Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nga “Park Kombëtar” në “Park Natyror”, premtimet e pambajtura për lumin Vjosë

Një sipërfaqe prej rreth 8000 hektarësh tokë nga lugina e lumit Vjosë u shpall sot “Park Natyror”. Vjosa, së bashku me lumin e Shalës dhe Munellën, do të marrin të njëjtën mbrojtje ligjore. Sipas ligjit 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, “Parku Natyror” është mbrojtje e kategorisë së katërt, ku ndalohen:

Ndryshimet e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore

Shfrytëzimi dhe zënia e zonës me aktivitete që bien ndesh me qëllimet për të cilat ajo është marrë në mbrojtje

Gjithashtu, Thethi, lumi i Gashit apo Valbona do të kenë një riorganizim të hapësirave të mbrojtura me ligj, që më parë ishin të copëzuara, duke i bashkuar në një territor më të gjerë, që do të shkojnë në 20 mijë hektarë tokë.

Historiku i premtimeve të pambajtura për lumin Vjosë

Ishte viti 2015, kur Kryeministri Edi Rama, në një takim në Tepelene u shpreh se qeveria e tij po punon që të shpallë rrjedhën e lumit Vjosë “Park Kombëtar”, në mënyrë “që të frenohet barbarizimi i kësaj mrekullie natyrore përmes ndërtimit pakuptim të hidrocentrale pas hidrocentralesh”.

Prej atij viti, Vjosa ka qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të hidrocentraleve dhe nën presionin konstant të organizatave mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare që të ruhet lumi i fundit i egër në Evropë.

Sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, territoret e shpallura “Park Kombëtar”, kategoria II, kanë një mbrojtje më të lartë ligjore, pasi janë territore unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë kategori, po ashtu, ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve.

Në shtator të vitit 2020, Kryeministri Rama përsëriti sërish se qeveria e tij po bën çmos për ta mbrojtur Vjosën, duke e vijuar më tej reagimin e tij me një gënjeshtër; ai pohoi se Ministria e Mjedisit e kishte shpallur pjesën e sipërme të Vjosës “Park Kombëtar” dhe po punonin që të integronin në park edhe pjesën e poshtme të Vjosës.

Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!

— Edi Rama (@ediramaal) September 25, 2020

Postimi i Kryeministrit Rama nuk u pasua nga asnjë dokument i miratuar që do ta kthente në vepër premtimin e tij të vazhdueshëm, çka bëri që aktivistët dhe organizatat mjedisore të vazhdonin me fushatën për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Deklaratat pa vendime të miratuara vijuan edhe gjatë fushatës elektorale. Në prill të 2021, ish-Ministri i Mjedisit, përmes një deklarate kontradiktore dhe të paqartë, cilësoi një tjetër mbrojtje ligjore për Vjosën, ku u premtua kategoria e pestë “Peizazh i Mbrojtur”.

Në një zonë të shpallur “Peizazh të mbrojtur” mund të ndërtosh përmes një leje të marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Aktualisht, në Vjosë-Nartë, një zonë e shpallur “Peizazh i Mbrojtur” po ndërtohet aeroporti i Vlorës, i cili po ashtu ka hasur kundërshtime nga organizata mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Vendimi i sotëm i publikuar është dokumenti i parë i miratuar, pas vitesh premtime për kategori të ndryshme mbrojtjeje ndaj lumit Vjosë.

Statusi i miratuar për lumin Vjosë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *