Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Sheshi “Veliera” si vulosje e betonizimit në Durrës

Më 22 prill të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi vazhdimin e hetimeve për projektin urbanistik më të debatuar në qytetin bregdetar të Durrësit, sheshin “Veliera”.

Puna për konkretizimin e këtij sheshi ka nisur që në nëntor të 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë.

“Kam bindjen se e gjithë kjo nuk do të çojë gjëkundi, nuk kishte pse zvarritej përreth 4 vitesh dhe të kujtohen gjatë fushatës për rihetim të çështjes”, u shpreh për Citizens Channel avokatja Mirela Jorgo.

Mirela Jorgo

Gjetjet arkeologjike gjatë gërmimeve

Projekti Veliera u akordua të finalizohej fillimisht me një fond 4 milionë dollarë, ndërsa pandemia dhe tërmeti nuk e ndalën Bashkinë e Durrësit të akordonte edhe një fond shtesë prej 850 milion lekësh përgjatë 2020.

Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve në zonën arkeologjike A.

“Unë vetë disponoj fotografi në të cilat dokumentohet, pjesë, blloqe romake, të shkruara në latinisht, të cilat janë përdorur për themelet e godinës”, shpjegon urbanisti Artan Kacani, duke ju referuar gjetjeve gjatë gërmimeve.

Pas 13 seancash gjyqësore, Gjykata Administrative la pezull si kërkesat e Bashkisë ashtu edhe kërkesat e shoqërisë civile për të bllokuar procesin.

“Në gjithë këtë zhurmë të madhe vendosën që të pezulloheshin punimet, që të zbulohej muri antik që lidhte pallatin Fly me Torre Veneciane”, kujton Jorgo.

Në shkurt të 2019, Gjykata Administrative e Apelit vendosi t’i hapi rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke ndaluar gjykimin e çështjes.

“Ajo çka më shqetëson më tepër është mënyra e nxjerrjes së këtyre produkteve, fakti që nuk është lënë të bëhet kërkim shkencor, nuk kam parë asnjë raport, asnjë kërkim shkencor për sa i takon këtyre gjetjeve arkeologjike”, shton Kacani.

Shkëlqimi dhe rënia e Sheshit Veliera

Në kujtimet e qytetarëve të Durrësit sheshi përpara portit kujtohet si lulishtja e parë dhe si ballina kryesore, e cila mbronte qytetin nga sulmet e mundshme detare.

“Duhet të kujtojmë vitet 90 të tranzicionit, ishte një vend takimi ku të rinj dhe të reja grumbulloheshin përpara se të merrnin tragetin e ëndrrave, mbase të perëndimit, ishte vendi ku ishte plot me valixhe, me njerëz që përqafoheshin…”, kujton Artan Kacani.

Ndryshimet aktuale në shesh sipas ekspertëve cilësohen si ndërhyrje komplet jashtë kontekstit të cilat kanë copëzuar lëvizjen fluide të kalimtarëve.

“Në kujtimet e mia ka qenë një lulishte, ka qenë një teksturë urbane, gurë të ndryshëm bardh e zi, kurse sot thjesht kaloj shpejt, s’kam trotuar, nuk kam hije, problem, tmerr”, citon arkitekti Suer Bedeni.

Ndërsa Veliera është drejt përfundimit, banorëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i rikthehen kujtimeve të asaj çka ishin dikur copëzat e trashëgimisë kulturore të qytetit tre mijë vjeçare.

Kristiana Ilia

“Si qytetare e Durrësit dhe si banore prej disa vitesh këtu, do thoja vetëm që mos i çoni kaq shumë dëm paratë kur mund të bëni diçka më funksionale dhe më të përshtatshme me natyrën dhe qytetin”, përfundon studentja e Planifikimit Uban, Kristiana Ilia.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *