Më 18 Janar studentë të universiteteve të ndryshme i dorëzuan një peticion me 6500 firma Ministrisë së Arsimit, Shëndetësisë dhe Kryeministrit, për rikthimin në auditore.
Në të njëjtën ditë studentët mbajtën një takim dhe me zv. Ministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli, ku diskutuan mbi problematikën në fjalë.
“Zv Ministria na doli garant që do përçojë këto kërkesa dhe do merret vendimi brenda dhjetë ditëve(këtë të enjte pritet të merret një vendim)”, qartësoi për Citizens Channel Agred Tafaj, një nga përfaqësuesit e kësaj nisme.
Ndërkohë peticioni po vazhdon ende dhe deri më tani janë mbledhur në total mbi nëntë mijë firma.
Epidemiologu dhe zv. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Ilir Alimehmeti shprehet se në këtë pikë të epidemisë universitetet duhet të shkojnë drejt hapjes.
“Në shoqërinë tonë të vetmet bllokimet që kemi është orari 22.00 me 6.00 dhe ndalimi i mësimit në universitete” thotë Alimehmeti për Citizens Channel.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar me anë të një postimi në rrjetin e saj Facebook se vendimmarrjet përkatëse i takojnë si përherë Komitetit të Ekspertëve.
Pse nuk po hapen ende universitetet?
“Përderisa lokalet janë të hapura, urbanet janë të hapura, transporti publik, restorantet, pra të gjitha vendet janë të hapura, arsimi para universitar është i hapur, ne nuk mendojmë që ka vend për interpretim për të thënë që auditorët apo universitet mund të bëhen vatra infeksioni” u shpreh studenti i vitit të parë në master shkencor në Universitetin e Juridikut Agred Tafaj.
Ilir Alimehmeti sugjeron zhvillimin e mësimit hibrid, çka do të thotë zhvillim e leksioneve online duke qenë se përfshin një numër të lartë studentësh ndërsa praktikat, laboratorët, seminaret që kanë numër më të ulët pjesëmarrje duhet të shkojnë drejt hapjes.
Një zgjidhje tjetër sipas Alimehmetit është edhe vaksinimi i stafit akademik të universiteteve, për më tepër, situata sipas tij është më e lehtësuar se në fillim pasi aktualisht pjesa më e madhe e qytetarëve e kanë kaluar infeksionin edhe në mënyrë natyrore.
“Nuk e konceptojmë dot një arsim të lartë prej një viti krejtësisht online duke marrë parasysh që përveç arsyeve praktike kemi edhe elementë si puna në grup, komunikimi, diskutime, përballje me stresin, të gjitha element të rëndësishëm në formim”.
Alimehmeti përfundon duke theksuar se arsimi është pika kyçe e zhvillimit të individit, shoqërisë, familjes dhe se efektet e saj janë shumë afatgjata.
Universitetet të hapura për fushatë , por jo për leksione
Ndërkohë që pothuajse prej një viti studentët ende nuk lejohen të kthehen në univeriste, godinat e mësimdhënies janë kthyer në salla ku zhvillohen mbledhje të partive.
Në foto : Mbledhje për fushatën elektorale e zhvilluar në Univeristetin e Durrësit.
Në foto: Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministria e Arsimit, Evis Kushi në takime fushate.
Ndërkohë edhe vetë anëtarët e Komitetit Teknik i kanë thyer masat anticovid duke u shafqur në mbledhje partiake.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.