Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qeveria sekuestroi 126 milionë euro sipërfaqe ndërtimi; Si do i shërbejnë “interesit publik”?

Në 7 shtator të vitit 2022 qeveria miratoi një vendim që i jep shtetit të drejtën të sekuestrojë ndërtimet pa leje dhe t’i përdorë për interes publik.

Ky vendim u prit me kundërshtime nga ekspertët dhe opozita, që e quajtën një atë një formë amnistimi në favor të ndërtuesve, të cilëve iu dha mundësia që katet e ndërtuara pa leje t’i dhurojnë ose t’i ri-blejnë me çmimin e tregut.

Sipas nenit 199/a të Kodit Penal, ndërtimi pa leje i kryer për qëllime fitimi dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

“Miliona euro sipërfaqe e ndërtuar pa leje”

Citizens Channel ka siguruar të dhënat e sipërfaqes totale të sekuestruar. Që prej publikimit të VKM-së në shtator 2022, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar 10 vendime konfiskimi. Ajo që vihet re është se të gjitha ndërtimet pa leje i përkasin zonave më të lakmuara të kryeqytetit, si qendra e Tiranës, Liqeni Artificial, Myslym Shyri, rruga Kont Urani dhe rruga e Elbasanit.

Një metër katror në kullën “Eyes of Tirana” në qendër të Tiranës sipas njoftimeve çmimeve të tregut të shitjes online kushton 3,175 euro. Në vendimin e sekuestrimit shteti shqiptar tashmë zotëron 4,646 metra në “Eyes of Tirana”, me një vlerë prej 14.7 milion euro.

Kulla në qendër të Tiranës “Eyes of Tirana”

Ndërsa sipërfaqja prej 11,828 m2 e sekuestruar në zonën e Liqenit të Thatë, sipas njoftimeve dhe në bazë të komunikimit me një prej agjencive imobiliare, ka një vlerë 18 924 800 euro.

Pallat në rrugën “Hiqmet Buzi” tek Liqeni i Thatë i sekuestuar me VKM-në e shtatorit/Foto: Arbjona Çibuku

Rruga e Elbasanit dhe Parku i Liqenit, janë dy nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, ku dhe po ndërtohen objektet me luksoze, 1200-1400€/m2 shesin pallatet ekzistues, ndërkohë që objektet e reja janë në vlerat 1800€-2000€ plus. Ato më luksozet edhe pak më lartë”, u shpreh për Citizens Channel agjenti imobiliar Klevis Oshafi.

Sipërfaqja e sekuestruar në zonën e Myslym Shyrit prej 7819 m2, kushton 12.5 milion euro.

Një përllogaritje e secilës sipërfaqe me çmimin e tregut tregon se shteti shqiptar tashmë disponon 71,989 m2 kulla dhe pallate, me një vlerë prej rreth 127 milion euro.

Sipërfaqja totale e sekuestruar është e barabartë me një kullë prej 144 kateshe, e përllogaritur me një bazament prej 500 m2, i ngjashëm me atë të kullës “Forever Green” që ndodhet në qendër të Tiranës. Kulla kap një lartësi prej 720 metër.

Harta me vendndodhjen e 10 pallateve të sekuestruara në Tiranë; Foto: Citizens Channel

“Prokuroria heton, qeveria sekuestron”

Qeveria pretendoi në shtator, se kjo VKM erdhi si nevojë për të rregulluar situatën e ndërtimeve pa leje, pasi “prokuroria dhe institucionet e drejtësisë nuk po veprojnë”.

Ishte kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi të cilët akuzuan organet e drejtësisë për mos hetim dhe korrupsion.

Pallat në rrugën "Hiqmet Buzi" tek Liqeni i Thatë i sekuestuar me VKM-në e shtatorit/Foto: Arbjona Çibuku

“Kur u vijnë dosje nga subjekte të kamura për evazion fiskal, për ndërtim pa leje, për krime të tjera, e shohin si një mundësi për të pasuruar xhepat e tyre”, ka deklaruar ministri Çuçi.

Në një përgjigje për Citizens Channel, Prokuroria e Tiranës u shpreh se: “nga verifikimi në indekset e kallëzimeve penale dhe procedimeve penale, rezulton të jenë regjistruar disa procedime penale në lidhje me këto ndërtesa”.

Pergjigja e Prokurorise Tirane per Citizens Channel

Përkatësisht rasti i “Eyes of Tirana”, rastet e “Xheluks Construction”, ndërtesa e shoqërisë e “Arb & Trans 2010”, dhe një procedim me shoqërinë “Salillari”.

Sipas ekspertëve kjo VKM i është mbivendosur ligjit aktual duke krijuar për pasojë kaos dhe pasiguri.  Ndërkohë që qeveria ka sekuestruar sipërfaqe në 10 subjekte, Prokuroria shprehet se është duke hetuar disa prej tyre.

Shirit i vendosur në pronën e sekuestruar, teksa brenda vijonin punimet nga ndërtuesi/ Foto: Arbjona Çibuku

Opozita e ka dërguar VKM-në në Gjykatë Kushtetuese, duke e cilësuar si anti kushtetuese.

Avokatja Irena Dule e vlerëson gjithashtu këtë VKM si antikushtetuese.

“VKM për sekuestrimet është antikushtetuese, pasi tenton të rregullojë një situatë të rregulluar nga legjislacioni në fuqi. Nga njëra anë kemi Kodin Penal që parashikon vepër penale ndërtimet pa leje, nga ana tjetër kemi legjislacionin për legalizimet që parashikon mundësitë e legalizimeve të ndërtimeve pa leje dhe ratseve kur këto legalizie nuk plotësojnë kriteret”, u shpreh Dule për Citizens Channel.

Pallat i ndodhur në rrugën "Myslym Shyri" i sekuestruar në masën 7819 m2, me ndërtues ARB & TRANS - 2010” sh.p.k/ Foto: Arbjona Çibuku

“Kjo VKM mbetet si mish i huaj në legjislacion, ose si “ndërtim pa leje”, shprehet Avokatja Dule e cila shton se Gjykata Kushtetuese ka krijuar një precedent për një situatë të ngjashme.

“Gjykata Kushtetuese ka krijuar një praktikë, ku në rastin e fundit, të diskutimit për shfuqizimin e VKM-së për prishjen e Teatrit Kombëtar, Gjykata Kushtetuese arsyetoi se kjo VKM është jo kushtetuese, pasi rregullon një çështje që është e rregulluar nga një ligj tjetër. Pra kjo VKM i mbivendoset legjislacionit duke cënuar sigurinë juridike”, argumenton Dule.

“Banesa sociale në kullat shumëkatëshe”

Një çështje që mbetet e patrajtuar në VKM dhe ende e paqartë për ekspertët, është mënyra se si kjo sipërfaqe do të përdoret për interes publik. Në një artikull të mëparshëm, Citizens Channel analizoi aspektin e strehimit social në raport me këtë VKM, ku sipas ekspertëve kjo duket e pamundur.

VKM-ja në fjalë që krijon hapësirë ligjore për shtim të fondit të banesave, në parim është e mirëpritur. Problem është se sa do jetë vullneti për realizim efektiv të këtij fondi”, shprehet Dule për Citizens Channel. Ajo shton se legjislacioni shqiptar ka një ligj për strehimin social “që ka krijuar rregulla bazë për krijimin dhe administrimin e fondit të banesave të strehimit social”.

Sipërfaqja prej 71 mijë metër katror të sekuestruara, do të ishte e mjaftueshme për të strehuar përafërsisht 3,600 persona, duke respektuar normat e strehimit që kërkojnë jo më pak se 15-20 m2 për person.

Për urbanisten Doriana Musai, paqartësia krijohet “që në momentin që shohim institucionet publike të cilat marrin rolin Robin Hood-it i cili i merr të pasurve dhe u jep të varfërve”.

Doriana Musai, urbaniste

“Një familje e cila futet në skemat e strehimit social pra ka të ardhura mesatare ka një rrogë mesatare që janë familje të reja që mund të kenë një fëmijë, të cilat e kanë të pamundur të përballojnë kostot e mirëmbajtjes së një kulle”, thotë Musai, e cila shton se kostot mujore të administrimit në këto objekte kushtojnë 100-300 euro.

Teksa duket e pamundur që kjo VKM të ndihmojë në çështjen e strehimit, Musai shton se numri i të pastrehëve ka ardhur duke u rritur.

“Aksionet dhe operacionet në zonën e 5 Majit, apo në zonën e Kombinatit, dhe së fundmi në zonën e rrugës Ura në pjesën lindore të Tiranës, kanë sjellë rritje artificiale të numrit të të pastrehëve, shprehet Musai.

Edhe avokatja Irena Dule e sheh me skepticizëm përdorimin e hapësirave të sekuestruara për strehim social.

Irena Dule, avokate

Ato sipërfaqe që sekuestrohen dhe konfiskohen mund të mos jenë të përshtatshme për fond banese. Fondi i banesave për strehim ka një logjikë të vetën si krijohet se çfarë bazash normash strehimi krijon. Sepse nuk mund të thuash që sekuestrove një lokal në katin e 15 të një pallati dhe ta çosh tek fondi i strehimit social. Nuk mund të jetë strehim social”, deklaron ajo.

Një pyetje të cilës VKM-ja nuk i jep përgjigje dhe mbi të cilën ekspertët shprehen se ka vend për diskutim është, në rast se këto sipërfaqe do të shiten dhe do të krijohet një fond prej tyre, dhe si do të përdoret ai për strehim social.

Një tjetër aspekt i paqartë i VKM-së është nëse paratë e gjeneurara nga shitja kësaj sipërfaqe të sekuestruar nga pushteti qendror, do i shkojnë fondit të strehimit, i cili menaxhohet nga pushteti lokal.

Sipas llogaritjeve shuma e kateve pa leje kap vlerën e 126 milion eurove, të cilat nëse do të kalonin në fondin për strehimin social, do të mund të shërbenin për t'i dhënë fund problemit të strehimit në Tiranë.

Avokatja Dule sqaron se kjo çështje ka mbetur e pa rregulluar: “Kjo do një rregullim tjetër për këtë punë janë VKM-te që të rregullojnë të tilla teknikalitete. Si rregull kjo duhej të referohej në VKM. Duhet të ishte ky rregullim në VKM, një metodologji. Fakti që i mungon kjo do të thotë që është jo efektiv”.

Një monitorim i Qëndresës Qytetare tregoi dhe standartin e dyfishtë të kësja VKM-jë e cila favorizon ndërtuesit e kullave por nuk aplikohet tek ndërtuesit e vegjël.

“Jemi përballë këtij fakti, kur shohim se si kompanitë e ndërtimit amnistohen për prona miliona euroshe të ndërtuara pa leje. Diferencimi që duket se krijon kjo VKM, është i pamundur për të mos u vënë re”, thuhet në raport.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *