Citizens.al

Misioni i Këshillit të Evropës konstaton përkeqësim të lirisë së medias në Shqipëri

“Ndonëse korniza ligjore është e përshtatshme, për fat të keq nuk ka pasur progres vitet e fundit në përmirësimin e ambientit për gazetari të pavarur dhe pluralizëm të mediave”.

Me këtë përfundim dolën partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve pas një vizite dy ditore në Shqipëri, ndërsa zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të mediave, deputetë, institucionet e policisë, prokurorisë dhe Komisionerin për Informim dhe qeverinë.

Në një deklaratë të përcjellë sot për mediat, Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias u shpreh se kërcënim kryesor i gazetarisë së pavarur në Shqipëri vazhdon të jetë kapja e medias nga interesat e biznesit.

“Shumë prej pronarëve përdorin mediat e tyre për interesa personale ose politike dhe jo për interes të publikut. Dhe si rezultat ndërhyrja e pronarëve në pavarësinë redaktoriale është e lartë në disa çështje që konsiderohen si çështje të cilat gazetarët nuk mund dhe nuk duhet t’i raportojnë”.

Po ashtu në përkeqësimin e lirisë së medias ndikon edhe mungesa e transparencës dhe mos qasja në dokumente publike.

Flutura Kusari, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias

“Kërkesat e gazetarëve injorohen rregullisht ndërsa gazetarët na kanë deklaruar se Agjencia për Media dhe Informim nuk e ka ndihmuar në fakt transparencën. Ky institucion sipas tyre ka shërbyer që të centralizohet informacioni dhe rrjedhimisht të bëhet shumë më e vështirë për gazetarët që të kenë përgjigje në informacione, të cilat i kërkojnë”,-vijoi në komunikimin e saj Flutura Kusari.

Ajo theksoi se shumë ankesa të gazetarëve për qasje në informacion nuk kanë marrë zgjidhje në kohë as nga Komisioneri për Informim.

“Ne po ashtu me shumë keqardhje e themi këtë, kemi dëgjuar që Komisioneri për Informim i vonon rastet e ankesave të gazetarëve sa i përket qasje në dokumente publike, pra ato ankesa nuk janë duke u trajtuar me efikasitetin të cilat janë trajtuar disa vite më herët, për të cilën ne patëm raportuar si një ndër sukseset sa i përket transparencës dhe shpresojmë që një gjë e tillë do të adresohet nga ana e Komisionerit”.

Shpërndarja e materialeve të gatshme nga zyrat e Kryeministrisë dhe bashkisë Tiranë në media si dhe përpjekjet për të denigruar gazetarët me një gjuhë agresive, ishin cështjet që u nxorën në pah nga përfaqësuesit e Platformës së këshillit të Evropës për Siguri të gazetarëve.

Në disa raste kur gazetarëve u është thënë që të shkojnë në riedukim, një gjë e tillë ka shkaktuar pasoja të rënda për gazetarët. Ndonëse kryeministri na tha se një gjë e tillë është me humor, sido që të jetë ne kemi raste kur pasojat kanë qenë me të vërtetë serioze për gazetarët të cilëve ju është thënë që duhet të shkojnë në “riedukim”,-theksoi Kusari.

Pronësia e mediave dhe nevoja për pluralizëm të medias

Një ndër shqetësimet e përbashkëta të përfaqësuesve të Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të gazetarëve ishte pronësia e medias në Shqipëri, e cila është shumë e përqendruar.

“Pronësia e medias është shumë e përqendruar dhe kjo çon në probleme në pluralizmin e medias për sa i përket shpërndarjes së pronësisë së medias dhe problemeve të lidhura me ekspozimin e ulët të zërave dhe mendimeve në kanalet mediatike”,- u shpreh Roberta Taveri nga Article 19.

Sipas saj kjo çon edhe në vetë censurim të gazetarëve që punojnë në këto media.

Roberta Taveri, ARTICLE 19

“Ne dëgjuam se disa herë nga frika e pasojave, për shembull nëse gazetarët nuk ndjekin linjën editoriale të medias së tyre ata ndonjëherë preferojnë të vetë censurohen se sa të përballen me këto pasoja. Kjo situatë përkeqësohet nga kushtet e këqija në punë për gazetarët në vend”,-përfundoi Taveri.

Pavol Szalai, nga “Reporters Without Borders” u shpreh se Shqipëria vijon të shënojë përkeqësim në indeksin e lirisë së medias, ndryshe nga vendet e rajonit që kanë pësuar përmirësim. Kjo edhe për shkak të situatës ku ndodhen sot gazetarët.

“Pavarësisht zhvillimit pozitiv gazetarët janë nën presionin politik dhe në vendin e parë është problemi i mungesës së transparencës për pronësinë e medias, të lajmit të rremë, të dezinformimit”,– u shpreh Pavol Szalai.

Ndërsa Ricardo Gutiérrez, nga “European Federation of Journalists” qeveria shqiptare duhet të vërë në zbatim rekomandimet e Bashkimit Evropian për sigurinë e gazetarëve.

Ricardo Gutiérrez, European Federation of Journalists

“Si të sigurohet transparenca e redaksisë duke pasur parasysh presionin politik por edhe në lidhje me pronësisë e tyre, sepse ky është një problem real, në këtë vend është një problem serioz dhe nga pikëpamja ime nuk është vetëm kapja e medias, por gazetaria është e kapur në këtë vend për ti shërbyer në mënyrë të veçantë interesave private, politike dhe financiare”,-përfundoi Gutiérrez.

Çfarë u përmirësua nga monitorimi i 2019-ës

Në qershor të 2019, 7 organizata ndërkombëtare të lirisë së shtypit dhe medias sikurse Reporterët pa Kufij (RSF) , Organizata e Mediave të Evropës Lindore (SEEMO)Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias (ECPMF)Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), dhe Artikulli 19, u bënë thirrje politikanëve të ndalonin denigrimin e gazetarëve, ndërsa bënë thirrje për hetim të sulmeve ndaj gazetarëve dhe se nxorën në pah se liria e shtypit në vend është në përkeqësim.

Tre vite më pas organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit dhe medias shprehën të njëjtat shqetësime, duke dëshmuar përkeqësim të nivelit të lirisë së medias në vend.

Megjithatë, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare shënjuan disa raste ku qeveria shqiptare në veçanti dhe kuvendi është tërhequr nga nismat që ndikojnë pavarësinë dhe lirinë e medias.

“Tërheqja nga axhenda e Kuvendit të Shqipërisë e paketës anti-shpifje. Ne e mirëpresim faktin që qeveria ka reflektuar në shqetësimet të cilat kanë ngritur shumë organizata ndërkombëtare dhe institucione ndërkombëtare lidhur me këtë paketë”,- u shpreh Flutura Kusari.

Po ashtu vëmendje iu kushtua edhe informimit të policisë së shtetit për sigurinë dhe lirinë e gazetarëve.

“Ne po ashtu e mirëpresim punën e policisë në ndërmarrjen e masave ndaj policëve të cilët janë përfshirë në incidente me gazetarë dhe po ashtu iniciativa që kanë të bëjmë me trajnimin e policëve në fushën e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” .

Në fund Ricardo Gutiérrez, përfqqësuesi i Federatës Evropiane të Gazetarëve i bëri disa thirrje qeverisë Shqiptare.

“Nuk jemi këtu të japim leksione por mund të japim disa këshilla. I bëj thirrje qeverisë të ndalojë deskriditimin ndaj gazetarëve. I bëj thirrje qeverisë të njohë rolin e gazetarëve si “watch dog’, duke vepruar për interesin e publikut. Qeveria mund të marrë veprime. Qeveria e Shqipërisë duhet të vërë në zbatim rekomandimet e EU-së për sigurinë e gazetarëve. Qeveria duhet të vërë në zbatim rekomandimet e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve dhe mbrojtjen e gazetarisë”-,u shpreh Gutiérrez.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *