Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KLSH: Pyjet të rrezikuara nga investitorët strategjikë

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka ngritur shqetësime mbi vendimet e dhëna për investitorët strategjik dhe ndërhyrjen e tyre në zona të mbrojtura.

Auditimi i fundit i KLSH thekson se vendimet mund të prekin sipërfaqe të konsiderueshme toke duke dëmtuar fondet pyjore.

“Me vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike lihen detyra për heqjen nga fondi pyjor para marrjes në përdorim të sipërfaqes përkatëse apo ngarkimin e AKP-së me saktësimin e koordinatave apo verifikime të pronës”, thuhet në raport.

Auditmi ka zbuluar se Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP)  nuk është e përfshirë në proceset e çregjistrimit të fondeve pyjore nga kadastra,  dhe pyllëzimi i sipërfaqeve të tjera.

Po ashtu AKP nuk administron në mënyrë të plotë fondin pyjor dhe rezulton e përjashtuar nga proceset e kadastrës pyjore.

Raporti thekson se AKP nuk harton apo miraton asnjë akt administrativ mbi këto çështje dhe nuk informohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mbi vendimet e Këshillit të Ministrave për heqjen nga fondi pyjor.

Sipas KLSH-së fakti që Agjencia Kombëtare Pyjore është e përjashtuar nga procesi dhe nuk administron në mënyrë të plotë fondin pyjor, është një ngërç që mund të shkaktojë problematika në vijim.

Auditimi tregon se AKP ngarkohet me verifikimin e koordinatave apo çregjistrimin e sipërfaqeve të caktuara që preken nga këto investime.

“AKP të marrë masa që procedurat për heqjen nga regjistri i fondi pyjor të sipërfaqeve që preken nga investimet strategjikë, t’i nisë vetëm pas administrimit të projekteve për zëvendësimit e këtyre sipërfaqeve dhe marrjes së konfirmimit nga MTM për nxjerrjen e akteve(VKM apo Ligji) për heqjen nga fondi pyjor”, rekomandon KLSH në auditmin e fundit.

Auditmi i KLSH-së për Agjencinë Kombëtare Pyjore, përpos shkeljeve në raport me investimet strategjike ka  konstatuar se ka probleme edhe sa i takon planeve të mbarështimit.

“Nga 385 ekonomi pyjore në gjithë vendin vetëm (20 %) prej tyre janë të pajisura me plane mbarështimi apo plane që janë në proces. Në 21 bashkitë që kanë mbuluar 4% – 100% të territorit me plane mbarështimi, pjesa tjetër prej 40 bashkish nuk kanë hartuar asnjë plan mbarështimi të paktën 10 vitet e fundit, veprime në kundërshtim të ligjit”, thuhet në raport.

Ligji për investitorët strategjik është pritur me kritika nga ekspertët të cilat janë shprehur se është një ligj klientelist dhe favorizues për bizneset afërt me qeverinë. Një nga qëllimet kryesore të ligjit për investimet strategjike është thithja e investitorëve të huaj me qëllim zhvillimin e zonave të caktuara, teksa deri më tani ligji ka arritur të thith vetëm investitor vendas.

Po ashtu ambientalistët kanë ngritur shqetësime mbi dhënien e sipërfaqeve që ndodhen në zona të mbrojtura.

Një ndër investimet strategjike të dhëna në zonën e bregdetit është ajo e Jonian Heaven që zë një sipërfaqe prej 128 mije metër katror. Ky projekt e ka gjurmën brenda në Parkun Kombëtar të Butrintit. Edhe pse Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura u shpreh kundër dhënies së lejes për investim strategjik në këtë zonë, Komiteti i Investimeve Strategjike pasi e rrëzoi herën e parë, herën e dyte e dha lejen për zhvillimin e projektit në këtë zonë.

Vendimi i 2022 i Komiteti të Investimeve Strategjike vlerësonte se projekti prek pasuri pjesë e fondit pyjor dhe kullosor.

“Referuar të dhënave të regjistrit shtetëror kadastral, dy prej këtyre pasurive figurojnë me pronësi shtet dhe privat, në bashkëpronësi të pa pjestuar në natyrë”, thuhet në vendimin e 2020.

Po ashtu argumentonte se “projekti “Jonian Heaven”, shtrihet brenda zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Butrintit, Zonë Qendrore, shpallur me VKM. 134, datë 20.02.2013 “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar””.

Gjithashtu  KIS shprehej se kjo zonë është shpallur edhe “Zonë Ramsar”, si dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

“Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, duhet njoftuar gjithashtu Komiteti i Trashëgimisë Botërore për çdo projekt që ndërmerret në zona që mbrohen nga kjo konventë”, përmbyll argumentin për mospranim KIS.

Por në vendimin e 2021 KIS shprehet se kërkesa e projektit “Jonian Heaven” pranohet.

Nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike gjatë vitit 2021, katër gjenden brenda ose afër zonave të mbrojtura natyrore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *