71% e studentëve shprehen se nuk janë dakord me vendimin për zhvillimin e mësimit online.
Të dhënat e mbledhura nga një pyetësor i realizuar nga Lëvizja për Universitetin, nxjerin në pah problematikat që shoqëruan muajin e parë të mësimit në distancë.
78.6% e 289 studentëve u shprehën përmes pyetësorit se e pritën shumë keq njoftimin vetëm tre ditë më herët se nisja e universitet.
Denaida Sina, është studente e degës së gjeodezisë në Universitetin e Tiranës. Për shkak edhe të angazhimin në punë përtej shkollës, Denaida është duke qëndruar në shtëpi me qira. Ajo shprehet për Citizens Channel se e priste një vendim të tillë, duke parë situatën në të cilën ndodhej vendi dhe rritjen e numrit të të infektuarve, mirëpo thekson se njoftimi duhet të vinte shumë më herët.
“Shumica e studentëve vijnë nga rrethet dhe kishin dy muaj që kishin marrë shtëpitë me qera, apo edhe ata të cilët kryen pagesën e konvikteve. Është një kosto e shkuar dëm, duke ditur edhe vështirësitë financiare të familjeve shqiptare“,-tregon Denaida.
Vendimi tre ditë më herët për të nisur mësimin online ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te ekonomia e 43.3% të studentëve të pyetur.
31.8% e studentëve të pyetur u shprehën në anketimin online se ishin të paqartë rreth mënyrës së zhvillimit të mësimit, 23,7% pak të qartë dhe 26.5% disi të qartë.
59.2% e studentëve të pyetur u shprehën se mungesat janë duke u marrë njësoj sikurse në kushte normale, kundrejt 40.8% e përgjigjeve që reflektojnë mendimin se mungesat nuk po merren njësoj si në kushtet normale.
Për studenten e gjeodezisë, frekuentimi i lëndëve mësimore në formatin online është një mënyrë e cila sjell ndjekës pasivë.
“Nuk mund te jap një përgjigje të mirëfilltë, sepse të gjithë figuronim ndjekës në platformë, në fakt ndjekës pasivë, me mikrofon dhe kamera të fikur. Nuk mund të kuptoje kush ishte vërtet frekuentues në mësim“,-rrëfen Denaida.
Një nga diskutimet më të shumta që ka përfshirë procesin e mësimit online ka qenë edhe kostoja apo përdorimi i internetit. Sipas studentëve të pyetur nga aktivistët e Lëvizjes për Universitetin, 47.3% e tyre kanë pasur lidhje interneti në shtëpi ose ofertë interneti në telefon para fillimit të mësimit online, përkundrejt 52.7% e tyre që shprehen se nuk kanë pasur një lidhje interneti.
Denaida, studentja e pyetur nga Citizens Channel shprehet se ka pasur edhe më herët internet në shtëpi dhe si pasojë zhvendosja e mësimit online nuk ka sjellë problem në këtë aspekt.
“Unë shfrytëzoj lidhjen We-Fi nga shtëpia. Lidhjen Wi-fi e kemi bërë para se mësimi të kalohej online , dhe nuk është se mësimi online ka ndikuar në ekonominë time nga ky aspekt“,-tregon Denaida Sina.
Sipas anketimit 55.8% e studentëve kanë akses në internet përmes Wi-Fi nga shtëpia, 32.5% përmes ofertave telefonike, ndërsa 11.7% kanë hyrë në internet përmes Wi-Fi jashtë shtëpisë.
Peticion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë: “Internet falas për studentët”
“Universitetet do të vazhdojnë online, shkollat do të vazhdojnë me mësimin e alternuar fizik dhe atë online. Të gjitha këto masa do të jenë pa afat dhe do të analizohet situata epidemiologjike në vazhdimësi, duke i ndjekur me shumë kujdes efikasitetin dhe atë tendencën e lehtë pozitive që është vënë re javën e fundit në lidhje me numrin e rasteve të reja që ka një tendencë rënieje”,– ishte përsëritja e masave që janë akoma në fuqi nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e pandemisë dhe masat anti-COVID 19.
Në këto kushte, sipas Lëvizjes për Universitetin, duke marrë parasysh koston e internetit të përdorur dhe pamundësinë për të pasur akses për shkak të mungesës së mjeteve teknologjike, përmes një peticioni ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit mbështetje përmes paketave të internetit dhe aparaturave teknologjike.
“Për aq kohë sa qeveria dhe ministria përkatëse kanë vendosur të mbyllin auditorët, u lind detyrimi t’i pajisin të gjithë studentët me bazën e nevojshme materiale për të ndjekur leksionet. Krahas haraçit absurd që duhet paguar çdo vit, barra ekonomike e internetit dhe pajisjeve teknologjike është pengesë e pakapërcyeshme për shumësinë studentore“,-thuhet në përshkrimin e peticionit.
Deri më tani 1940 persona kanë firmosur online.
Për studenten e gjeologjisë, mundësimi i internetit falas është mjaft i nevojshëm në këtë periudhë.
“Duke qenë që disa studentë vijnë nga rrethet dhe janë detyruar sërish të kthehen në familjet e tyre dhe ta frekuentojnë mësimin online pranë familjes së tyre, për arsye të ndryshme (qofshin ekonomike apo edhe gjeografike , sepse ka zona që për shkak të relievit nuk është e mundur lidhja Wi-fi ) e konsideroj shumë të nevojshme një paketë ndihme që mund të përfshijë internet falas për këta studentë. Jemi koshientë që aksesi i internetit nëpërmjet celularit është një kosto shumë e kushtueshme”,-përfundon Denaida.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).