Në serinë e tretë të podcastit “Zëra” nga Citizens Channel do të flasim për vendimin e mbledhjes së parë të qeverisë “Rama 3”, atë të krijimit të Agjencisë për Media dhe Informim.
Dëgjo podcastin e plotë:
“Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim të Këshillit të Ministrave e cila bazohet në disa modele të suksesshme në Gjermani, në Itali, por edhe gjetkë, që garantojnë transparencën në lidhje me politikat, me aktivitetet, me projektet, si dhem e qëllimet, objektivat apo problematikat që kanë të bëjnë me aktet apo veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Agjencia siguron njohjen e institucioneve të qeverisjes qëndrore me gjithçka lidhet drejtpërdrejt me publikun dhe qëndrimin e publikut dhe të medias mbi çështje me interes publik”,- u shpreh Kryeministri Rama në mbledhjen e parë të qeverisë më 18 shtator 2021.
Ky vendim ngriti një sërë kundërshtish nga gazetarët dhe organizatat mediatike, duke e konsideruar një “Ministri Propagande” për nga funksioni dhe përgjegjësitë.
“Asgjë më pak e asgjë më shumë se sa krijimi i një ministrie propaganda në frymën e të gjitha ministrive të propagandës nëpër vende gjysmë autoritariste ose autoritariste. Agjenci që i jep të drejtë vetes që me fondet te tatimpaguesve të fillojë dhe të prodhojë informacion të gatshëm pa gazetarë, domethënë pa gazetarë të pavarur dhe jashtë infrastrukturës së zakonshme te medias në një vend demokratik dhe t’ia ngopë këtë informacion qytetarëve kudo që janë, domethënë ndaç në internet, ndaç në median konvencionale”,-u shpreh gazetari i BIRN Albania, Gjergj Erebara.
Gjergj Erebara – BIRN Albania
Për Rezarta Çaushaj, gazetare pranë mediumit Exit.al kjo nismë e qeverisë është një formë centralizimi të informacionit, si një proces përfundimtar pas një serë procesesh të tjera të ndërmarra deri më tani ndaj informacionit dhe medias në tërësi.
“Dhe me rastin e krijimit të agjencisë, tashmë ministritë nuk do të kenë më një zë të pavarur. Dmth sado lloj lirie, sado e kufizuar që ishte më përpara, edhe ajo tani po jua heq qeveria dhe po e centralizon. Tani centralizimi sjell burokratizim dhe centralizimi i informacionit në këtë rast është në radhë të parë tipar i qeverive kryesisht autoritare, sepse qeveritë që janë demokratike, qeveritë që janë të interesuara për ta informuar qytetarin dhe për ta bërë atë palë të procesit vendimmarrës e kanë informacionin të hapur”,- argumenton Çaushaj.
Rezarta Çaushaj – Exit.al
Nismat e qeverisë Rama kundrejt medias kanë nisur më herët me etiketimin fillimisht si “kazan” për shkak të publikimeve të tyre jo të vërteta sipas Kryeministrit, për të vijuar më tej me miratimin e dy projektligjeve më 3 korrik 2019 nën ombrellën e ashtuquajtur “paketa antishpifje”. Kjo paketë synonte të vendoste median online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Për Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, kjo është fryma se si do qeveriset në vijim.
“Fakti që është propozuar që në vendimin e parë të qeverisë të bën shumë të dyshosh që kjo do të jetë praktikisht fryma e gjithë mënyrës se si do të qeveriset Shqipëria. Dhe si frymë unë mendoj se është shumë shqetësuese. Unë besoj se në pamundësi për të çuar përpara paketën antishpifje qeveria po përpiqet të gjejë mjete alternative gjithmonë për të kontrolluar dhe deformuar narrativën publike. Pra këtu kemi një element shtesë, elementi që i jep mundësi qeverisë të ketë një mekanizëm për të deformuar debatin në rrjetet sociale”.
Koloreto Cukali – Këshilli Shqiptar i Medias
Përplasje kompetencash mes institucionesh
Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk u mor parasysh në hartimin e vendimit për krijimin e Agjencisë. Qendra ResPublika iu drejtua me një kërkesë për informacion për të kuptuar rolin e këtij institucioni në hartimin e këtij vendimi.
“Nuk kemi asnjë korespondencë në lidhje më Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin”,-thuhet në përgjigjen e Komisionerit.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit është një institucion i cili mbron të drejtën për tu informuar për cdo gazetar, media apo qytetar.
Anashkalimi i Komisonerit për avokatin Dorian Matlija duhet të shihet si një problem.
“E gjykoj anashkalimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit si problem të madh për sa kohë, krijimi i kësaj agjencie prek edhe cështje të informimit. Më konkretisht prek edhe pjesën proaktive të informimit që zakonisht e njohim nga ligji për të drejtën e informimit si transparenca proaktive, ose le të themi programet e transparencës, janë disa informacione që bëhen publike pa kërkesë të publikut, por prek sigurisht edhe të gjithë informacionet që do të jepen në bazë kërkese, sidomos në rastin e gazetarëve, mediave”,- u shpreh Matlija.
Dorian Matlija – ResPublica
Krijimi i Agjencie sipas avokatit Matlija do të sjelle konfuzion te gazetarët dhe përplasje kompetencash mes institucioneve.
“Për shembull në rastin konkret nëse do të kemi përqendrim të informacionit tek një agjenci atëherë gazetarët me të drejtë do të kenë një lloj konfuzioni”.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).