74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë, sipas Eurostat.
Kjo pasi jetojnë në familje ku ka nivel të ulët të punës. Sipas Institutit Europian të Statistikave, Eurostat “intensiteti i punës pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune, në krahasim me potencialin e tyre të plotë”.
“Në përgjithësi, sa më i lartë të jetë intensiteti i punës brenda një familjeje (aq më afër punësimit të plotë janë njerëzit), aq më i ulët është probabiliteti për të qenë në rrezik të varfërisë”, sqaron Eurostat.
Shkalla e e rrezikut nga varfëria për njerëzit e moshës më pak se 65 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët të punës ishte 64.0% në vitin 2020.
Kjo normë varionte nga 48.7% në Danimarkë dhe 49.9% në Irlandë në më shumë se 70.0% e popullsisë në nëntë shtete anëtare të BE-së, sipas Eurostat. Ajo arriti një kulm prej 85.4% në Lituani, e ndjekur nga Rumania (84.2%) dhe Letonia (80.6%).
Në 2020 sipas të dhënave për BE-në, punësimi ndihmoi në parandalimin e rënies së njerëzve në varfëri.
Eurostat përcjell se shkalla e rrezikut të varfërisë ishte 64.0% për njerëzit e moshës më pak se 65 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune krahasuar me 5.3% për njerëzit që jetojnë në familje me intensitet shumë të lartë pune.
Ndërsa përqindja për njerëzit që jetojnë në familjet me intensitet mesatar të punës ishte 23.6%.
Në vendet anëtare të BE, u vu re se rreziku i varfërisë u ul me rritjen e intensitetit të punës.
“Intensiteti i punës përkufizohet si raporti i numrit total të muajve që të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune kanë punuar gjatë vitit referues të të ardhurave dhe numrit total të muajve që të njëjtit anëtarë të familjes teorikisht mund të kishin punuar në të njëjtën periudhë”, sqaron Eurostat.
“Niveli i varfërisë në Shqipëri”
Sipas të dhënave të përpiluara nga Open Data Albania mbi përqindjen e popullsië që jeton në kufirin e varfërisë, rezulton se në vitin 2019 janë 21.8% e popullsisë që zyrtarisht jetojnë nën kufirin e varfërisë. Ndërsa për 2020 dhe 2021 nuk ka të dhëna nga INSTAT.
Sipas Bankës Botërore ka pasur një rënie të ngadaltë të varfërisë në vitin 2020.
Open Data thotë se pandemia dhe tërmeti kanë penguar uljen e varfërisë në dy vitet e fundit.
Në 20 vitet e fundit Shqipëria shënon mesatarisht 20% të popullsisë të saj që jeton në nivele të varfërisë absolute.
Sipas ODA, viti me përqindjen më të ulët të popullsisë që jeton në kufijtë kombëtarë të varfërisë është viti 2008 me përkatësisht 12.4% (373 137 persona), ndërsa viti me përqindjen më të lartë është vitit 2002 me përkatësisht 25.4% (813 196 persona).
“Rritja ekonomike nuk e ul nivelin e varfërisë së shqiptarëve”
Sipas një analize të publikuar më herët tek Citizens Channel, rezulton se niveli i varferisë nuk ulet pavarësisht rritjes ekonomike të vendit.
Referuar të dhënave të Albanian Economist nga ekonomisti Klajdi Bregu, në vitin 2008 në Shqipëri 31% e popullsisë jetonte me më pak se pesë Euro në ditë, ndërkohë në vitin 2021 kjo shifër ishte 30.8 përqind.
Sipas Bankës Botërore nga viti 2021 deri në vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit.
Sipas ekspertëve të ekonomisë është shumë shqetësues ritmi me të cilin varfëria ka rënë nga viti 2014 ku arriti vlerën më të lartë prej 37%.
Të dhënat e Bankës Botërore që tregojnë se varfëria do të bjerë vetëm me 1.5% në 2023, vërtetojnë “trajektoren shumë të ngadaltë që rënia e varfërisë ka në Shqipëri”.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.