Citizens.al

“Kur do të vijë uji?”; Qytetarët i paguajnë dyfish premtimet e shkelura për ujin e pijshëm

Premtime për furnizimin me ujë 24 orë në shtatë ditë të javës në çezmat e banorëve të Tiranës u shty edhe me katër vite. Së fundmi, Bashkia Tiranë ka lidhur një kontratë me Bankën Evropiane për Investimeve, marrëveshje që, sipas ekspertëve nga Ujësjellës Kanalizimeve, do t’i japë zgjidhje situatës në vitin 2024.

Qeveria Shqiptare sapo firmosi një kontratë me Bankën Evropiane për Investime, ku u morën rreth 80 milion euro kredi për t’u investuar në rrjetin e ujit të pijshëm për Tiranën”, – u shpreh së fundmi Elton Kacidhja, Drejtor i Ujësjellës – Kanalizime, Tiranë, duke shtuar se investimi është në total 144.5 milion euro, ku parashikohet shtimi i një burimi të ri.

Në realitet këto premtime duken shumë larg. Tirana vazhdon të vuajë mungesën e ujit, ndërsa Raporti i performancës së Entit Rregullator tregon se në Shqipëri janë vetëm 8 qytete që furnizohen me ujë 24 orë, ndërsa niveli mesatar i furnizimit u rrit me vetëm 30 minuta gjatë vitit 2020, duke shkuar në 13.8 orë/ditë.

Në Tiranë, Plani i Biznesit 2017-2021 i realizuar nga UKT, premtonte se rritja e çmimit do siguronte ujë 24/7 brenda vitit që shkoi.

“Hajde uji, erdhi uji”

Premtimet se shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë 24 orë, shtatë ditë të javës, prej kohësh kanë jehuar në programet politike, por realiteti duket ende problematik. Qytetarët e Tiranës, por edhe të rretheve të tjera, bashkërisht ndajnë problematika sa i përket orarit të furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij.

Citizens Channel publikoi muajin e kaluar pyetësorin përmes mjetit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar), rreth 50 qytetarë nga rrethe të ndryshme te Shqipërisë ndanë problematikat me furnizimin me ujë.

Uji i pisët, me gurë. Bllokohet lavatriçja edhe çdo pajisje. Për gatim jo e jo”, – shkruan Dionis Oruci, një qytetar nga Tirana.

Përveç kostos së lartë, problemi është që blejmë ujë të pakontrolluar për shëndetin, të ambalazhuar në shishe plastike …. dhe mbajmë pesha të rënda. Paguajmë për ujë të pijshëm nga ujësjellësi, nuk na vjen i tillë”, – ankohet në vijim një tjetër qytetar.

Pyetësori është plotësuar nga banorë të qyteteve si: Tiranë, Kavajë, Vlorë, Kuçovë, Fier, Durrës, Lezhë, Berat, Gjirokastër dhe Rrëshen.

Emëruesi i përbashkët qëndron në faktin që uji që vjen në çezme konsiderohet i papijshëm dhe pjesa dërrmuese e tyre detyrohen ta blejnë atë, duke shtuar një faturë të dytë në koston mujore. Shumica e tyre, (17) u shprehën se blejnë ujë të ambalazhuar, marrin ujë nga burimet (5), pinë ujë të filtruar (3) ose blejnë ujë nga autobotet (4).

“Tiranë: rritja e çmimit me 44% nuk plotësoi premtimin për 24 orë ujë”

Depozitat mbi një bllok pallatesh në Tiranë/ Foto: Xhemali Moku – Citizens Channel

Në Tiranë, konsumatorët familjarë paguajnë 65 lekë/m³ vetëm ujin, ndërsa kanalizimet 11 lekë/m³; pra në total 76 lekë/m³. Nga tarifa e kanalizimeve janë të përjashtuar klientët nga njësitë administrative Shëngjergj, Zall Bastar, Zall-Herr, Petrelë dhe fshatrat e thella të Kashar, Vaqarr, Farkë, Krrabë dhe Dajt.

Në vitin 2018, tarifa e ujit u rrit me 44%, duke kapur çmimin që ka sot; 76 lekë/m³. Uji në kryeqytet u rrit me 20 lekë për m3 shoqëruar nga 200 lekë tarifë fikse në muaj, e cila para vitit 2018 ishte 100 lekë. Kjo rritje u bë me pretendimin që në vitin 2022, qyteti i Tiranës do të kishte furnizim 24 orë me ujë.

Reporter.al raportoi në vitin 2020 se në fakt një pjesë e rëndësishme e të ardhurave shtesë nga rritja e tarifave shkuan për pagat e administratës të cilat u rritën me 14% dhe kostot e materialeve që u rritën 159%.

Pse banorët hezitojnë të pinë ujë nga çezmat e tyre?

Unë i kam bërë analizat në laborator privat dhe është ujë skandaloz. Po ta pish rreth një vit, dy vjet të shfaqen sëmundje në veshka”, – thotë për Citizens Channel Klajdi Qehaja, banor i Tiranës.

Ne faturohemi për ujë të pijshëm, ne ndërkohë që uji nuk pihet!”, – cilëson Qehaja, i cili shpenzon rreth 3000 lekë në muaj për të blerë ujë të ambalazhuar për konsum personal. Sa i përket faturës mujore, ai paguan më shumë se 3000 lekë në muaj për furnizim me ujë në banesë, i cili vazhdon të jetë me orare.

Foto e dërguar nga një qytetare përmes platformës ECR. Rezistenca e boilerit e kalcifikuar nga uji i ndotur.

Qytet Studenti, Sauku, rruga e Elbasanit, Selita, zonat nga ana e lumit të Lanës kanë ujë të pijshëm. Pjesa tjetër e Tiranës, nga humbjet e rrjetit, nga degradimi i rrjetit bëhet i papijshëm”, – shprehet për Citizens Channel një specialist nga UKT-ja i cili nuk dëshiron të identifikohet.

Specialisti shpjegon se nga burimi uji del i pijshëm, por humbet në rrjet dhe si pasojë e tubacioneve dhe depozitave, ai kthehet në ujë të papijshëm.

Gjykata: Uji në Tiranë gjatë viteve 2015 – 2017 ishte i papijshëm

Qendra “Res Publica”, së bashku me shoqatën “Impetus”, iu drejtuan gjykatës së Tiranës për të detyruar ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë që të kryejë të gjitha analizat për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës, sipas standardeve të vendosura me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Vendimi nr. 379, “Për miratimin e rregullores ‘Cilësia e ujit të pijshëm'”, në nenin gjashtë të saj përcakton:

Neni 6 “Kriteret e ujit të pijshëm”

  1. Uji i pijshëm duhet të jetë i shëndetshëm dhe i pastër.
  2. Uji i pijshëm plotëson kërkesën e pikës 1, nëse: a) nuk përmban mikroorganizma, parazitë apo ndonjë lëndë tjetër, e cila, në sasi apo në përqendrim, përbën një rrezik potencial për shëndetin publik

Pala paditëse ka kërkuar rezultatet e matjeve periodike të cilësisë së ujit për tre vite, 2015-2017. Gjatë kësaj periudhe, rezultoi se matjet nuk janë kryer në mënyrë të rregullt. Sa i përket bakterit escherichia coli, janë bërë matje për 590 ditë, ndërsa 265 ditë nuk është matur. Nga testet e kryera rezulton se vetëm në vetëm 58 ditë parametrat e ujit kanë qenë brenda standardit.

Sa i përket elementit klor, ai është matur për 581 ditë, ndërsa për 261 ditë matja nuk është kryer. Rezultatet tregojnë se vetëm në 10 ditë, klori ka qenë në parametrat e duhura.

Pas këtij konstatimi, në muajin maj të vitit 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë urdhëroi UKT-në të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë.

Këto rezultate më pas do të dërgohen te Instituti i Shëndetit Publik dhe po ashtu të raportojë te “Qendra Res Publica” dhe shoqata “Impetus” rezultatet periodike të analizave si dhe masat që do të marrë kjo ndërmarrje që do të çojnë në garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.

UKT-ja ka ankimuar vendimin dhe momentalisht, masat e dhëna nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk po implementohen, shpjegon për Citizens Channel avokatja Irena Dule nga organizata “Res Publica”.

Ne kemi dyshime që po t’i hysh vetë analizave në laborator të akredituar dalin akoma më shumë probleme, por këto janë analiza që vetë UKT-ja ka bërë”, – vijon më tej Dule.

Përtej kryeqytetit: Uji sërish i papijshëm

Citizens Channel ka realizuar tre intervista me banorë te tre Bashkive; Lezhës, Kuçovës dhe Fierit. Fatmir Ndreca nga Lezha u shpreh se megjithëse ka 24 orë ujë në shtëpi, ndryshe nga Tirana, ai sërish nuk mund ta konsumojë atë.

Ujë të pijshëm, gjoja të pijshëm, po unë në fakt nuk mundem me e pi. Nuk asht i pastër. Detyrohem me shku me e mbush te burimi dikun larg ose me e ble”, – tregon Ndreca për Citizens Channel.

Fatura e tij mujore luhatet nga 1300 lekë deri në 3000 lekë, ndërsa detyrohet të mbushë dy herë në javë rreth 30-40 litra ujë te burimi afër shtëpisë së tij.

Ndërsa Sajmira Koxhaj nga Ura Vajgurore, në Kuçovë shprehet se në shtëpinë e saj nuk ka ujë. “Këtu te shtëpia ime vjen një metër kub ujë”, – rrëfen Koxhaj për Citizens Channel, teksa tregon se çdo muaj i paguan taksat që vijnë bashkë me faturën e ujit.

Këtu, e di kur ka ardhur ujë? Kur ka pasur fushatë elektorale, kemi pasur një muaj ujë. Dy herë në ditë na vinte”, – shpjegon më tej ajo. Sa i përket përdorimit të ujit për funksione të tjera rreth shtëpisë, ajo përdor ujin nga pusi. Për të pirë, Koxhaj tregon se ajo blen ujë nga botet.

Fatura e ujit për familjen Koxhaj për muajin shtator, 2021

Specialistët vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin e cilësisë së ujit të boteve, që janë të palicencuara dhe uji është i pakontrolluar.

Ndërsa në Fier, problemi i një qytetari në lagjen “1 Maji” është i një natyre tjetër. Ai tregon se paguan një vlerë afrofe për furnizimin me ujë 24 orë në shtëpinë e tij, në mungesë të pasjes së sahatit. Prej muajit dhjetor të vitit 2021, tarifa mujore nga 2350 lekë, u rrit në 3130 lekë në muaj.

U interesova, shkoj te zyra që kanë ata për shërbimin e klientit dhe më thanë që është rritur vetëm për ju që nuk keni sahat”.

Në rregull u thashë, unë që s’kam sahat nuk është faji im. Është faji i shtetit sepse ai duhet të vijë të më vejë matësin e ujit”, – rrëfen më tej për Citizens Channel qytetari i cili nuk dëshiron të identifikohet. Uji, tregon më tej ai, sigurisht nuk është i pijshëm, çka e detyron të blejë ujë.

Njoftimi i Ujësjellës Kanalizime për rritjen e tarifës afrofe, Fier

Me vete vlera te 3000-4000 lekë në muaj gjatë verës. Nga dimri vlera është diçka më e ulët se konsumi i ujit është më i pakët”, – thotë banori i Fierit, i cili e cilëson të padrejtë rritjen e tarifës.

Në një farë mënyre mua më lind dyshimi që unë po paguaj për individë, apo për VIP-a, lokal që nuk paguajnë”, – përmbyll qytetari.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW