Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Madheshit mblidhen kundër digave që do t’i heqin ujin për vaditje

Komuniteti i Madheshit, i angazhuar në mbrojtje të lumit të Lunresë në Mat nga ndërtimi i hidrocentralit “HEC Madhesh” u mblodh një javë më parë për të diskutuar ndikimet e mundshme në biodiversitet dhe në jetën e banorëve, në rast se projekti që parashikon ngritjen e dy digave do të realizohet.

Në takimin e ndërmarrë nga organizata mjedisore lokale “Miqësia Ulëz” morën pjesë edhe ekspertë ligjorë dhe ekspertë të mjedisit.

S’po fut ujë në tuba, por po fut një popull në tuba!”, – u shpreh gjatë takimit i moshuari Frrok Lleshaj. “Vetëm po s’gjetën burim se dhe popullin e ke fut në tuba”, – vijon më tej ai.

Frrok Lleshaj, pjesë e komunitetit që kundërshton “HEC-in Madhesh”

Aktualisht, punimet në terren nga firma private “A.R.M Sh.p.k” nuk kanë filluar ende, pasi leja tre-vjeçare për përdorim të burimeve ujore nga subjekti privat ka skaduar në vitin 2020. Firma private nuk ka mundur të nisë me punimet pasi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) nuk ka e miratuar ende lejen e ndërtimit për këtë HEC.

Si pasojë e mos pajisjes me leje ndërtimi brenda afatit kohor prej dy vitesh për fillimin e punimeve, “A.R.M sh.p.k” i është nënshtruar nga e para procedurës se Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).

Çfarë ndodh nëse miratohet leja nga Këshilli Kombëtar i Mjedisit?

Nëse ti ndryshon sasinë e ujit, ti ndryshon praktikisht mënyrën si jetojnë gjallesat. Kemi ndikime në habitate bimore, kemi ndikime te peshqit dhe ndryshim të sistemit”, – i tha banorëve Spase Shumka, eksperti i biologjisë ujore gjatë.

Ai paralajmëron së nëse ky projekt hidrik përfundohet, ndikimi do të jetë i madh në biodiversitet.

Së pari, ulet sasinë e oksigjenit për arsye se ka më pak ujë në lumë dhe rritet temperatura. Në qoftë se rritet temperatura, kuptohet që oksigjeni zvogëlohet”, – shpjegon Shumka për Citizens Channel.

Spase Shumka, ekspert i biologjisë ujore

Peshq si troftat, gurneci i Shkodrës, gjuza, barkgjera dhe specie të tjera, padyshim që do të ndeshen në një situatë ku nuk do të kenë mundësi të mbijetojnë”.

Eksperti Spase Shumka shpjegon se “HEC-i Madhesh” cenon specie endemike, ndërsa komunikon se aktualisht tjetërsimet e lumenjve po shoqërohen me shfaqjen e disa specieve aliene që janë edhe vektorë të transmetimit të sëmundjeve edhe për njerëzit, jo vetëm për gjallesat e tjera ujore.

Komuniteti po e ndjek çështjen në rrugë ligjore

Dorina Ndreka, përfaqësuesja ligjore e komunitetit nga Klinika e Ligjit, u shpreh se komuniteti i Madheshit në Mat ka ngritur dy padi pranë Gjykatës Administrative të Tiranës.

I kemi kërkuar gjykatës të konstatojë shfuqizimin e kësaj lejeje për shkak të mbarimit të afatit. Jemi ende në proces, procesi sapo ka filluar”, – tha Ndreka për Citizens Channel.

Ne po ndjekim dhe procesin e parë sa i përket shfuqizimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Ai ndodhet pranë Gjykatës së Apelit Administrativ dhe jemi në pritje të një caktimi të një date”.

Sa i përket rastit të “HEC-it Madhesh” në përroin e Lunresë është kryer Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) paraprak, çka sipas ligjit nuk kërkon që të kryhet domosdoshmërish dëgjesa me publikun. Megjithatë, firma “A.R.M sh.p.k” e ka kryer dëgjesën me publikun në datë 8 prill 2020, në kohën kur ndaloheshin grumbullimet dhe kufizohej lëvizja, si pasojë e pandemisë.

Në rast se do të kërkohej nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit që të kryhej VNM e thelluar, atëherë firma private do të ishte e detyruar të zhvillojë dëgjesë me komunitetin, shpjegon Ndreka. Ndreka pohon se do duhej të ishte kryer VNM e thelluar pasi projekti energjik është i ndërlikuar dhe se kalon në një zonë të mbrojtur.

Në VNM-në paraprake për “HEC-in Madhesh”, theksohet se punimet nuk do të kryhen brenda një zone të mbrojtur.

Por, dokumentet-zyrtare nga Bashkia Mat thonë shprehimisht të kundërtën. Në shkresën e datës 13.09.2017, nr. 2227 thuhet se projekti hidrik do të kalojë në zonën e mbrojtur Liqeni i Ulzës, Park Natyror (kategoria e IV).

I kontaktuar nga Citizens Channel, administratorit i firmës ndërtuese Fatos Malaj u shpreh se nuk ka asnjë koment sa i përket kundërshtimit të komunitetit dhe se ata mund t’i adresojnë shqetësimet përmes rrugës ligjore.

“Hidrocentrali do të ndalojë ujin për vaditje”

Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zonë“, shkruhet në dokumentin jo teknik për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të këtij hidrocentrali.

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore pretendon se banorët duhet të dërgojnë kërkesë për vaditje për shfrytëzimin e burimit ujor të Lunresë dhe të pajisen me një licencë. Duke qenë se asnjë kërkesë nuk është dërguar, në dokumentet zyrtare është konkluduar  së “nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zonë”.

“Që të marrësh mu ujin e të më qesësh në të thatë, ça ta baj unë shpinë e tokën atje unë? Këta po mundohen me na vra ne si popull, komplet”, – thotë më tej një anëtar i komunitetit të Madheshit gjatë takimit me ekspertë.

Të tjerë banorë ngrenë shqetësimin e bagëtive.

Ku do të kullosë kjo bagëtia jonë? E dun e pi ujë në drekë edhe në darkë kur vijnë nga ajo. Se ai do me e fut në tuba”, – ngre së fundmi pyetjen Frrok Leshja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *