Citizens.al

Tropojë, vajzat thyejnë pllakat me stereotipet gjinore si ushtrim praktik për vetëmbrojtjen

Adoleshentet e Tropojës patën mundësi që në Ditën Ndërkombëtare të Vajzës të zhvillonin një serë aktivitetesh që lidhen me fuqizimin fizik dhe emocional të tyre nga programi “Fuqizimi përmes vetëmbrojtjes”.

Vajzat gjimnaziste u njohën me taktikat bazë të vetëmbrojtjes në rast se ato do të gjenden në situata të rrezikshme për shëndetin e tyre fizik, seksual dhe emocional.

Prej gjashtë vitesh që unë përfaqësoj fondacionin “Mary Ward Loreto” në Tropojë si punonjëse sociale, puna ime direkte ka qenë dhe vazhdon të jetë me gratë edhe vajzat, me qëllim fuqizimin e tyre dhe rritjen e kapaciteteve për të siguruar vetëmbrojtjen në forma të ndryshme dhe që parandalojnë forma të ndryshme të dhunës”,- thotë Lulzime Gjuriqi, përfaqësuese e fondacionit “Mary Ward Loreto’, i cili mundësoi zhvillimin e eventit.

Gentiana Susaj, përfaqësuese e programit të fuqizimit, shpjegon se mësimi i teknikave bazë të vetëmbrojtjes, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Vajzës, kishte si qëllim të nxirrte në pah fuqinë që ato zotërojnë.

Gentiana Susaj, “Fuqizimi përmes vetëmbrojtjes”

Donim t’i kushtonim më shumë vëmendje rolit të vajzës, duke qenë se bëhet në ditën ndërkombëtare të saj dhe kjo kishte si pikësynim të ndërgjegjësonim edhe të përçonim mesazhin se të qenit vajzë është forcë dhe nuk është dobësi”.

Gjuriqi thekson se ky program është shumë i vlefshëm për vajzat adoleshente, pasi u përcjell mesazhin se jo çdo veprim i kryer duhet pranuar ose duhet kaluar në heshtje.

Mendoj që ky program realisht ishte një nismë e mirë për t’iu treguar atyre që ka momente të caktuar qe edhe duhet të reagojmë, edhe duhet të përgjigjemi, edhe duhet të kundërvihemi ndaj personave që mund të jenë kërcënues për to dhe të mos pranojnë gjithmonë gjithçka duke ulur kokën”.

Përsëritja e vazhdueshme e fjalës “Jo” ishte forma si nisi ky trajnim, për të kaluar më pas në ushtrime të tjera që lidhen me komunikimin dhe rëndësinë që mbart ai në situata ku vajzat dhe gratë ndjehen të kërcënuara.

Ky ushtrim vuri theksin tek shpjegimi i qartë dhe i drejtpërdrejtë i ndjesisë negative që shkakton veprimi cenues që po kryhet ndaj tyre, duke u pasuar me kërkesën për ta ndaluar vazhdimësinë e aktit.

Hapi pasardhës në taktikat e vetëmbrojtjes, pas komunikimit verbal, është taktikat e goditjes në pjesë fizike të caktuara të agresorit hipotetik, duke u krijuar kështu hapësirën për t’u larguar pa pasur përshkallëzim të situatës.

Susaj ka evidentuar se gjatë kryerjes së këtyre ushtrimeve shikohet një farë stepjeje tek vajzat, të cilat zhbëhen me praktikë.

Në fillim është një farë stepjeje, një farë ndrojtjeje, nja farë mungese besimi që  ato mund të godasin, ato mund të flasin, mundet të kenë një qëndrim bindës, mundet të thonë jo me gojën plot, pa frikë, pa hezitim edhe duke të parë drejt e në sy. Këtë ti e shikon si gradualisht e përqafojnë këtë proces dhe s’kanë më atë ndrojtjen e fillimit”, shprehet ajo për Citizens Channel.

“Se bën dot se je vajzë, vajzat nuk ia arrijnë”- thyerja e stereotipeve gjinore

Pjesë e ushtrimeve për fuqizimin e vajzave ishte dhe thyerja e dërrasës, në të cilat ishin shkruar shprehje apo fjalë që i pengojnë dhe i cënojnë vajzat në përditshmërinë e tyre, duke iu përsëritur rishtaz nga familjarë, të afërm apo nga komuniteti.

Fjorela Hoxhaj arriti të thyente dërrasën, në të cilën më herët ajo kishte shkruar shprehjen “Se bën dot se je vajzë, vajzat nuk ia arrijnë”.

Ideja që të thyeja dërrasën m’u duk shumë e pamundur në fillim pasi, okej, është një dërrasë dhe nuk është e thjeshtë që ta thyesh. Në momentin që shkrova shprehjen ‘Se bën dot se je vajzë, vajzat nuk ia arrijnë’, m’u duk akoma edhe më e vështirë. Kjo është një shprehje që e hasim kudo në komunitet por në momentin që e kam lexuar tek dërrasa kur po qëndronte përpara meje, po mendoja sikur po thyeja të gjitha këto kufij që më pengonin”.

Një tjetër dërrasë e thyer ishte ajo që mbarte shprehjen “Mos dil kund se je çikë. Ki kujdes qysh rri se je çikë”. Rejana Avdiaj, adoleshente, tregon si ajo haset vazhdimisht me këto komente në Tropojë.

“’Mos del kund  se je çikë. Ki kujdes qysh rri se je çikë’. Këto janë dy shprehjet që i hasim ditë për ditë në komunitetin e Tropojës. Mos del shumë se të shohin e me të pa je ka shkon për diçka tjetër. Ky kujdes qysh rrin, mbaji flokët kështu e mos i lër flokët lëshuar, ki kujdes çfarë vesh. Janë tana këto paragjykime që i thonë vetë familjarët tonë”.

Avdiaj pohon për Citizens Channel se akti i thyerjes së dërrasës në vetvete i përcolli mesazhin se do mund t’i kapërcente këto paragjykime.

Në momentin kur unë theva dërrasën jam ndje shumë superiore dhe jam ndje aq e fortë në vetvete sa nuk e di. Dërrasa nuk ishte shumë e vështirë për me u thy por thjesht m’u duk vetja që e nxora forcën që nga brenda”.

Të njejtën eksperiencë kaloi dhe Ritvana Hajdari e cila arriti të ndante në dy pjesë dërrasën që shkruante “Nuk është për ty”.

Shprehja që unë zgjodha ishte ‘Nuk është për ty’. Kjo përmbledh për mendimin tim shumë pika, jo vetëm ‘Kjo veshje nuk është për ty, ky profesion nuk është për ty’. Në momentin që unë theva dërrasën, jam ndje sikur u lirova nga gjitha mendimet negative që mund të kisha në kokë”.

Pranimi i kësaj mendësie të dhunshme në shoqëri është një ndër problemet kryesore, pohon Susaj.

Ajo që mua më shqetëson edhe që e shikojmë gjithandej nuk është vetëm realizimi i dhunës nga dikush por është pjesa pranimit që i bëhet këtyre akteve, këtyre sjelljeve, këtyre fjalëve të cilat dëgjohen nga personat përreth. Në momentin që ne si shoqëri nuk ndryshojmë mënyrën e të menduarit, mënyrën e të toleruarit, nuk do mund të bëjmë një ndryshim esencial, thelbësor për një shoqëri të paqtë”.

Gjuriqi tregon se të jesh grua në komunitete të vogla është mjaft e vështirë pasi qasja patriarkale vazhdon të jetë shumë e pranishme në shoqëri. Megjithatë, ajo vëren një lëvizje progresiste drejt një mjedisi më të barabartë.

Lulzime Gjuriqi, punonjëse sociale pranë fondacionit “Mary Ward Loreto” 

Është e vështirë por prapë ka pas një ndryshim këto dy-tre vitet e fundit. Nëse më përpara në një komunitet të vogël nuk perceptohej që një vajzë të dilte të shkonte për kafe me shokët apo shoqet, tani shoqëria ka një qasje më ftuese ndaj saj. Por sigurisht vazhdon të mbetet ajo baza e fortë që vajza lind në shtëpi të huaj dhe shkon te shtëpi të vet. Pra, kur shkon te shtëpia e burrit aty e ka vendin, aty është e stacionuar në mënyrën e duhur”.

“Një letër dedikuar një vajzë”

Pjesë e aktivitetit ishte dhe leximi i letrave, të shkruara nga vajzat adoleshente. Fokusi i këtyre letrave ishte kryesisht arsimimi dhe rëndësia e tij në pavarësimin e vajzave dhe grave.

Privimi nga e drejta për arsim vjen për një serë faktorësh që lidhen me mentalitetin dhe vështirësitë ekonomike të familjes, duke i shtyrë ato drejt martesës në moshë të hershme.

Për shkak të mentalitetit patriarkal, normave shoqërore apo edhe faktorët ekonomik që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, zgjedhja e tyre mbetet martesa. Është për të ardhur keq që vazhdojnë të jenë martesat e hershme në moshën 16-17 vjeç, që një vajzë duhet të jetë në arsim, është gati të martohet dhe të krijojë familjen e saj”,- rrëfen Lulzime Gjuriqi.

Ky problem është adresuar edhe më herët nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Raporti “Martesë në gjykatë? Të drejtat e fëmijëve, martesat nën moshë dhe roli i gjykatave”, realizuar përgjatë viteve 2011-2017, ka marrë në studim të gjitha rastet e kërkesave për martesa në moshë të mitur në shtatë qarqe të Shqipërisë.

Përgjatë shtate viteve janë paraqitur 68 kërkesa për martesa në moshë të mitur, vetëm për vajzat. Në këtë raport është përfshirë Shkodra, Kukësi, Tropoja, Lezha, Puka, Fieri dhe Kavaja.

Duke iu referuar publikimit të fundit të INSTAT, në vitin 2019 janë martuar 20 vajza nën moshën 18 vjeç, ndërkohë që nuk rezulton asnjë djalë i mitur i martuar në atë vit.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW