Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Matjanët mblidhen në dyert e gjykatës, ndërkohë që shqyrtohet padia për HEC-et në Parkun Kombëtar

Jemi çuar që në orën katër të mëngjesit. Afërsisht, dy orë i kemi ba në këmbë. Nga Gjoçaj në Dukagjin. Aty morëm një makinë deri në Burrel dhe masanej nga Burreli morëm një makinë tjetër. Në orën 10 arritëm këtu”, tregon Adem Xhokola, një nga banorët e zonës së Zall-Gjoçaj, Mat, të cilët u mblodhën sot në dyert e Gjykatës Administrative të Shkallës së parë në Tiranë.

Matjanët kanë paditur një sërë institucionesh shtetërore, që kanë dhënë lejen për të ndërtuar hidrocentralet në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës dhe kompaninë private “Seka Hydropower”, që po zhvillon punimet.

Kjo seancë ka zgjatur mbi dy orë dhe vendimi përfundimtar do të bëhet i ditur pas pesë ditësh, informon Dorina Ndreka, avokatja e palës paditëse.

Gjykata mori kohën që parashikon edhe Kodi, brenda pesë ditëve, duke lënë javën tjetër, ku ne do kemi shpalljen e vendimin. Duke shpresuar që do të jetë një vendim pozitiv.

Sot ishte beteja, ne sot ballafaquam argumentet ligjore, mendoj se kemi mundësi të mira. Gjithsesi, nuk i dihet derisa gjykata të shpallë vendimmarrjen e saj”, u shpreh avokatja Ndreka.

Dorina Ndreka, avokate

HEC-et Sekë dhe Zais, u miratuan në vitin 2018, për t’u ndërtuar në lumenjtë Flim dhe Urakë të zonës së Matit. Projekti parashikon marrjen e ujit të këtyre dy lumenjve përmes tuneleve dhe tubacioneve, për t’u bashkuar më pas me një tjetër hidrocentral ne Mirditë.

Adem Xhokola, i cili së bashku me banorë të zonës dhe aktivistët mjedisorë, pritën disa orë për të mësuar ecurinë e procesit, shpreson se do të ketë drejtësi për matjanët.

Ne shpresojmë që do ketë njerëz që do japin drejtësi në këtë vend. Kemi besim se do ketë edhe njerëz që do gjykojnë ashtu siç duhet”.

Adem Xhokola

Alta Koleci, lindur dhe rritur në atë zonë, tregon se në rast se gjykata do të vendosë në favor të kompanisë private, ata do të shpërngulen në Zall-Gjoçaj dhe do të protestojnë deri në tërheqjen e makinerive.

Kemi menduar që të vendosemi atje. Të rrimë në çadër dhe do rrimë atje derisa të pezullohen punimet. Po masakrojnë natyrën, është edhe Park Kombëtar me ligj, nuk është se e themi ne”, shprehet  Koleci për Citizens Channel.

Alta Koleci

Shfrytëzimi i pandemisë në dëm të mjedisit

Banorët kanë rezistuar prej muajit tetor 2019, duke ngritur dhe çadrën e rezistences në hyrje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj. Kjo ka bërë që të neutralizohen punimet. Prej asaj periudhe janë zhvilluar disa protesta dhe kanë kërkuar të ndalohen punimet në Parkun Kombëtar.

Gjatë muajve të pandemisë, shoqëruar me izolim dhe ndalim te protestave, punimet kanë rifilluar, duke ndotur dhe ujin e pijshëm të rrjedhës së lumit Flim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *