Citizens.al

Studentët kërkojnë përgjysmim të pagesës së konviktit dhe shtyrje të qirave për kohën e pandemisë

Anxhela Alliu është studente në vitin e dytë në fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Në 9 mars ashtu si të gjithë studentët e tjerë, ajo u kthye në shtëpitë e saj në vendlindje, pasi universitetet u mbyllën si pasojë e masave të marra për pandeminë COVID-19. Ajo tregon se shpenzimet e një viti shkollor në Tiranë, duke përfshirë tarifën shkollore dhe pagesën e konviktit ku jeton janë të konsiderueshme për të, duke arritur një shumë prej 720 mijë lek të vjetra.

Tarifa shkollore ka qenë 250 mijë lek të vjetra, dhe e kam paguar që në momentin që kanë dalë mandatet. Ndërsa për pagesën e konviktit në fillim të vitit shkollor na bënë me dije që duhej pagesa e plotë, dhe kam paguar konviktin deri në muajin korrik, plus për mirëmbajtje të dhomës, gjithsej 470 mijë lek të vjetra”- rrëfen Anxhela për Citizens Channel.

Tashmë prej një muaji e gjysmë ajo ndodhet në shtëpinë e saj në vendlindje, duke mos marrë asnjë shërbim kundrejt pagesave të  kryera, pasi mësimi po zhvillohet online. Axhela apelon për rikthim të një pjese të pagesave që ka kryer, për aq kohë sa nuk është në ambjentet e shkollës fizikisht.

Për aq muaj sa keni bërë mësim në ambjentet e fakultetit të paktën të bëhej i mundur përgjysmimi i tarifës së shkollës dhe të na kthehej gjysma e tarifës së paguar. E njëjta gjë edhe për konviktin, mendoj se për këto muaj që nuk po rrimë më aty të na rikthehen paratë”, -sqaron më tej Anxhela.

Njëjtë gjykon edhe Odeta Zeneli, studente e Fakultetit të Inxhinierise së Ndërtimit, në degën inxhinieri hidroteknike. Ashtu sikundër bashkëmoshatarët e saj, edhe Odeta ka paguar tarifën prej 250 mijë lekë të vjetra, për të cilat kërkon rikthim.

“Përderisa ne nuk kemi kontakt me logjistikën dhe ambjentet e universitetit, llogjikisht një pjesë e pagesës nuk shkon për procesin e mësimdhënies. Pra asnjëri prej nesh nuk ka paguar për mësim online apo për 3 muaj pushim, ndaj e drejtë është që tarifa të rikthehet pasi shumica prej nesh sakrifikojnë për pagesën e shkollës, madje dhe detyrohen të punojnë për ta paguar. Tani secili prej nesh ka kufizim të ardhurash në këtë situatë”,-rrëfen Odeta për Citizens Channel.

Ndryshe nga Anxhela, Odeta jeton në një shtëpi me qera, pagesën e të cilës e ka kryer edhe pse nuk jeton në Tiranë që prej fillimit të Marsit.

Përsa i përket qerasë, vazhdoj ta paguaj. Muajin e parë pronarja më tha që brenda mundësive ,por për të qenë korrekt vetë ne e paguam pasi e kuptojmë situatën që gjithsecili në këtë situatë gjendet në vështirësi”,- tha Odeta.

Në 2 Prill të këtij viti, Qeveria Shqiptare miratoi aktin normativ nr.12, i cili përjashton studentët qiramarrës nga pagesa e qirasë për dy muaj, prill edhe maj të vitit 2020.

“Të gjithë qiramarrësit studentë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020”,-thuhet në aktin normativ. 

Sipas pikës që përfaqëson studentët në aktin normativ, përjashtohen nga pagesa për dy muaj e qirasë vetëm studentët të cilët kanë një kontratë qiraje apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien qiradhënës-qiramarrës. Studentja e inxhinierisë Odeta, dhe shumë studentë të tjerë të cilët nuk kanë një kontratë të tillë janë praktikisht të përjashtuar nga përfitimi i këtij akti normativ.

Për Dorjana Loshi, studente e masterit në degën gjeodezi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, pagesa e tarifës shkollore për dy vitet e masterit shkon në 2 milion e 100 mijë të vjetra. Tarifë kjo e cila është e ndarë në katër këste, dy këste për secilin vit.

Tarifën e kemi të ndarë në katër këste,që do të thotë, deri më tani kemi paguar vetëm këstin e parë e cila ka qënë në vlerën 525 mijë lekë”-rrëfen ajo.

Studentja Loshi tregon se nuk është e nevojshme që kjo pagesë të kthehet pasi semestrin e parë e kanë kryer në ambjentet e shkollës.

Nuk mendoj se është e nevojshme kthimi i tarifës, pasi tarifa që kemi paguar i përket semestrit të parë, i cili është rezauruar në ambientet e shkollës. Ndërsa për tarifën që i përket semestrit të dytë ende nuk na është thënë se çfarë vendimi mund të marrë vetë fakulteti dhe si do veprojmë”,-tregon Dorjana për Citizens Channel.

Ndër të tjera Dorjana rrëfen se është kthyer në shtëpinë e saj në Durrës, ku po ndjek mësimin online, duke lenë bosh shtëpinë në të cilën qëndronte në Tiranë.

“Momentalisht jam në shtëpi dhe nuk është se e kemi biseduar me pronarin e banesës në Tiranë, pasi pagesën e qirasë zakonisht e bejmë çdo 3-4 muaj.Kur të kthehemi të shohim si do e zgjidhim”,-tregon më tej studentja Loshi. 

Në një studim të kryer nga Qëndresa Qytetare, organizatë me fokus kryesor të punës së saj arsimin, mbi 83% e studentëve, janë shprehur se nuk kanë përfituar lehtësim nga pagesat e qirasë gjatë muajve të pandemisë. Nga studentët e anketuar 6.8% jetonin në konvikte dhe 33.8% në banesë me qira. Nga studentët që jetonin në banesë me qira, 87.5% e tyre nuk kishin një kontratë të nënshkruar qiraje me qiradhënësin.

Pak ditë më parë Unioni i Këshillave Studentorë me anë të një letre publike, i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik në vend marrjen e një sërë masash që lidhen me përgjysmim tarifash shkollore dhe përgjysmim pagesash të konvikteve.

“Vleresojmë të arsyeshme që të kërkojmë nga ana Juaj,

  • Përgjysmimin e detyrimeve të tarifave të shkollimit për të gjithë studentët për vitin akademik 2019-2020;
  • Përgjysmimin e detyrimeve të strehimit për studentët të cilët jetojnë në konvikte. Masat lehtësuese financiare të kërkuara më lart nuk mbulojnë efektin e krijuar nga kjo gjendje, por zbusin efektet e saj tek studentët dhe janë në raport të drejtë me shërbimet e marra prej tyre,”-ishin kërkesat e Unionit të Këshillave të Studentëve

Studentët peticion Bashkisë Tiranë: “Anuloni tarifën e Konvikteve”

Qëndresa Qytetare, organizatë me fokus kryesor arsimin në Shqipëri, dërgoi sot pranë Këshillit të Bashkisë Tiranë një peticion të firmosur nga 332 studentë të cilët janë banues në godinat e Qytetit Studenti.

Përmes këtij peticioni studentët kërkojnë nga Këshilli Bashkiak të anulojë tarifat e konvikteve, pasi prej datës 9 Mars studentët nuk po marrin shërbimet për të cilat kanë paguar.

Sipas Qëndresës Qytetare ky peticion adreson shqetësimin e 5400 studentëve të lënë pa asnjë komunikim dhe vendim nga Drejtoria e Qytetit të Studenti q prej datës 9 Mars 2020, kur ky institucion urdhëroi largimin e studentëve nga godinat për arsye sigurie.

“Prej datës 9 Mars 2020 ne nuk po e shfrytëzojmë, përdorim apo të marrim shërbimet për të cilat kanë paguar tarifat e akomodimit sipas kontratës”,-u shpreh Tea Zeqj, përfaqësuese e studentëve në Qytetin Studenti.

Qëndresa Qytetare sqaron se Qyteti Studenti është në zotërim të plotë të Bashkisë Tiranë, prandaj dhe kjo kërkesë i drejtohet pikërisht asaj.

Relacion shoqërues i peticionit

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *