Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Çfarë pritet të ndryshojë në ligjin për të drejtën e informimit?

Ligji “Për të Drejtën e Informimit”, po ndryshohet për herë të parë që pas miratimit në vitin 2014.

Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik një sërë ndryshimesh thelbësore si ulja e gjobave ndaj autoriteteve publike, shtimi i pagave për koordinatorët e të drejtës së informimit dhe prezantimin e konceptit të kërkesave abuzive apo me karakter përsëritës.

“Projektligji ka si qëllim shmangien e vakumit ligjor që mund të krijohet si pasojë e hartimit të legjislacionit të ri në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale”,-thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.

Irena Dule, avokate dhe përfaqësuese e Qendrës “Res Publica” shprehet për Citizens Channel se kërkesat abuzive dhe gjobat nuk kanë qenë problemi kryesor i ligjit të vjetër.

Irena Dule, avokate

“Problemet nga organet e administratës nuk kanë qenë trajtimi i kërkesave abuzive, nuk kanë qenë trajtimi i gjobave të larta apo jo. Problemi ka qenë që kërkesat normale, ato të bazuara nuk kanë gjetur asnjëherë, ose në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë gjetur vendimmarrje”,-sqaron Irena Dule, e cila shton se ligji ka reflektuar shumë nga rekomandimet e tryezave të ekspertëve dhe gazetarëve.

Ajo çfarë duhet të reflektohet në projektligj sipas avokates Dule është puna e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

“Vendimmarrja e Komisionerit është jashtëzakonisht e vogël. Nëse shkojnë 700 kërkesa të Komisioneri, vetëm 30 trajtohen me vendim. Ndërkohë që Komisioneri e ka detyrim që 700 ankesave t’u përgjigjet me 700 vendime, qofshin ato rrëzimi, qofshin pranimi”-argumenton Dule.

Sipas saj, detyrimi i Komisionerit për të marrë vendime ka qenë edhe me ligjin e vjetër, ndaj nuk mund të rregullohet me këtë draft ligj, por duke vendosur një dispozitë të posaçme.

“Mund të ishte për shembull vendosja e një dispozite ku të bëhej monitorimi i zyrës së Komisionerit, në procesin e vendimmarrjes, vetëm për këtë pjesë, vetëm për këtë segment”.

Sipas monitorimit të vitit 2021 të kryer nga Qendra “Res Publica”, numri i ankesave të paraqitura pranë Komisionerit është më i larti në të gjitha periudhat, ndërsa Komisioneri vijon të marrë shumë pak vendime në raport me ankesat e mbërritura te kjo zyrë.

“Komisioneri ka marrë vendim vetëm për afro 4% të rasteve gjatë vitit 2021, duke vijuar të shënojë një shifër tepër të ulët”,-thuhet në raport.

Gazetari Artan Rama, i cili është perballur shpesh me refuzim të dhënies së informacionit nga institucionet publike shprehet se është shumë e rëndësishme që në këtë projektligj të qartësohet pozicioni i Komisionerit për të Drejtën për Informim.

Artan Rama, gazetar

“Praktika dhjetëvjeçare ka treguar se Komisioneri për të Drejtën për Informim ka refuzuar shpesh vendimmarrjen. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme, pasi të shmangësh marrjen e një vendimi, aq më tepër ndaj një kërkese të ligjshme dhe shpesh me një interes të lartë publik, është njësoj si të braktisësh detyrën, të cilën ta ka ngarkuar ligji. Ndaj dhe në ndryshimet e reja dalja e Komisionerit me vendim duhet qartësuar plotësisht”,-argumenton gazetari Rama.

Në projektligj i jepet rëndësi edhe një termi të ri sikurse është kërkesa abuzive.

Kur kërkesat për informim janë haptazi abuzive, veçanërisht për shkak të karakterit të tyre përsëritës, autoriteti publik mund të vendosë të përfundojë procedurën administrative pa një vendim përfundimtar. Barra e provës për të vërtetuar natyrën e abuzive të kërkesës i përket autoritetit publik”,-thuhet në projektligj.

Për gazetarin Artan Rama trajtimi i kërkesave abuzive duhet parë me shqetësim.

“Vendosja e një klauzole të tillë abuzive e jo kërkesat e qytetarëve. Në kushtet kur janë autoritetet publike që abuzojnë me kërkesat tona, shtimi i një neni të tillë u jep burokratëve një të drejtë më shumë për të refuzuar dhënien e informacioneve me interes publik. Përfshirja e kësaj klauzole do të ishte një skandal i vërtetë dhe grupet e interesit duhet të bashkojë të gjitha forcat për ta ndaluar”,-përfundon Rama.

“Projektligji synon t’i lehtësojë barrën koordinatorit”

Relacioni argumenton se është vënë re se përgjegjësia për mos dhënien e informacionit nuk është gjithmonë e koordinatorit, ndaj parashikon gjoba edhe për drejtuesit apo funksionarë të tjerë që refuzojnë t’i përgjigjen kërkesave të publikut ose gazetarëve.

“Në ligj janë kryer disa ndërhyrje të cilat synojnë që të përcaktojnë në mënyrë të saktë rastet për të cilat mban përgjegjësi koordinatori për të drejtën e informimit dhe rastet për të cilat mban përgjegjësi titullari i autoritetit publik. Ndërkohë për të gjitha rastet e tjera të parashikuara në ligj, përgjegjësi do të mbajë personi përgjegjës, i cili përmes veprimeve apo mosveprimeve të tij ka sjellë si pasojë shkeljen e dispozitave”,-thuhet në relacion.

Për Irena Dule, koordinatori është rojtari i respektimit të ligjit për të drejtën e informimit, ndërsa pengohet nga eprorët.

“Mua më duket e padrejtë që koordinatori të jetë përgjegjësi kryesor për refuzimin e informacionit. Unë do kisha propozuar që gjoba të ishte solidare e koordinatorit dhe me atë që është përgjegjës dhe që është mbartësi i informacionit”,-sqaron Dule.

Përmes një komunikimi zyrtar Qendra “Res Publica” në bashkëpunim me Qendrën A.L.T.R.I dhe Qendrën “Center for Legal Empowerment” kanë parashtruar një sërë komentesh dhe rekomandimesh për projektligjin kundrejt Ministrisë së Drejtësisë.

Një ndër këto rekomandime është që koordinator për të drejtën e informimit të caktohet një nëpunës i lartë.

“Praktika ka demonstruar se caktimi i tyre është bërë thjesht formalisht, duke i bërë ata joefikasë në ushtrimin e detyrave të tyre. Ndaj është e domosdoshme që një nga kriteret e përzgjedhjes dhe caktimit të koordinatorit të jetë pozicioni i tij i lartë brenda hierarkisë së institucionit””, -thuhet në dokumentin me rekomandime adresuar Ministrisë së Drejtësisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *