Ditën e djeshme, u mbajt protesta e tretë e organizuar nga Aleanca në Mbrojtje të Teatrit, revoltë e cila mblodhi qindra pjesëmarrës përpara rrënojave të asaj çka ka mbetur nga Teatri Kombëtar. Kjo ngjarje pati jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat denoncuan mungesën e dialogut midis palëve por edhe dhunën e ushtruar nga forcat policore.
Vala e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar ka patur përkrahje dhe nga organizime në qytete të tjera të Shqipërisë. Të mërkurën në Durrës, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën përpara teatrit “Aleksandër Moisiu” për të kundërshtuar shembjen e godinës së teatrit ne Tiranë, por njëkohësisht për të denoncuar dëmtimin e vazhdueshëm të arkeologjisë në qytetin bregdetar.
Protesta u zhvillua në distancë duke respektuar rregullat e distancimit social dhe në mënyrë tërësisht paqësore, por pavarësisht kësaj u shoqëruan në polici dy prej organizatorëve, të cilët u liruan pasi u kryen veprimet procedurale në polici.

“Dje Durrësin, sot teatrin, nesër ne” shkruhej në nje nga pankartat që mbanin në duar protestuesit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka njoftuar se kauza e tyre tashmë do të shpërndahet në qytete të ndryshme të Shqipërisë duke i bërë thirrje qytetarëve nga rrethe të ndryshme të bashkohen.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.