Citizens.al

Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandon vaksinimin dhe mbajtjen e maskës në ambiente te mbyllura

Në një konferencën për shtyp të mbajtur mesditën e sotme, Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandoi vaksinim të qytetarëve dhe mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura.

“Personat e pa vaksinuar janë një rrezik edhe për të vaksinuarit”, u shprehën ekspertet e komitetit.

Kjo është hera e parë që ky komitet bën një deklaratë për mediat, që pas datës 26 prill, ku u njoftua lehtësimi i të gjithë masave kufizuese.

Mjekja Najada Çomo tha se në dy javët e fundit është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë pranë spitalit COVID-3.

“Pesë-gjashtë pacientë në ditë në kohët që flasim shtrohen në spital. Janë persona të pa vaksinuar, janë persona me vaksinë të papërfunduar”.

Sipas saj grup moshat më të prekura janë ato mbi 60-70 vjeç.

Ekspertët e Komitetit theksuan se rastet aktive me COVID-19 tanimë janë shfaqur në 90% të bashkive në vend, ndërsa bënë thirrje për vijimin e vaksinimit me dozë të tretë dhe të katërt.

Tabela e rasteve pozitive me COVID-19 sipas Bashkive | Burimi: Coronavirus.al

Ditën e djeshme numri i personave të prekur me COVID-19 arriti në 974, shifra me e lartë e shënuar prej muajsh.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino, tha se vaksinimi me një dozë i të gjithë popullatës përllogaritet në 49%, me dy doza në 46%, ndërsa shifra ulet në 10% kur bëhet fjalë për vaksinimin me dozën e tretë.

Referuar shpërndarjes së shifrave të vaksinimi sipas grupmoshave, për moshën mbi 60 vjec, mbulesa vaksinale pra me dy doza arrin në 68%, ndërsa me tre doza mbetet 35%, listoi Bino.

“Për moshën nën 50 vjeç mbulesa vaksinale bie, e cila shkon në 52% me dy doza, ndërsa vetëm me një dozë në 12%. Grupmosha mbi 40 vjeç ka një mbulesë vaksinale mbi 50% me dy doza, ndërsa me dozën e tretë vërejmë një ulje drastike të vaksinimit që shkon në 8%. Për grup moshat nën 30 vjeç këto kanë një mbulesë vaksinale te 30% dhe një mbulesë të tretë prej 5.6% që është fare e papërfillshme”,-përfundoi profesoreshë Bino.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli u shpreh se komiteti fuqishëm bën apel për bërjen e dozave të vaksinimit.

“Komiteti vazhdon rekomandimin për të mbajtur maskën në ambientet e mbyllura, aty ku nuk mund të ruhet distancimi social, sidomos kjo e vlefshme për personat që janë më sëmundje, personat që janë edhe të moshuar”,-vijoi Rakacolli.

Sipas ekspertëve varianti aktual që po qarkullon në popullatë është ai BA5.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *