Citizens.al

Sindikata e Minatorëve: “Albchrome iku duke lënë pas shfrytëzimin dhe vdekjet e minatorëve”

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka reaguar të martën për largimin e kompanisë Albchrome në pronësi të Samir Manes, nga minierat e Bulqizës. SMBB ka pasur dhe çështje gjyqësore më këtë kompani, pasi ka hequr nga puna në mënyrë të padrejtë, për shkak të organizimit sindikal disa minatorë.

Sindikata shprehet se kompania Albchrome u largua, por “mbeten shfrytëzimi, padrejtësitë dhe vdekjet e minatorëve gjatë administrimit të saj”.

Sindikata ka renditur disa shkelje për të cilat kjo kompani do të mbahet mend.

  1. Favorizimin flagrant nga shteti
  2. Vdekjet dhe aksidentet në punë
  3. Shfrytëzimi barbar i rezervave të kromit
  4. Lufta e ashpër ndaj sindikalizmit

Sindikata e Minatorëve u themelua në 2019, ku nisi dhe beteja ligjore me kompaninë Albchrome.

Foto nga protesta e minatorëve në 26 janar 2020

Në deklaratë minatorët përmendin, grevën disa ditore për të cilën shprehen se kompania Albchrome iu kundërvu.

Grevës disaditore të minatorëve iu kundërvu kompania, institucionet shtetërore në shërbim të saj, sindikatat e korruptuara të Kol Nikollës dhe Gëzim Kalasë. Vijoi një proces i gjatë falsifikimesh dokumentacioni prej aktorëve të lartpërmendur, kërcënime e presione të paskrupullta ndaj punëtorëve, vetëm e vetëm për të mos lejuar organizimin e tyre të pavarur. Mediat heshtën turpshëm prej parave të oligarkut Samir Mane”, thuhet në deklaratën e SMBB.

Foto nga greva e urisë së minatorëve në 23 shkurt 2020

Në reagim, sindikata u bën thirrje minatorëve të bashkohen për të kërkuar të drejtat e tyre. 

“Sot, pas nëntë vitesh, pronari i Albchrome-it Samir Mane është disafish më i pasur, ndërkohë që lë pas minatorë të keqpaguar, të gjymtuar dhe të kërcënuar, burime minerare të keqshfrytëzuara dhe një gërmadhë sociale në Bulqizë. Fitimet e tij marramendëse nga kromi i Bulqizës investohen jashtë Shqipërisë”, thekson sindikata.

Beteja ligjore me kompaninë e Albchrome dhe rezistenca e minatorëve

Beteja e Sindikatës së minatorëve nis fill pas krijimit të kësaj sindikate të pavarur. Pesë ditë pas themelimit të saj në 2019, nis dhe një betejë e gjatë dhe e vështirë për minatorët, e sidomos minatorët sindikalist, të cilët pushohen nga puna nga kjo kompani.

Kompania shkarkoi fillimisht kryetarin e sindikatës Elton Debreshin, dhe më pas  tre anëtarë të Këshillit Sindikal,Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën. Albchrome, në qëndrimet e saj pas shkarkimit të 4 minatorëve, u shpreh se nuk kishin lidhje me krijimin e sindikatës.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vendosi në nëntor 2020 se minatorët Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi, të dy anëtarë të Këshillit Sindikal të SMBB-së, ishin shkarkuar nga puna “pikërisht për shkak të përkatësisë në sindikatë”.

“Pushimet e paligjshme nga puna i kemi paditur në gjykatë, ku kemi kërkuar dëmshpërblim, po ashtu edhe te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pas shumë zvarritjeve nga gjykatat, presioneve e ndërhyrjeve nga kompania, njëri prej proceseve gjyqësore ka përfunduar. Beqir Duriçi ka fituar gjyqin e shkallës së parë dhe duhet të dëmshpërblehet nga Albchrome”, tha Sindikata në një reagim në lidhje me këtë çështje.

Më 23 gusht të këtij viti, Gjykata e Tiranës pranoi pjesërisht padinë e minatorit Beqir Duriçi kundër kompanisë Albchrome. Gjykata i dha atij 14 paga dëmshpërblim, për shkarkimin të padrejtë nga puna. Po ashtu gjykata vendosi masë dëmshpërblimi 1 pagë për moszbatim të afatit të njoftimit dhe e detyroi kompaninë të paguaj 91 për qind të një page mujore si pagë të 13 për minatorin.

Kjo ishte një fitore për minatorët, të cilët kishin nisur një betejë të vështirë me Albchrome.

Çfarë ndodh me minatorët pas largimit të Albchrome?

Elton Debreshi, krytear i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar  të Bulqizës, i tha Citizens se mënyra se si është bërë shitja e kompanisë “është absurde”.

“Është dicka që nuk më duket serioze, një kalim prone pa ndërhyrje të shtetit pa asgjë”, tha Debreshi sa i takon shitjes.

Për kompainë turke Yildirim International Mining Investments B.V, Debreshi tha se kanë pasur zero informacion.

Në lidhje me ndikimet që do të ketë ky ndryshim tek minatorët, Debreshi tha se do të ketë ndryshime administrative, nisur nga ajo që ka ndodhur më herët kur ndryshojnë kompanitë.

Foto: Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

“Mund të ketë ndryshime në pozicione të punës, në këtë aspekt nuk ka ndonjë ndikim të madh tek minatorët, por ajo që më shqetëson mua është se historia e ka treguar se kur ndyrshojnë kompanitë ka probleme më pas, kompania që vjen asnjëherë nuk është më e mirë se ajo që ikën.Unë mendoj se kjo do jetë edhe më keq se Albchrome, më vjen keq ta them por minatorët i pret i njejti fat si naftëtarët e Ballshit”, u shpreh Debreshi për Citizens.

Ai përmendi rastin e kompanive DARFO Albania dhe TurAlb. Debreshi tha se ka pasur protesta nga minatorët dhe kompania u largua pa paguar pagat e minatorëve.

Sipas Debreshit është “duke u ricikluar i njëjti sindikalizëm” edhe me kompaninë e re që po vjen, pasi sipas tij është duke lidhur marrëveshje me sindikatat e vjetra, të cilat i konsideron të kapura nga pronari dhe politika.

Debreshi përmendi një problem që ekziston tek miniera, që sipas tij ka qenë dhe shtysa e Albchrome për të bërë shitjen. “Gazi i hidrogjenit është një problem që rrezikon jetën e minatorëve dhe e kemi parë që janë shtuar aksidentet vitet e fundit. Kromi po zhytet poshtë dhe situata është shumë e përkeqësuar”, tha Debreshi.

Beqir Duriçi, anëtar i Këshillit Sindikal të SMBB i cili është hequr nga puna nga kompania Albchrome, i tha Citizens se problematikat e minatorëve nuk janë vetëm katër që ata kanë renditur në deklaratë.

Beqir Duriçi, anëtar i Këshillit Sindikal të SMBB

Ai tha se në momentin e ndërrimit të një kompanie ekziston rreziku i një marrëveshjeje me sindikatat e vjetra, të cilat sipas tij janë të kapura dhe pasojat janë në kuriz të minatorëve.

“Edhe ne kur themeluam SMB patëm infiltrime që ne të tërhiqeshim dhe të bashkoheshim me ta për të mos ngritur zërin dhe nga kjo erdhi një përplasje me të dyja sindikatat, po ashtu edhe Samir Mane që i shtynte nga mbrapa me gjith forcën dhe pushtetin”, u shpreh Duriçi.

Xhuliano Bregasi (në të majtë), aktivist i Organizatës Politike

Xhuliano Bregasi, aktivist i Organizatës Politike i pyetur nga Citizens në lidhje me ndikimet që do të ketë largimi i kompanisë Albchrome u shpreh se: 

“Ne njohim kompaninë që iku por nuk njohim kompaninë që vjen, deri më tani e vetmja mënyrë për të njohur kompaninë e re është me sindikatën që kjo do të lidh kontratën kolektive. Sindikata e vjetër ka qenë sindikata e Kol Nikollës dhe Taf Kolecit. Kontrata kolektive nuk ka nisur ende por dimë që, që kur është folur për kalimin e pronësisë tek kompania turke, sindikata e Gëzim Kalasë ka filluar me dreka dhe darka me punëtorët”.

I pyetur në lidhje me përpjeket e sindikatës për krijimin e kontratës kolektive, Debreshi tha se kjo është një nga prioritetet e SMBB-së si me komapninë Albchrome dhe sigurisht qe do të jetë edhe me kompaninë tjetër.

“Kompanive nuk ju intereson firmosja e kontratës kolektive me sindikatën tonë, sepse e shohin si rrezik për interesat e tyre private. Ne nuk dimë akoma asgjë zyrtare që kanë nisur procedurat për firmosjen e kontratës më sindikatat e tjera, por nisur nga historiku i mëparshëm dhe disa informacione jo zyrtare, ka shumë mundësi të ndodh kështu”, tha Debreshi.

Kreu i SMBB, shtoi se sindikata e tyre nuk e ka ndaluar dhe po vijon aktivitetin e saj dhe në çdo rast padrejtësie ashtu si me kompaninë e vjetër dhe me atë që do të vijë, do të veprojë njësoj, sepse në interes të tyre është vetëm minatori.

Sa i takon arsyeve që kanë ndikuar në largimin e Albchrome, Bregasi u shpreh se nuk e di nëse ka ndikuar fitimi në heqjen dorë nga miniera më shumë se sa prishja e imazhit që mund t’i kenë shkaktuar vitet e fundit, vdekjet në minierë apo edhe përplasja me sindikatën.

“Gjatë këtyre dy viteve që nga themelimi i SMBB, gjatë protestave, gjyqeve dhe përplasjeve me minatorët, Mane mund të ketë patur humbje aspekte të tjera, që do të thotë këto haraçet që u paguan mediave për të mos nxjerr lajme nga greva nga protestat, apo dëmet në imazh që ai ka, një aksident apo vdekja që ndodhi herën e fundit, ai ka dëme në imazh dhe mendoj se i intereson më shumë imazhi se sa fitimi”, tha Bregasi.

Bregasi tregoi se Samir Mane ka investuar shumë në hapjen e thellësisë së niveleve, edhe sipas tij është “pak kontradiktore që investon për të hapur nivelet e shfrytëzimit për të shkuar sa më thellë për të shfrytëzuar dhe pastaj e lë”.

Albchrome i la vendin kompanisë turke Yildirim International Mining Investments B.V.”

Në një njoftim për shtyp Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se Balkan Finance Investment Group SHPK depozitoi kërkesën pranë këtij institucioni për kalimin e kontrollit nga shoqëria Albchrome Holding SHPK drejt asaj turke.

Grupi në fjalë është një biznes në pronësi të familjes turke Yildirim. Yildirim Group zotëron dy kompani të tjera të industrisë së kromit, ETI KROM, që shfrytëzon burimet në zonën e Elazig të Turqisë dhe VOSKHOD CHROME, kompani që shfrytëzon burimet e nxjerrjes së këtij minerali në Kazakistan.

Citizens Channel i kërkoi edhe kompanisë Albchrome një reagim në lidhje me arsyet e largimit të kompanisë nga minierat e Bulqizës, deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.

Sakaq, Yildirim, planifikon të përfundojë blerjen e AlbChrome deri në fund të janarit. Kështu tha presidenti dhe shefi ekzekutiv, Robert Yildirim, për MetalBulletin.com.

“Ne do të përfundojmë blerjen muajin e ardhshëm. Ne shpresojmë se do të jetë nga mesi i janarit ose deri në fund të muajit,” tha Yildirim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *