Citizens.al

Gjirokastër: Ndërtimi i bypass-it rrezikon statusin në listën e UNESCO për trashëgiminë botërore

“Projekti i një rruge bypass në Gjirokastër është një çështje e njohur, por në kuadër të rëndësisë së ruajtjes të pasurisë së Trashëgimisë Botërore do të shqyrtohet sërish nga Komiteti i ardhshëm i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 44-të të zgjeruar në korrik 2021”,- tha për Citizens Channel Mechtild Rössler, drejtoresha e UNESCO World Heritage Centre.

Bypass-i në qytetin e Gjirokastrës është një projekt që nis nga Ura e Nanxës, monument kulture i ndërtuar një shekull më parë dhe përfundon te Urat e Mëdha në Dunavat.

“Në Gjirokastër ka nisur ndërtimi i bypass-it të shumëpritur të zonës historike, që do ta çlirojë krejt qendrën e qytetit nga makinat”,- u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të punimeve me gjashtë shkurt 2021.

Projekti për bypass-in është përmendur për herë të parë më 13 shtator 2016, i miratuar fillimisht nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, por në sajë të kundërshtimit të specialistëve dhe publikut, qeveria u detyrua të tërhiqej duke deklaruar rishikim e tij..

Më tre tetor 2020 u shpall projekti i ri i miratuar i Bypass-it nga Bashkia Gjirokastër, ku përveç rrugës parashikohet dhe ndërtimi i parkingut nëntokësor nën sheshin “Çerçiz Topulli”. Megjithëatë punimet u pezulluan pak kohë më parë për shkak të zbulimit të disa gjurmëve mijëvjeçare.

Arkitekti Kreshnik Merxhani ka publikuar një sërë fotosh dhe harta historike që dëshmojnë për prezencën e këtyre strukturave.

Sipas tij harta është e vitit 1939, ndërsa fotot me tubime janë në 1937, festimet në 25- vjetorin e pavarsisë. Fotot e tjera janë mes viteve 20′ – 30′ ku duken dhe objektet monumentale që përkojnë me banesat dhe objektet tipike të shekullit 18.

“Si projekti fillestar dhe ai aktual nga pikëpamja e dizavantazheve gjeologjike dhe të peizazhit historik, nga pikëpamja e prishjes së monumenteve dhe afektimit të kodrës së kalasë, janë njësoj të dëmshëm”, – thotë Merxhani për Citizens Channel.

Ai shpjegon se ky projekt cenon të paktën tre ura, atë të Zerzebilit, monument kulture kategoria e parë, dy banesa që janë në krye të lagjes Dunavat, konkretisht objektet e familjes Karagjozi dhe një zonë me potencial të lartë arkeologjik, pasi aty vihet re që në fillim të shekullit 20 kanë ekzistuar struktura ndërtimore të cilat sot duhet të jenë në nivel rrënojash por që janë të pa gërmuara.

Sipas tabelës së vendosur jashtë kantierit ku po kryhen punimet vlera e projektit shkon 3.2 milion lekë të reja, pa TVSH.

 Kundërshtimi ndërkombëtare për ndërtimin e Bypass-it

Më 22 Mars 2021 një grup ekspertësh ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore i dërguan një letër kryeministrit Rama duke i kërkuar ndërprerjen e punimeve të bypass-it. Kjo nismë u ndërmor nga Dömpke Stephan, kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 150 organizatave joqeveritare.

“Nuk kemi marrë përgjigje nga Edi Rama, ne vetëm mund të shtyjmë UNESCO-në që ta vendosë Gjirokastrën në axhendën e sesionit të saj të ardhshëm, që do mbahet në korrik”, – pohon për Citizens Channel Stephan.

Ai shprehet se UNESCO mund të bëjë thirrje dhe të marrë vendime, por kur një qeveri vendos t’i sfidojë ato (megjithëse ka rënë dakord më parë të ndjekë rregullat e Konventës së Trashëgimisë Botërore), nuk ka asgjë që UNESCO mund të bëjë, përveç si hap i fundit, të fshijë një sit nga Lista e Trashëgimisë Botërore.

“Në rastin e Gjirokastrës, qeveria shqiptare e ka provokuar shumë herë tolerancën e UNESCO-s dhe ka përfituar gjithmonë nga inercia e UNESCO-s, për fat të keq”, – përfundoi Dömpke Stephan.

Sipas arkitektit Merxhani, ky projekt  është në shkelje të ligjit ndërkombëtarë të Konventës së Trashëgimisë Botërore ku Shqipëria është firmëtare.

“Neni 172 e përmend specifikisht që nuk mund të ketë asnjë nisje punimesh në këto vendndodhje prona të trashëgimisë botërore, pa u informuar dhe pa u marrë më përpara miratimi nga UNESCO”,- thotë Merxhani.

Bashkia Gjirokastër kthen përgjigje për projektin e Bypass-it

Sipas kërkesës për Informacion që Citizens Channel i ka dërguar Bashkisë Gjirokastër, ata konfirmojnë se projekti i Bypass-it i është dërguar UNESCO-s për opinion nga Ministria e Kulturës

Pavarësisht se UNESCO nuk ka mbajtur ende asnjë qëndrim zyrtar ndaj nisjes së punimeve, do të jetë muaji Korrik që do të zbardhë nëse do të ketë ndryshime apo jo statusi i qytetit të Gjirokastrës, si pjesë e trashëgimisë botërore.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW