Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kryt nalt cuca e Mirditës”, manifestim kundër dhunës seksuale në Rrëshen  

Dhjetëra qytetarë nga Mirdita, Lezha dhe Tirana protestuan sot në qytetin e Rrëshenit, kundër dhunës seksuale dhe dhunës të të gjitha formave, si reagim i rastit të bërë publik në datë 18 maj, ku pesë persona akuzohen se kanë përdhunuar një vajzë 15-vjeçare përmes shantazhit dhe dhunës.

Ata u mblodhën fillimisht në qendër të qytetit, në sheshin “Abat Doçi” dhe marshuan përmes lagjeve, ku përcollën vazhdimisht mesazhe solidariteti për të gjithë viktimat, duke theksuar se trauma nuk i shënjon ato.

Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Ti nuk je vetëm”, “Edukoni djemtë” ishin disa nga thirrjet që shoqëruan të gjithë marshimin.

Në komunikatën e lexuar nga aktivistja Erlinda Mesuli, kërkohet prej shtetit dhe shoqërisë dënim maksimal për përdhunuesit, ofrimin e shërbimeve psikologjike si dhe bërjen pjesë të lëndës së edukatës seksuale në programin shkollor 9-vjecar dhe të mesëm.

Gjatë marshimit, teksa mbaheshin paralelisht dy banera të mëdhenj “Bashkë kundër përdhunimit” dhe “Vajzat në rrezik gjithkund, shtet kurrkund”, shumë qytetarë përshëndetën protestuesit e disa të tjerë kundronin prej ballkoneve.

Pjesëmarrës në këtë protestë ishte dhe një i afërm i viktimës, i cili falënderoi qytetarët që iu bashkuan kësaj protestën, duke u shprehur se nuk do të harrojë fytyrat e asnjë prej tyre.

Ai pohoi se familjarisht kanë zgjedhur t’i besojnë drejtësisë, krahas vetëgjyqësisë, e kësisoj kërkojnë dënimin maksimal për përdhunuesit.

Ne si familjar, ne si njerëz me taban, me njerëzillik, i çum në drejtësi. Unë në këtë mes i baj thirrje Presidentit dhe Kryetarit të Parlamentit që të mbledhë Parlamentin, të mbledhë komisionin e ligjeve dhe për njerëz të tillë, te ketë dënim maksimal”, u shpreh i afërmi gjatë fjalës së tij.

Vajzat e mbijetuara nga dhunimi seksual, që marrin shërbime pranë qendrës “Të ndryshëm dhe të barabartë” sollën sot një dhuratë për 15-vjeçarën nga Rrësheni. Ata kishin përgatitur një portret dhe në të kishin shkruar mesazhe mbështetëse drejtuar asaj.

E di sesi ndjehesh, e di se mërzitesh, e di se vuan por e di se së bashku do ia dalim. Buzëqesh!”, ishte njëri prej mesazheve shkruar në copëz të vogël letreje.

Je e fortë, mos u dorëzo. Mbaje kokën lart, jepi forcë vetes, të kam shumë shumë xhan”, ishte një tjetër pusullë e vockël drejtuar së miturës.

Gjatë marshimit, të tjera gra të mbijetuara nga dhuna inkurajuan të gjithë viktimat e abuzimit seksual të denoncojnë dhunën.

Ne jemi të guximshme, ne ia dalim, ne nuk mposhtemi dot”, – tha njëra prej protestuesve.

Portreti dhuratë nga të mbijetuarat e dhunës seksuale, qendra “Të ndryshëm dhe të barabartë”/ Foto: Erisa Kryeziu

Aktivistja Liri Kuçi i mëshoi roli të edukimit në zhbërjen e një sistemi i cili rrit breza të traumatizuar, teksa marshuesit u ndalën para një institucioni arsimor në Rrëshen.

Epo në mundshim, t’ia nisim nga arsimi, t’ia nisim nga shkolla, ta shëndoshim nga pak e pak arsimin, derisa ta shëndoshim të gjithë shoqërinë, bashkë me to, edhe veten. Mos rritshim më breza viktimash por njerëz të lirë që vendosin ku, kur, me kë t’u dojë kokrra e qejfit”, – theksoi Kuçi.

Një pjesëmarrëse nga Mirdita, u shpreh se duhet të reagojmë si shoqëri, pasi rastet e përdhunimit po kthehen në fenomen.

Nëse djali im është dhunues, ai duhet të shkojë para ligjit. Nëse burri im është dhunues, ai duhet të shkojë para ligjit. Nëse mirditori që është vëllai im, është dhunues, ai duhet të shkojë para ligjit”.

Një manifestim paralel u mbajt në të njëjtën kohë edhe në qytetin e Dibrës, ku dhjetëra të rinj e aktivistë marshuan duke shpërndarë mesazhe kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *