Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Madheshit rikthehen në vendlindje për të protestuar kundër hidrocentralit që shkreton natyrën

Dhjetëra banorë dhe ish-banorë të zonës së Madheshit në Mat, u mblodhën të shtunën, për të protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit me po të njëjtin emër, “HEC Madhesh”.

Firma private “A.R.M-Albania Sh.p.k” planifikon të fusë në tuba lumin Lunre, degë e fundit e lumit të Matit, i cili derdhet në liqenin e Shkopetit.

Ky takim u ndërmor nga organizata lokale mjedisore “Miqësia Ulëz”  që mblodhi ekspertë të mjedisit, të ligjit dhe komunitetin në mbrojtje të këtij lumi.

Organizata mjedisor “Miqësia UIëz” bën bashkë ekspertë ligjorë, mjedisorë dhe komunitetin

Më pas, komuniteti dhe ekpertët zhvilluan një protestë simbolike në terren. Mark Lleshi, pjesëmarrës dhe ish-banor i Madheshit, u shpreh për Citizens Channel se marrja e ujit për ata nënkupton marrjen e jetës. Ndonëse është larguar nga fshati Madhesh, Lleshi planifikon të kthehet sërish në vendlindje.

Dun me ardh me na marrë ujin, me na marrë shpirtin, me na marrë familjen. Se ne si të na marrin ujin, na i kanë marrë të gjitha!”, – citon Mark Lleshi.

Mark Lleshi, protestues

Të njëjtin shqetësim ngre edhe Frrok Leshaj, ish-banor i Madheshit. Frroku thotë me krenari se ky fshat ka një histori të gjatë dhe të pasur, ku lumi nuk është prekur, por i ka shërbyer komunitetit.

E në dashtë ujë ky popull, ku të përplaset?”, – ngre pyetjen Leshaj.

Ky është uji që e kemi kalue me qindra vjet, të parët tonë. Pa ujin s’ke jetesë moj lum bija ime. S’ke jetesë!” – vijon më tej ai.

Frrok Leshaj, protestues

Në Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis, thuhet se e gjithë rrjedha do të shkojë për prodhim energjie.

Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zone“, shkruhet në dokumentin jo teknik për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të këtij hidrocentrali. Në VNM po ashtu theksohet se fshati është shumë pak i banuar, si pasojë e emigracionit.

Screenshot nga Vlerësimi Paraprak i Ndikimit në Mjedis

Martine Miza, pjesë e kësaj proteste, shprehet se përdorimi i të gjithë ujit për qëllime hidrike, do të ndikojë në biodiversitet.

Në të gjithë rrjedhën e ujit ushtonte peshku. Në qoftë se ajo rrjedhë do të ndalohet, peshku do të jetë shumë në dëm”, – cilëson Miza.

“Gjyshi kur ka ik nga këtu thoshte: ‘Më shumë më vjen keq për liqenin dhe për peshkun sesa për shtëpinë që po lej’. Ne duam që të na shtohet uji, jo të na marrin edhe atë që kemi”, – përfundon ajo.

Martine Miza, protestuese

Eksperti mjedisor Abdulla Diku ishte i pranishëm po ashtu në këtë protestë. Ai u shpreh se bërja e një tjetër HEC-i nuk i jep zhvillim zonës së Madheshit, pjesë e njësisë administrative Ulëz.

Zona e Ulzës është ndër më të bukurat që ka Shqipëria, kështu që nuk është hidrocentrali e ardhmja por është turizmi. Kudo të shkosh ka destinacione turistike, nuk ka destinacione hidrocentralesh”, – tha eksperti gjatë fjalës së tij.

Në mbështetje të banorëve ishte dhe aktivisti nga zona e Zall-Gjoçajt Dhimitër Koleci, i cili prej tre vitesh është angazhuar në mbrojtje të lumenjve Flim dhe Urakë, në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”.

Gjykata Administrative e Apelit së fundmi mori vendim në favor të komunitetit dhe i hoqi licencën firmës “Seka Hydropower” për prodhim energjie përmes hidrocentralit “Zais”.

Po të luftoni, po të jeni të bashkuar po ta ndjeni vetë në shpirtin e familjeve tuaja që ai ujë është i juaji, jo i atyre keni për të fituar”, – u tha Dhimitër Koleci banorëve të Madheshit.

“Dëgjesë publike në kohë karantine”

Dëgjesa publike me banorë të Madheshit është kryer me datë tetë prill, 2020, gjatë periudhës ku lëvizja qytetare ishte kufizuar, ndërsa grumbullimet politike ndaloheshin me aktin normativ të datës 15 mars, si pasojë e pandemisë.

Sipas kompanisë private “A.R.M-Albania sh.p.k”, 13 vetë kanë marrë pjesë në këtë dëgjesë publike dhe kanë shprehur dakordësinë për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Nga ana tjetër, banorë dhe ish-banorë u angazhuan dhe mblodhën 84 firma kundër HEC-it. Ata akuzojnë kompaninë se ka kryer dëgjesë publike në një kohë kur ato ndaloheshin me ligj dhe se ka konflikt interesi, pasi disa prej firmëtarëve rezultojnë punonjës të Bashkisë Mat.

Citizens Channel kontaktoi me përfaqësues të kompanisë private “A.R.M-Albania sh.p.k” dhe këta të fundit u shprehën se dëgjesa publike është kryer konform ligjit dhe se banorët mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre në rrugë ligjore.

Nga ana tjetër, banorët i janë drejtuar dhe Agjencisë Kombëtarë të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Përmes një shkrese zyrtare, drejtori i AKZM-së Zamir Dedej shpreh mbështetjen ndaj komunitetit dhe u sugjeron banorëve t’i drejtohet Bashkisë Mat, pasi projekti nuk bie në zonë të mbrojtur dhe administrohet nga bashkia.

Në vitin 2017, Drejtoria e Politikave të Zhvillimit Ekonomik të Bujqësisë dhe Pyjeve dha dakordësinë për vazhdimin e procedurave për t’u pajisur me leje firma “A.R.M-Albania Sh.p.k” për ndërtimin e “HEC-it Madhesh”.

Në këtë dokument, cilësohet se projekti zhvillohet në zonën e mbrojtur “Liqeni i Ulëzës Rezervat  Natyror i Menaxhuar”. Një vit më vonë, firma aplikoi për heqjen e 7,531 km tokë nga ky rezervat natyror, sipërfaqe që do të përdorej për hapje kanalesh dhe shtrim tubacionesh. Kjo kërkesë u miratua.

Komuniteti i Madheshit prej një viti kundërshton ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe punimet në terren ende nuk kanë nisur.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *