Citizens.al

“Kryevepër arkitektonike”, Kryeministri mbron velën e betonit në Durrës

Pamje nga Veliera, Durrës

 “Kryevepër arkitektonike”, “komplekse shumë” dhe “gjë e rrallë pa kolona”, janë disa nga cilësimet që përdori kryeministri Edi Rama sot për Velierën e betonit në Durrës.

“Ka dashur kohën e vetë dhe imagjino sa kohë u humb me ata që ju vunë kundër, me historira prokurorie, jo do preket, jo s’do preket Durrësi i lashtë …” – analizoi Rama gjatë vizitës në kantierin që qendron hapur prej thuajse një dekade.

Tre muaj më parë Citizens ishte në terren për të parë ecurinë e punimeve, por përtej “kompleksitetit të objektit”, konstatoi ndryshkjen të materialeve.

Kujtojmë se nga financimi i parë që u bë për nisjen e projektit kanë kaluar tetë vite.

Projekti Veliera u financua fillimisht në mars 2016, me një fond fillestar prej 4.7 Milion Euro. Kontrata u fitua nga bashkimi i kompanive “Everest” dhe “Fusha”, të cilat filluan punimet. Bashkia Durrës pohon për Citizens se tashmë vlera e projektit është dyfishuar duke arritur në rreth 8.5 milionë euro.

Bashkia Durrës konfirmoi se projekti është në fazën e katërt dhe përfundimtare të punimeve.

“Më 1 Qershor duhet të bëjmë këtu festën e fëmijëve dhe për sezonin kjo bëhet kryevepër. Kjo mund të ketë evente natën, mund të ketë koncerte të vogla…” – tha Rama gjatë vizitës sot, duke nënkuptuar se tashmë pritja për inaugurimin është drejt fundit.

Kryetari i bashkisë së asaj kohe Vangjush Dako, që ishte iniciatori i velës së betonit është sot pas hekurave.

Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës. Dy çështjet për të cilat ai dhe tetë zyrtarë të Bashkisë Durrës akuzohen, janë shëtitorja në zonën e Currilave dhe abuzimi me lejen e ndërtimit për një pallat 11-katësh në rrugën Hysen Myshketa.

Për funksionalitetin e kësaj kryevepre, Kryeministri vërejti se urbanistë të shumë kanë shprehur rezervat e tyre.

“Struktura nuk ka asnjë dobi të shprehur që në hartimin e vet por dhe pas. Është një vepër artistike me tepër sesa një vepër urbane“ – shpjegon urbanisti Artan Kacani për Citizens Channel.

Drejtësi e munguar për shkatërrimin e arkeologjisë

Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve në zonën arkeologjike A. Gjatë gërmimeve për punimet u zbuluan një sërë objektesh me vlerë arkeologjike.

“Pra, meqenëse dy këmbët veriore të Velës ngulen në zonën A arkeologjike, ndërtimi i saj duhet ligjërisht të spostohet”,-  argumentoi në atë kohë specialistiti i arkeologjisë Gjergj Frashëri.

Bashkia Durrës i konfirmoi Citizens Channel se një pjesë e objekteve të gjetura gjatë gërmimeve janë të vendosura te Muzeu Arkeologjik Durrës, i cili qëndron prej 15 muajsh i mbyllur për shkak të tejkalimit të afateve të restaurimit.

Pas 13 seancash gjyqësore, Gjykata Administrative la pezull si kërkesat e Bashkisë ashtu edhe kërkesat e shoqërisë civile për të bllokuar procesin. Dy vite më pas, në shkurt të 2019, Gjykata Administrative e Apelit vendosi t’i hapi rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke ndaluar gjykimin e çështjes.

Dy vite më vonë, më 22 prill 2021, çështja “Veliera” u rikthye për hetim në prokurorinë e Durrësit. Edhe pse u parashikua që brenda tre muajve të përfundonin hetimet bazë për kallëzimet e shoqërisë civile për dëmet arkeologjike, ende deri më tani asnjë vendim nuk është bërë publik.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW