Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shirat rikthejnë në kënetë zonën e ish-Kënetës në Durrës

“Na thanë dilni, ju paguajmë një natë në hotel, po netët e tjera ku do jem unë. A do vinim prap se prapë te kjo shtëpi? ”, tha për Citizens Channel Lindita Lleshi e cila jeton prej 15 vitesh te zona e ish – kënetës në Durrës.

Reshjet e dendura dhe moti i keq në fundjavë solli sërish përmbytje në këtë zonë duke, shkaktuar dëme materiale për banorët.

Lindita Lleshi pranë banesës në zonën e ish-kënetës

“Të gjitha duhen ble nga e para. Te dhoma e gjumit ku fle do më kthehet rafti, do më bjerë kokës ndonjë natë se është kalb poshtë, që i ka hy uji komplet”, vijon Lleshi, duke treguar se vështirësitë ekonomike ia pamundësojnë zëvendësimin e pajisjeve të dala jashtë funksionit.

“Ato që pata i shpenzova, mbusha oborrin me dhe, i bleva para dy vitesh , tash s’kam mundësi me i ble më, s’mundem, thjesht një thes mielli marr, nuk mund të marr ma tepër”, përfundon ajo.

Një shtëpi tej përsëritet e njëjta situatë. Çlirim Ahmeti po nxjerr ujin me kova jashtë oborrit. Sipas tij shkaktar i kësaj situate është mospastrimit të kanaleve kulluese.

“Kanalizimet janë problemi, nëse funksionojnë siç duhet ne nuk do kemi pikë uji nëpër oborre”, shpjegon ai.

Çlirim Ahmeti duke pastruar oborrin nga reshjet

Gruaja e tij, Suela Gashi tregon se priste që uji të vërshonte nga dera, por burojë nga poshtë pllakave. Fakti që ata janë me qira jua vështirëson situatën.

“S’kemi kujt ti drejtohemi, ti drejtohesh zotit të shtëpisë, ai thotë dua lekët, bashkia thotë je me qira, me kontratë nuk je. Unë ku të gjej shtëpi do fus kokën se kam 18 vjet që e vuaj këtë gjë”, rrëfen Suela.

Situata e përsëritur në vite nuk ka sjellë asnjë reagim institucional.

“Kemi katër vjet që ne marrim mobilje çdo vit. A blihet mobilje cdo vit? Vjen dimri prishen prap. Asnjë nuk troket në derë për të parë situatën. Kemi vajtur kudo asnjë nuk na përgjigjet”, përfundon një tjetër banore, Blerina Shahini.

*Këneta e Durrësit është një fushë në lindje të Durrësit që ndodhet plotësisht nën nivelin e detit. Ajo arrin deri në 7 metra thellësi. Këneta u tha në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Deri në mesin e viteve ’90-të, ajo që dikur ishte kënetë, mbeti një sipërfaqe e madhe toke bosh, gati e papërdorshme për asgjë. Lëvizjet e pakontrolluara demografike bënë që brenda pak viteve realiteti i saj të ndryshojë plotësisht: atje ku dikur shtrihej këneta, tashmë gjendet “Durrësi i Ri”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *