Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Provimet online – Sudentët: “Thellohet diskriminimi ndaj atyre në nevojë”

Vendimi i një shkurtit i Rektoratit të Universitetit të Tiranës për të zhvilluar provimet online ka hasur kundërshti te studentët. Ata ritheksojnë se mbajtja e provimeve përmes procesit online do të vështirësojë arritjen e rezultateve të merituara.

Vendimi i Rektoratit për zhvillimin e provimeve online

“Provimet nuk bëhen online”, ishte reagimi nga Lëvizja për Universitetin sipas reagimit të së cilës zhvillimi i provimeve online thellon diskriminimin ndaj studentëve në nevojë.

“E vetmja mënyrë për të shmangur diskriminimin ekonomik ndaj pjesës më të madhe të studentëve, mbetet zhvillimi i provimeve në klasa. Për shkak të situatës të pandemisë, qeverisë dhe universiteteve u lind detyrimi të sigurojnë infrastrukturën dhe të ndërmarrin me kujdes masat e nevojshme, ndërsa sezoni duhet të zgjatet në kohë në mënyrë që të shmangen grumbullimet. Ndryshe, ashtu siç po ndodh gjatë mësimit online, shumësia e studentëve nuk do kenë mundësi as të marrin pjesë në provime ose nuk do të jenë në kushte të përshtatshme për t’i zhvilluar ato”,-thuhet në reagimin e Lëvizjes për Universitetin.

 

Klodjana Agaj, studente e vitit të tretë në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit sqaron se mbajtja e provimeve online është diskriminuese dhe përjashtuese. Kjo sipas saj vjen për shkak të mungesës së aksesit në internet.

Një pjesë e mirë e studentëve nuk do kenë as kushtet minimale për t’i zhvilluar provimet. Si supozohet studenti që nuk ka internet të njoftojë pedagogun për mospjesëmarrje (siç thuhej në draftin e publikuar nga UT). E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë problem është zhvillimi i provimeve në auditorë. Qeveria duhet t’i kishte marrë me kohë masat e të kishte hartuar një plan që shmang grumbullimet, por lejon studentët të rikthehen të paktën për provime. Por me sa duket fokusi ka qenë diku tjetër”, -sqaron Agaj.

Klodjana Agaj, studente

Vendimi i Rektoratit përcakton se provimet të cilat nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikës së lëndëve do të marrin një miratim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Arsimit për t’i zhvilluar në auditor. Në rast se ky miratim nuk merret, atëherë do të shihet një mundësi alternative ose zhvillimi i provimeve deri brenda muajit qershor.

Më 3 shkurt 2021, Rektorati publikoi një rregullore, e cila shpjegonte të gjithë procedurën e realizimit të provimeve, mes tyre edhe rregulla për sjelljen e studentëve dhe pedagogëve.

Sipas nenit 6 të saj, në pikën 4 dhe 5 përcaktohet qartë rëndësia për të pasur kompjuterin dhe telefonin në dispozicion gjatë provimit.

Rregullorja për procedurën e provimeve online

Për studentin Gëzim Hilaj, student i vitit të dytë në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit, edhe vetë rregullorja është penalizuese për studentët për shkak të mos pasjes të pajisjeve teknologjike.

“Ka studentë që në prag të provimeve online po marrin pajisje me qera për provime, sepse nuk ka mundësi të kenë këto pajisje. Gjatë gjithë mësimit online praktikisht studentët kanë mësuar në mënyre autodidakte. Imagjino pak studentët e vitit të parë që sapo kanë ardhur nga bankat e gjimnazeve, të cilët nuk e njohin mënyrën e provimeve në Fakultet, që është gjë komplet e ndryshme nga gjimnazi”-argumenton Hilaj.

Gëzim Hilaj, student

Pika 8 e nenit 6 të rregullores sqaron ndër të tjera se në rast ndërprerjeje me internetin, njoftohet pedagogu. Nëse nuk mbarohet provimi për shkak të shkëputjes së internetit, mund të ribëhet provimi në një sezon tjetër, duke i hequr kështu mundësinë studentit për ta mbyllur sezonin brenda afat normal të zhvillimit të tij.

Mësimi online është shoqëruar që në nisje me kundërshtime nga studentët, përfaqësues të shoqërisë civile që lobojnë për arsim cilësor, si dhe me anketime që kanë reflektuar vështirësitë e studentëve në këtë proces.

Në një sërë artikujsh, dhjetëra studentë janë shprehur për Citizens Channel se mësimi online është shoqëruar me një sërë pengesash infrastrukturore dhe profesionale. Pengesa të cilat nuk janë reflektuar edhe në nisjen e vitit të ri mësimor.

“I gjithë procesi mësimor është kthyer në një monolog të pedagogeve, dhe mundesia për interaktivitet është e ulët. Mbështetja financiare nga ana e qeverisë për rimbursimin e paketave të internetit dhe pajisjen me mjete teknologjike per studentët që nuk kanë mundësi t’i paguajnë, ka munguar. Së fundmi, krahas vështirësive në mësimin online studentëve u kërkohet që të paguajnë tarifën e shkollimit, ndërkohë që ne nuk po shfrytëzojmë ambientet e brendshme të Fakulteteve”,-sqaron studenti Gëzim Hilaj.

Citizens Channel iu drejtua Rektoratit të Universitetit të Tiranës përmes një kërkese për infomacion, në të cilën i kërkoi informacion për shqetësimet e adresuara nga studentët, sikurse edhe për platformën e përdorur për realizimin e provimeve, transparencën që ofron platforma për të vlerësuar dijet dhe nëse ky proces është i akredituar. Deri në momentin e publikimit të shkrimit, Rektorati nuk ka kthyer një përgjigje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *