Citizens.al

“Thuaja emrin”, marshim në Elbasan kundër vrasjes së grave

“Thuaja emrin” shkruhej në banerin që u shpalos sot në protestën e mbajtur në Elbasan, nga aktivistë dhe qytetarë që marshuan në nder të gjashtë grave të vrara përgjatë 2021.

Marshimi nisi në qendër të Elbasanit, përballë kalasë, duke u ndalur në vendin ku humbi jetën Liljana Bozo për të vendosur lule dhe ndezur qiri, e përfundoi përballë Gjykatës së qytetit.

Foto: Entenela Ndrevataj

“Nuk mund të heshtim përpara femicidit. Këto nuk janë numra, kjo nuk është statistikë, këto janë jetë grash që po përdhosen nga dhuna patriarkale” u shpreh gjatë marshimit Gresa Hasa.

Përgjatë ecjes aktivistët përmendëm emrat e gjashtë grave të vrara: Zhaneta Metani, Kristina Bardhi, Liljana Buzo, Dorina Alla, Fëllënza Shirja dhe Irvana Hyka, të cilat u vranë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre.

“Liljana Buzos jeta iu ndërpre dhunshëm në moshën 54-vjeçare. Ajo u vra nën hundën e drejtësisë. Kjo grua gjeti guximin të kryente denoncimin, të niste procesin e divorcit në gjykatë, të ndiqte cdo hap legjitim për tu shkëputur nga kthetrat e dhunës, ku një lum grash në Shqipëri gjenden ende të ngërthyera”, citohet në komunikatën e shpërndarë online, e cila parapriu organizimin e sotëm.

Aktivistet e grupimit feminist theksojnë se vrasja e grave nuk mund të kalojë më në heshtje dhe kjo protestë e sotme është vetëm një formë sensibilizimi në rrugën e gjatë të ndërgjegjësimit.

“Se ne jemi këtu për njëra-tjetrën dhe do të vazhdojmë të jemi këtu për njëra-tjetrën. Dhe le ta dëgjojë sot Elbasani dhe le ta dëgjojë sot e gjithë Shqipëria”, ishin thirrjet që shoqëruan manifestimin.

Protestueset kaluan në akset kryesore rrugore duke ndaluar në shpesh raste dhe qarkullimin e automjeteve dhe i bënë thirrje kalimtarëve dhe shoferëve për t’u bashkuar.

Anila Cota

“Unë përfaqësoj këtu një institucion edukimi dhe sigurisht që ne bëjmë përpjekje maksimale për një shoqëri të shëndetshme, për një shoqëri ku barazia gjinore të jetë reale dhe jo thjesht e shkruar në letra”, tha për Citizens Channel Anila Çota, drejtoreshë e zyrës arsimore vendore në Elbasan.

Çota theksoi se është e rëndësishme të rikthejmë vëmendjen në tema sociale që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e vajzave, kryesisht që ato të jenë të afta të mbrojnë veten e tyre në çfarëdo situate.

Foto: Entenela Ndrevataj

Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare ta marrë vesh një herë e mirë që gruaja nuk është pronë e burrit, që gruaja nuk është shtojcë e burrit, se jeta, liria dhe pavarësia e gruas i përkasin vetëm asaj dhe askujt tjetër”, tha aktivistja Liri Kuçi.

Përpara mbylljes së protestës aktivistet lyen duart me bojë të kuqe, si simbol i gjakut të derdhur dhe vendosën shenjat e duarve të njollosura në muret e Gjykatës së Elbasanit për të treguar rezistencën e tyre ndaj krimit maskilist.

“Fëmijët janë gjëja më e çmuar që ne kemi, është kapitali i këtij vendi, le t’i ruajmë ato. Po për t’i ruajtur ato, do të thotë që ne të rriturit, burra dhe gra, duhet të japim modele pozitive, të denja për këtë vend dhe për këtë brez të ardhshëm” përfundoi Mirela Gjoni.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *