Ditën e djeshme humbi jetën në ambientet e komisariatit nr 3 në Tiranë, i riu 31 vjeçar me iniciale L.K.
Mediat raportuan fillimisht se ai ishte shoqëruar nga policia në komisariat dhe më pas ishte dërguar në Spitalin e Traumës, ku ishte konstatuar se i riu kishte humbur jetën.
Pas shumë orësh që ngjarja ishte bërë publike dhe që versione të ndryshme mbi arsyet e vdekjes ishin bërë publike në media, reagoi Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në një deklaratë të përbashkët.
Sipas deklaratës nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Prokuroria dhe AMP deklaruan se nga autopsia e kryer, rezulton se “në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike”.
Sipas njoftimit i riu është ndaluar nga policia dhe u shoqërua gjatë një kontrolli rutinë.
“Gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas tyre, i riu nuk ka ndaluar dhe ka vapruar rreth 200 metra më pas “ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta”.
Sipas deklaratës së policisë ai është “qetësuar dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore”.
“Shkeljet ligjore të Policisë”
Ditën e sotme ka reaguar dhe Komiteti Shqiptar i Helsnikit KSHH, për rastin, duke gjeutr disa shkelje në veprimet e policisë.
KSHH vlerëson se në rastin konkret nuk “ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale”.
Prandaj, sipas KSHH punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.
Komiteti përmend faktin që gjendja jo e mirë shëndetësore është konstatuar nga policia në 23:34.
“Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit”, thuhet në reagimin e KSHH.
Grupi i monitorimit të KSHH-së ka kërkuar të njihet me regjistrat ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit.
Por nuk kanë arritur të marrin asnjë akt, nën argumentimin se dokumentacioni është sekuestruar nga ana e punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Gjatë kqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi i munguar dokumentimi i të dhënave dhe gjeneraliteteve të shtetasit L.K, për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të tij të lirisë”, bën me dije KSHH.
Sipas përfaqësuesve të Komisariatit, mos regjistrimi në rastin e shtetasit L.K., ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë të personit “të shoqëruar”.
KSHH rekomandon se në këtë rast do të duhej të mbahej një procesverbal ku të pasqyroheshin këto rrethana.
“Aq më tepër, kjo në situatën kur vëzhguesit e KShH-së kanë qenë në ambientet e këtij Komisariati afro 14 orë pasi ngjarja kishte ndodhur”, thuhet në deklaratë.
Së fundmi KSHH sugjeron që Prokuroria të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, “nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.