016 institucioni i Avokatit të Popullit, i detyruar nga kërkesa e disa qytetarë korçarë, i rekomandoi Ministrisë së Shëndetësisë të niste matjet e rrezatimit në zonat problematike. Matjet nuk u bënë kurrë, e zëri i denocnuesve mbeti nëpër disa rekomandime prej dy- tri pikash nga ana e AP! Por ndërsa një sërë specialistësh, mjekësh dhe qytetarësh kundërshtojnë shpërndarjen e këtyre antenave nëpër tarraca pallatesh, pra në vende të banuara, ka specialistë që mendojnë se qytetarët tremben kot e se rrezatimi është nën normën e lejuar. Madje specialisti me të cilin ndamë këtë shqetësim tha se gjithçka është ‘legjendë urbane’ por ai fajësoi institucionet dhe drejtoritë përgjegjëse për lënien pas dore të ndërgjegjësimit të opinionit publik për këtë padije në fushën e rrezatimit jo-jonizues që vjen nga antenat.

Historia politike e instalimit të antenave në tarraca pallatesh 

Në vitin 2004 nisi instalimi i antenave thuajse në të gjithë vendin. Por vendosja e tyre u bë në zona jo të banuara. Një vit më vonë, ish-kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me një vendim të Këshillit Bashkiak iu dha leje kompanive të telefonisë së lëvizshme të instalonin antena edhe në disa tarraca pallatesh. Reagimet ishin të mëdha në atë kohë, po askush nuk i mori parasysh. Në vitin 2012, është kryebashkiaku pasues Lulzim Basha, që në një tjetër vendim iu kërkoi operatorëve të paguanin nga 200 mijë lekë për antenë që gjendeshin në territorin e kësaj bashkie. Në atë mbledhje të këshillit bashkiak pati një betejë të madhe mes anëtarëve demokratë dhe atyre socialistë, ku këta të fundit kundërshtonin me çdo kusht jo vetëm taksën po edhe lejimin e këtyre antenave në tarraca. Atëherë u hodh ideja e grumbullimit në vende larg qendrave të banuara të antenave të këtyre operatorëve duke propozuar stacione dhe jo antena kudo. Por kryebashkiaku e mundi zhurmën e opozitës në sajë të numrave dhe vendosi që në janarin e 2013-s të niste vjeljen:

-“Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme” aplikohet për të gjitha subjektet që vendosin antena të telefonisë së lëvizshme (mobile) mbi tarracat e pallateve apo godinave të ndryshme brenda territorit të qytetit të Tiranës. Niveli i kësaj takse është 2 000 000 lekë/antenë/vit”, thuhet në vendim.


Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme”, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Detyrimi lind nga momenti që vendosja e antenës konstatohet në terren. Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 15 shkurt. Kësti i dytë jo më vonë se data 15 maj, kësti i tretë jo më vonë se data 15 gusht dhe kësti i fundit jo më vonë se data 15 nëntor të vitit korrent fiskal.Për çdo antenë të vendosur rishtas, afati i pagesës së taksës do të jetë 30 ditë pas lindjes së detyrimit”!


Vendimi i Këshillit Bashkiak

Por vetëm 3 muaj më vonë ndërhyn ish-shefi i qeverisë së asaj kohe duke i kërkuar Bashës të tërhiqte vendimin pasi nuk duhej të taksoheshin këto operatorë. “Antenat e telefonisë celulare si dhe çdo lloj antene tjetër transmetimi, të vëna në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, nuk janë subjekt i taksave me karakter të përkohshëm”,  (thuhet në vendimin e Qeverisë dt. 07/03/2013)

E kështu, operatorët vijuan të qetë instalimet nëpër tarraca, ndërkohë që ligji anti-rrezatim i dy viteve më parë (2011), përcaktonte saktësisht detyrimet e institucioneve për të kryer matjet mbi rrezatimin, u krijuan dy drejtori, dhe u miratua një paketë ligjesh mbi anti-rrezatimin por që mbeti aty si një formulim i saktë dhe konkret por i pa vënë në zbatim asnjëherë të vetme në vendin tonë.

Ja si e përcakton ligji i vitit 2011-të sigurinë e konsumatorit (qytetarit) shqiptar

Në hartimin e një projektligji që ka të bëjë më anti-rrezatimin që daton vitin 2011, u përcaktua që të ngrihen dy autoritete kryesore që do të mbikëqyrnin gjithë procesin e matës së rrezatimit. Sipas legjislacionit u përcaktuan Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet (KMR) dhe trupa e tij ekzekutive, në problemet konkrete që është Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet ( ZMR). Që të dy-ja këto drejtori duhej të nisin punën konform këtij projekligji bazuar konkretisht në një shtojcë të atij ligji në të cilin është i mirëorientuar puna e autoriteteve:

“Masat në lidhje me fushat elektromagnetike duhet t`u sigurojnë të gjithë qytetarëve të Komunitetit një nivel të lartë të mbrojtjes nga rrezatimet. Kufizimet bazë dhe nivelet e referencës duhet të zbatohen per të gjitha rrezatimet e emëtuara nga fushat elektromagnetike me përjashtim të rrezatimit optik dhe rrezatimit jonizues. Për të vlerësuar përputhshmërinë me kufizimet bazë të parashikuara në këtë Shtojcë, KMR njeh subjektet e autorizuara për të zbatuar standarde në pranimin dhe testimin e pajisjeve(Certefikatë Konformiteti). Respektimi i kufizimeve bazë dhe të niveleve të referencës duhet të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes, në lidhje me efektet shëndetësore që mund të rezultojnë nga ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike. KMR duhet të promovojë përhapjen e informacionit dhe rregullat në këtë fushë, në veçanti në lidhje me projektimin, instalimin dhe përdorimin e pajisjeve, në mënyrë që të synojë që nivelet e ekspozimit të mos tejkalojnë kufizimet e dhëna. I duhet kushtuar vëmendje komunikimit dhe mirëkuptimit në lidhje me rreziqet për fushat elektromagnetike, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e publikut.Operatorët duhet të mbeshtesin dhe prezantojnë fushata për mirë informimin e publikut…

Në asnjë historik të këtyre dy zyrave nuk gjendet të jetë përmbushur qoftë edhe një kërkesë e vetme e kësaj shtojce që gjendet në ligjin anti-rrezatim, sigurisht prej 9 vitesh asnjë masë nuk është marrë për moszbatimin e asnjë pike të këtij neni. Pra, qytetari shqiptar, në këtë rast i konsideruar edhe konsumator, pasi si operatorët ashtu edhe mbështetësit e fushatës së instalimit të antenave në tarraca propagandojnë se bëhet fjalë për sigurim të një sinjali më të mirë telefonik, nuk është i konsideruar si element që duhet të mbrohet nga rrezatimi jojonizues.

Paradoksi: nga rrezatimi ruhet mjedisi po jo njerëzit!

Në vitin 2015, qeveria miraton një dokument të rregullores C, Milena Harito. Vendimi u mor me 29 qershor! Pasi përcaktohen zonat në të cilat do të vendoseshin këto antena (12 të tilla) hartuesit përcaktojnë edhe vendet ku do të vendosen. Në paragrafin 3, pika 3.1 që emërtohet “informacion mbi topografinë e zonës konkretizohet: Antenat, të cilat sipas këtij projekti janë 12 në total, do të vendosen në tarraca objektesh (godinash).

Ndërkohë në pikën 3.3 hartuesit ndalohen tek fakti: “Konfirmohet se të gjitha zonat e projektit për antenat ndodhen jashtë zonave të mbrojtura arkeologjike dhe instalimi i tyre nuk ka ndikim negativ mbi objektet nga pikëpamja e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike si dhe nuk ka impakt pamor negativ nga pikpamja urbanistike.

Në fq 10 të këtij dokumenti, në pikën 8 flitet për impaktet në mjedis që mund të kenë antenat dhe madje në dy paragrafë tregohet se operatori i ka parasysh shqetësimet mjedisore. “Bazuar në ligjin nr 10469 dt 13/10/2011 “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese” këto stacione janë lejuar të instalohen në këto objekte sipas raporteve të shpërndarjes së rrezatimit elektromagnetik përreth stacioneve bazë të miratuara nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet si autoriteti përgjegjës kombëtar rregullator që mbikëqyr dhe siguron zbatimin e dispozitave ligjore në fushën e mbrojtjes nga rerzatimit jojonizues dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik”.

Janë edhe 7 pika të tjera të kësaj pike që flasin për sigurinë që kanë flora, fauna, hapësira, betoni, etj, nga normat e ulëta të rrezatimit po në asnjë pikë të këtij dokumenti nuk flitet për sigurinë e banorëve të 12 zonave që do të shërbenin për stacione bazë.

Specialisti Shkëlqim Mema, mungon ndërgjegjësimi dhe informacioni mbi efektet e vërteta të rrezatimit

Mjekët ishin të parët që ngritën alarmin për shtimin e numrit të personave me probleme të shëndetit mendor dhe atyre tumorale. Shifrat që dalin në rrugë jo zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se krahasuar me vitin 2004-2005 rritja e të sëmurëve me sëmundje tumorale gati është dyfishuar. Ekspertët ngrenë alarmin se janë antenat sipër ndërtesave të banuara një ndër shkaktarët e shtimit të kësaj shifre, ku mendohet të ketë kaluar 7 mijë persona të diagnostikuar në vit. Me të drejtë aludohet mbi shkaktarët e tjerë si ajri, uji, ushqimet, pasi thuajse janë të njëjtët si para 14 viteve, atëherë çfarë i sëmurë shqiptarët?

Specialisti i rrezatimit i pensionuar tashmë përpiqet të qetësojë masat duke thënë se nuk kanë asnjë arsye të tremben nga rrezatimi, por ai është kundër mënyrës së si veprojnë autoritetet përgjegjëse në lidhje me sensibilizimin e opinionit. Edhe pse e konsideron shtimin e sëmundjeve për shkak të rrezatimit si ‘legjendë urbane’ ai nuk mund të shpjegojë se përse Zyra për mbrojtjen nga Rrezatimi nuk ka një aparaturë që mund të masë rrezatimin.

Ai saktëson se: “Vendosje e antenave (në çati, tarraca etj) sa më afër nevojes së shërbimit është më se normale dhe e lejueshme për sa kohë ne kemi nevojë për shërbimet celulare. E rëndësishme është që ato të jenë të instaluara dhe të operojnë sipas ligjeve tona në fuqi (që janë thjesht një transpozim i rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë – OBSH dhe legjislacionit të BE që në thelb është i njëjtë në gjithë vendet e botës së zhvilluar) për mbrojtje të sigurtë të publikut. Në zbatim të ligjit, gjithë stacionet (antenat e instaluara) pajisen me një Akt Miratim nga KMR pasi kontrollohen projekti dhe shperndarja e rrezatimit kudo në zonën rrotull çdo antene. Në gjithë vendqëndrimet e mundshme të njerëzve (publikut ) nivelet e rrezatimit duhet të jenë më të ulëta se ato të caktuara me ligj. Për kulturë kujtojmë që në gjithë vendqëndrimet e mundshme të njerëzve (publikut) nivelet e rrezatimit jojonizues (celular edhe të tjerë – të gjithë bashkë) janë shumë herë më të ulëta se normat- përgjithësisht nga monitorimet e vendeve pararojë në botë nivelet ku ekspozohet publiku janë të paktën 100 deri 1000 herë më të vogla se nivelet e lejuara”.

Por në lidhje me matjen dhe mundësinë për ta realizuar këtë matje specialisti i njohur i fushës së rrezatimit iu përgjigj: “Përgjithësisht studimet dhe vlerësimet në këto aspekte bëhen me vlerësime teorike dhe me të njëjtën rrugë- metodë punohet edhe në Shqipëri.

Në vendin tonë s’ka asnjë arsye që të mos bëhen matje të rrezatimit ( jo-jonizues – i tillë është dhe quhet ai që prodhohet/përdoret në celularët, radiot, televizorët, kalimi i rrymës elektrike nëpër rrjete e pajisje të ndryshme shtëpiake, etj). Në raste sporadike janë bërë edhe bëhen matje, por natyrisht mirë është nga subjekte që kanë njëfarë certifikimi nga autoriteti kompetent …”

Mema arrin të bëjë edhe ndarjen mes dy rrezatimeve, atij jonizues dhe jo-jonizues që përftohet në rastin konkret nga antenat që vendosen sipër tarracave në vendin tonë. Ai shpjegon se në dijeninë dhe në informacionin e tij këto të dytat nuk kanë asnjë rrezik por duhet të dalin specialistët e fushës e të flasin dhe qytetarët sipas tij nuk kanë pse iu drejtohen mjekëve apo ekspertëve të rastësishëm apo edhe autoriteteve shtetërore pasi ata nuk kanë njohuritë e duhura në këtë fushë.

AKEP-i publikon shifra për rrethet po jo për Tiranën

Në prill të vitit 2019, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) publikoi në media disa të dhëna që sipas tyre ishin rezultat i matjes së rrezatimeve.

Në deklaratën e tyre thuhej: “Rrezatimi nga antenat e telefonisë celulare është poshtë kufijve ligjorë të përcaktuar dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Është ky rezultati i monitorimit që kemi realizuar për herë të parë si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për nivelin e rrezatimit nga antenat e telefonisë celulare. Monitorimi u realizua në muajt shkurt dhe mars në qytetet Fier, Lushnjë, Elbasan dhe Kavajë, kryesisht pranë pikave të ndjeshme, si shkolla, spitale apo institucione”!

Ndonëse nuk bëhet me dije se mbi ç ‘kritere janë bërë këto matje, mësohet se ky proces bëhet për herë të parë pas më shumë se 14 vitesh. Por në faqen e AKEP shihet qartë një raportim që ka të bëjë me një operacion verifikues në terren që është kryer prej tyre gjatë vitit 2018 ku konkretisht hiqen të gjitha përgjegjësitë nga ku autoritet: “ Ne nuk vendosim nivelet e sigurisë së emetimit dhe nuk kemi as ekspertizën, as përgjegjësinë për të marrë pjesë në çështjet që kanë të bëjnë me hulumtimet biologjike apo shëndetësore. Gjithsesi, ne e ndiejmë si detyrim ndaj përdoruesve të celularëve të informojmë në lidhje me sigurinë e shëndetit të tyre. Megjithatë, AKEP nuk është autoriteti përgjegjës i cili mund të arrijë në konkluzione mbi ndikimin e rrezatimeve në shëndetin e popullatës dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të komentojë mbi çështje të tilla”. KMR nuk ka bërë publik asnjë të dhënë deri më sot për monitorim të ndonjë situate, qoftë ajo drejtuar nga ndonjë institucion apo aq më pak nga qytetarë. Po ashtu ZMR, e cila drejtohet prej shumë vitesh nga Rrustem Paci, nuk paraqet asnjë informacion që lidhet me sigurinë e qytetarëve. Madje ai refuzon edhe të shpjegojë situatën e mungesës së një matësi, si domosdoshmëri për të mbajtur nënkontroll shtimin e rrezatimeve aq më tepër kur numri i personave të sëmurë rritet çdo ditë!

Rrjeti 5G dhe vetësiguria Shqipërisë pa matës 

Prej afër një viti bota është mbërthyer nga ethet e rrjetit 5G! I konsideruar si një ‘katastrofë globale’ ky rrjet që premton një shpejtësi rreth 100 herë më të madhe i ka ndarë shkencëtaret në dy grupe, të cilët po bëjnë betejën e tyre në lidhje me rrezikun që i kanoset njerëzimit me anë të këtij rrjeti. Ndërkohë që në vendin tonë nuk ka asnjë matje e madje asnjë të dhënë në lidhje me normën që shpërndahet rrezatimi nga antenat, rrjeti 5G është një problem në vete. Janë jo pak por 215 shkencëtarë nga 40 vende të ndryshme të cilët u tha se nënshkruan një apel që bën thirrje për mbrojtje ndërkombëtare nga ekspozimi jo-jonizues në terren elektromagnetik, efektet e të cilit përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në: “rritjen e rrezikut të kancerit, stresin qelizor, rritjen e radikaleve të lira të dëmshme, dëmtimet gjenetike, ndryshimet strukturore dhe funksionale të sistemit riprodhues, defekti i të mësuarit dhe kujtesës, çrregullimet neurologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e përgjithshme. Një ekspert e përshkroi shtrirjen e 5G-së si një “eksperiment masiv shëndetësor”, i cili mund të “bëhet një katastrofë globale”.

Gjithashtu ishte Arthur Robert Firstenberg i cili doli publikisht dhe iu tregoi gjithë banorëve të rruzullit se rrjeti mund të shkaktojë kancer te njerëzit dhe kafshë të egra si dhe mund të përkeqësojë simptomat e mbindjeshmërisë elektromagnetike. Ai i kërkoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OKB-së dhe BE-së të “ndalojnë urgjentisht zhvillimin e  rrjetit 5G”. Sipas të dhënave që vijnë nga ekspertët e disa prej universiteteve më të njohura të botës theksohet se me të ekspozuarit janë kryesisht fëmijët nga mosha 0-5 vjeç, kjo edhe për shkak të përdorimit kaq të shpeshtë të telefonave. Në diskutimin për këtë rrjet u përfshi edhe Shqipëria madje doli vetë kryeministri dhe mori përsipër kryerjen e publicitetit për ta futur në vendin tonë këtë rrjet, pasi sipas kryeministrit përmirësonte punën e mjeteve elektronike. Edhe pse shefi i qeverisë ende nuk ka mundur të hartojë një raport mbi gjendjen aktuale të rrezatimit në vend, ai iu premtoi shqiptarëve një shtim të këtij rrezatimi, ndonëse sipas tij ajo nuk përbente ndonjë rrezik meqë po e pranonin edhe vende të tjera të zhvilluara! Megjithatë pak ditë më parë Qeveria shqiptare miratoi në parim memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë amerikane për sigurinë 4G dhe 5G. Në vendim nuk u dhanë detaje për shkak se ata pretenduan se është një çështje e sigurisë kombëtare, por u theksua se me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, këshilli i ministrave ka miratuar memorandumin me SHBA-në.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit”Siguria e konsumatorit në lidhje me produktet joushqimore” zbatuar nga Qendra “Konsumatori shqiptar”

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *