Citizens.al

“Fake vs Facts” prezanton të rinjtë e Kuçovës me multimedian dhe edukimin mediatik

Më tetë shtator 2021 grupi i trajnerëve të Citizens Channel i prezantoi për herë të parë të rinjve të qendrës “New Age” Kuçovë projektin “Media Literacy – Fake vs Facts“.

Takimet zgjatën 12 muaj dhe rreth 25 të rinj dhe të reja të nga qyteti i Kuçovës u prezantuan me konceptet e edukimit mediatik, çështjeve gjinore dhe gazetarisë multimediale përmes “Mobile Journalism”.

“Trajnimet e Citizens Channel na mësuan shumë rreth botës së medias, si të realizojmë një fotokolazh, një intervistë, si të dallojmë fake-news“, tha Marina Ceca, një nga pjesëmarrëset.

“ Janë trajnime që na ndihmojnë për të kontribuuar dhe përmrëisuar komunitetin ku bëjmë pjesë“, theksoi Klition Leskaj.

Në mbyllje të trajnimeve, 4 grupe të rinjsh arritën të realizojnë reportazhe gazetareske mbi tema lokale të Kuçovës në formën e videos dhe foto-reportazhit.

Secili prej tyre u pajis me nga një certfikatë pjesmarrjeje. Temat e trajtuara nga grupet janë:

1. Rritja e çmimeve, një sfidë për qytetarët e Kuçovës

Qyteti i Kuçovës numëron 1,502 biznese aktive. Paga mesatare e të punësuarve në Kuccovë është rreth 41,000 lekë të reja, më e ulëta në Qarkun Berat dhe shumë nën mesataren e Shqipërisë. Rritja e çmimeve të karburantit dhe produkteve të shportës ka prekur veçanërisht dy katergori, biznesin e vogël dhe pensionistët.

Kjo video u realizua nga Stelina Kasa dhe Ketjana Sejdni, dy të reja të angazhuar pranë qendrës “New Age” në Kuçovë, pjesë e ciklit të trajnimeve “Media Literacy – Fake vs Facts”.

2.Qyteti i të moshuarve

Kuçova është një ndër qytetet e shumta të Shqipërisë ku rreth gjysma e popullsisë së regjistruar është larguar drejt kryeqytetit apo jashtë vendit. Të rinjtë vijojnë të largohen masivisht, duke lënë pas prindërit e moshuar për të cilët e ardhmja është pesimiste.

Kjo video u realizua nga Maria Dajlani, Eneida Bushi, Eduina Hoxha dhe Klition Leskaj, të rinj të angazhuar pranë qendrës “New Age” në Kuçovë, pjesë e ciklit të trajnimeve “Media Literacy – Fake vs Facts”.

3.Të rinjtë të varur nga telefoni

Të dhënat tregojnë se mbi 72% e shqiptarëve e përdorin rregullisht internetin. Përdorimi i zgjatur i pajisjeve teknologjike tek të rinjtë shoqërohet me probleme shëndetësore, pohojnë vetë ata. Edhe brezi i prindërve dhe i gjyshërve është i shqetësuar për këtë fenomen.

Kjo video u realizua nga Jorgo Loçe dhe Klajdi Mara, dy të rinj të angazhuar pranë qendrës “New Age” në Kuçovë, pjesë e ciklit të trajnimeve “Media Literacy – Fake vs Facts”.

4. Foto – Reportazh – Puset e naftës në Kuçovë

Vetëm në zonën urbane të qytetit të Kuçovës mund të gjesh mbi 500 puse nafte, të cilat kërcënojnë seriozisht shëndetin e banorëve të qytetit, duke u kthyer në një plagë të rëndë mjedisore.

Ky foto-reportazh u realizua nga Marina Ceca, e re e angazhuar pranë qendrës “New Age” në Kuçovë, pjesë e ciklit të trajnimeve “Media Literacy – Fake vs Facts”.

Cikli i trajnimeve – “Fake vs Facts”

Edukimi Mediatik

Trajnerja Erisa Kryeziu e zhvilloi në dy faza trajnimin mbi edukimin mediatik. Në sesionin e parë të trajnimit të rinjtë u njohën me konceptin e medias, llojet e saj, si ka ndryshuar media në kohë (para dhe pas 90).

Në sesionin e dytë të trajnimit të rinjtë u njohën me lajmet e rreme gjatë pandemisë, si të dallojmë lajmet e rreme, etikën në media, konceptet si paragjykimi, stereotipet dhe diskriminimi.

Çështjet gjinore

Trajnerja Entenela Ndrevataj zhvilloi dy trajnimet e radhës me të rinjtë e qendrës për dhunën ndaj grave dhe pasqyrimin e dhunës në media. Ajo analizoj tituj problematikë të raportimit të dhunës dhe statistikat e dhunës ndaj grave në vendin tonë.

Përveç koncepteve teorike në pjesën e dytë të trajnimit të rinjtë u bënë pjesë e ushtrimeve praktike, në të cilat analizuan kodin e transmetimit audioviziv dhe etikën në media. Gjithashtu u analizuan disa nga protestat feministe në vend me bazë dhunën gjinore.

Multimedia dhe teknikat digjitale

Dy trajnimet e fundit u mbajtën nga trajneri Lorin Kadiu, i cili i njohu të rinjtë me teknikat dhe aplikacionet e duhura për të krijuar video dhe foto raportimi nëpërmjet telefonit. Ai informoi mbi mënyrën e fotografimit, këndet e filmimit, montimin e materialeve filmike etj.

Dijet teorike të përftuara nga të rinjtë i ushtruan në terren duke marrë intervista për të krijuar produktet multimediale. Temat që trajtuan të rinjtë fokusohen në problematika aktuale të qytetit të Kuçovës si: emigrimi masiv në qytet, puset jofunksionale të naftës, problemet e biznesit të vogël si pasojë e rritjes së çmimeve dhe përdorimin e celularit nga të rinjtë.

“Media Literacy – Fake vs Facts” është një iniciativë e Citizens Channel e mbështetur nga Bashkimi Europian si pjesë e projektit “Resilience” (Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi), zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *