Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

#LiveBlog: Zgjedhjet lokale 2023

Qëndroni me Citizens Channel për t’u njohur me zhvillimet e fundit mbi procesin zgjedhor dhe reagimet e qytetarëve që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale 2023.

20:17

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se procesi i votimit ka përfunduar në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke nënvizuar disa gjetje dhe vëzhgime për të gjithë procesin deri më tani:

-Kemi konstatuar që vetëm në 11% të qendrave të votimit janë hasur vështirësi në lidhje me aksesin dhe gjetjen e qendrës së votimit.

-Kemi konstatuar që vetëm në 62 qendra votimi nga 5213 janë konstatuar shkelje për sa i përket vendosjes së materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore në një distancë më pak se 150 metra.

-Kemi pasur pezullim të procesit të votimit në 40 qendra votimi, Është një numër shumë i vogël se sa është propoganduar edhe është paraqitur si shqetësim.

-Për 30 qendra votimi është raportuar votim në grup apo votim familjar. Në katër raste kemi marrë raportim për votim jashtë dhomës së fshehtësisë.

-Në vetmë 10% të qendrave të votimit është përdorur lista e zgjedhësve në mënyrë manuale.

-Në dy qendra votimi të bashkive ku është votuar nëpërmjet sistemit elektronik, një në Elbasan dhe një në Paskuqan është përdorur vetëm një nga dy makinat dhe në të gjitha qendrat e tjera të votimit procesi i votimit elektronik ka shkuar shumë mirë.

-Kemi administruar në total 35 denoncime.

Pjesëmarrja:

-Pjesëmarrja është 34.37% por për ato qendra votimi për të cilat është raportuar në mënyrë elektronike direkt nga qendrat e votimit. Dhe kjo do të thotë për 3 milion e 202 mijë e 150 zgjedhës. Kaq është numri i zgjedhësve për qendrat e votimit që kanë raportuar nëpërmjet sistemit elektronik të identifikimit. Nga këta numri i votuesve për herë të parë është 16,597 votues për herë të parë.

20:15

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi pas përfundimit të procesit të votimit.

“Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti. Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ”,-u shpreh Meta.


20:05

Ish-kryeministrit Berisha falenderoi votuesit për pjesëmarrjen pas përfundimit të procesit të votimeve.

“Falenderim për ata që e kthyen këtë ditë në ditë të historisë. Ata votuan në QV në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, në mënyrën më të civilizuar, me guxim, me vendosmëri,” tha mes të tjerash Berisha.


20:02 

Përmes një postimi në rrjetet sociale Kryeministri Rama reagoi pas procesit zgjedhor me një vizatim që shpreh bashkitë e fituara nga socialistët,

19:35  Lezhë

Kërcënohet me armë ish-kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj.

“Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. K. 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën. Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë”,-thuhet në njoftimin e policisë

Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte shtetasi S.K., ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin.

19:00 

Përfundon afati zyrtar i votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023

18:47 Elbasan

Rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se në Qëndrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan, Deputeti Flamur Noka, njëherazi drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, ka ofenduar komisionerët në fshtatin Kuqan, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar.


18:42

Pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 ka shkuar në 36.39% në rang kombëtar. Krahasuar me zgjdhjet e vitit 2021 shifra mbetet ende e ulët, kundrejt shifrës 45.48% që mori pjesë në 2021. Bashkitë që kanë kaluar pjesëmarrjen prej 50% deri më tani janë Kukësi me 51,96%, Skrapari me 50.02% dhe Fushë Arrëzi me 53.99%. Në Tiranë pjesëmarrja është 40.24%

18:24

Në qendrën e votimit nr.2361 në shkollën profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan është pezulluar procesi i votimit. Shkak është bërë një listë numrash të zgjedhësve që ka marrë sekretarja e komisionit, të cilat janë grisur nga kryetarja e komisionit.

18:12

Gazetarja e Report TV, Enxhi Musaj është ndaluar të filmojë dhe raportojë në qendrën e votimit nr 1568/00 në Kamëz. Sipas gazetares nuk lejohet të intervistohen as komisionerët të cilët janë shprehur se kanë urdhër nga KQZ, edhe pse kreu i KQZ Celibashi ka bërë të qartë se media mund të jetë pjesë.

17:43

Partia Socialiste bëri një apel të fundit kundrejt qytetarëve për të shkuar në votime, ndërsa orari i mbylljes së procesit po afron.

“Apeli i Partisë Socialiste është mos i lini këto 90 minuta të ikin pa votuar. Duam që ta dëgjojnë të gjithë se kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma dhe më të mirë. Në këto 90 minuta të mbtura, dilni dhe votoni. Votoni! Votoni! Votoni!”,-përbylli thirrjes e saj, përfaqësuesja e PS-së, Bora Muzhaqi

17:40

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh në një komunikim me mediat se ka pasur 927 tentativa për votim të dyfishtë, të cilat janë verifikuar nga identifikimi elektronik.

Kemi verifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë. Janë 927 raste. Janë 56 mijë e 554 votues të cilët kërkimi i të dhënave të tyre është bërë manualisht jo nëpërmjet kartës së identitetit”, tha Celibashi.

Celibashi u shpreh se bashkitë që kanë hasur më shumë probleme janë Tirana, Kamza, Dropulli, Lezha, Konispoli dhe Tropoja. Probleme këto të lidhura me parregullsi gjatë kryerjes së detyrës së komisionerëve, intimidim të votuesë në Tiranë dhe Peshkopi, korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe ka pasur denocnime për votim familjar në disa qendra votimi.

17:35

Rritet pjesëmarrja në votime. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së deri në orën 17:00 kanë votuar 34.54% në të gjithë vendin. Megjithatë, krahasur me zgjedhjet e shkuara shifra mbetet më e ulët, pasi në 2021 në këtë orar votuan 43,89% në të gjtihë vendin.

Të dhëna nga KQZ-ja

17:26

Teksa na ndan vetëm një orë e gjysmë nga mbyllja e votimeve, kandidati për kryetar bashkie në Tiranë Belind Këllici, në një konferencë për shtyp ka bërë sërish thirrje për të dalë në votime.

“Dilni dhe merrni pjesë masivisht në votim deri në orën 19:00. Është një shank që nuk do të na vijë më për katër vitet e ardhshme për të ndryshuar fatet e kryeqytetit tonë. Shifrat tregojnë që jemi në kufijtë e 40% të pjesëmarrjes. Do duhet që të kalojmë këtë shifër duke rritur pjesëmarrjen”,-u shpreh Këlliçi në deklaratën për shtyp.

17:00

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 16:00 sipas KQZ-së në rang vendi ka qenë 32,19%. Kjo pjësëmarrje është më e ulët se zgjedhjet e mbajtura në 25 prill 2021, ku po në këtë orar llogariteshin 41.25%.

16:50 Shkodër

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith ka qenë sot pjesë e ekipeve të monitorimit në Shkodër, ndërsa ka inkurajuar të gjithë qytetarët të japin votën e tyre dhe ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.


16:43  Elbasan

Sipas Policisë së Shtetit në Mengel të Elbasanit vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh dhe pa dokument identifikimi për procesin zgjedhor. Ndërsa në Bradashesh të Elbasanit ëshë kërkuar ndihma e policisë pasi një shtetas dyshohej se po ndikonte te votuesit.  Për rastet në fjalë policia ka ndërhyrë duke sqaruar situatën.


16:10, Krujë

Arrestohet një shtetas në Krujë i cili pasi ka marrë me vete dy fletët e votimit, të veten dhe të nënës, ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.

16:07 

Vëzhgues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit kanë venë re në dy qendra votimi pranë kopshtit Soros në bashkinë Elbasan vëzhgues të partisë socialiste që identifikojnë votuesit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se ka njoftuar KQZ-në në mënyrë që të merren masat e duhura.


16:01 Xarrë, Sarandë

Policia e Sarandës njoftoi arrestimin e një 37-vjeçari, ndërsa u procedua në gjendje të lië bashkëshortja e tij, pasi fotografuan fletët e votimit.

“Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit”-thuhet në njoftimi ne policisë.


15:40

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 15:00 sipas KQZ ka qenë 29.51% në rang vendi. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja është më e ulët deri në orën 15:00.Në zgjedhjet e përgjithshme të 2021, pjesëmarrja ishte 31.52%.

15:37, Vlorë

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka ndjekur nga afër procesin e votiomit në një qendër votimi në qytetin e Vlorës. Në një deklaratë për mediat ambasadorja theksoi se askush nuk duhet të shesë apo blejë votën.

“Jam një nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë. Deri më tani nduket mirë. Duhet të dërgojmë raportimet nga raporti i ODHIR. Kam qenë në Nivicë, Selenicë dhe do të vizitojmë vende të tjera. Nuk duhet të ushtrohet presion. Është më rendësi që çdo votues të ushtrojë të drejtën e votës. Asnjë nuk duhet të shesë votën dhe ta blejë. Është përgjegjësi e autoriteteve që t’i zbatojë ligjet në mënyrë të barabartë.”, tha Yuri Kim.

15:02

Aktivisti i Qëndresës Qytetare Gevio Tabaku po ashtu pjesë e ekipit monitues të procesit zgjedhor të Qendresës, ka vëzhguar 10 qendra votimit, dhe shprehet se ka konstatuar disa shkelje.

Ai shprehet se ka konstatuar mungesë të materialeve informuese të KQZ-së si dhe sjellje jo korrekte nga vëzhguesit dhe prani të personave të paautorizuar.

14:59

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me hyrjen e personave të paautorizar në disa qendra votimi. 

KSHH shprehet se vëzhguesit e tyre kanë raportuar për prani të personave të paautorizuar, që vëzhgojnë procesin ose qëndrojnë në ambientet e brendshme e të jashtme të KQV-së.

14:52

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka sqaruar se ka kërkuar paraqitjen e kandidates së PD-së, shtetasen L.A dhe deputetin E.S në komisariatin e policisë, referuar dy rasteve të bëra mediatike që lidhen me intimid votuesish nga administrata publike në lagjen nr.17 në Korçë dhe konfrontimit fizik me një shtetas në fshatin Zvezdë, Maliq.  

Në lidhje me pretendimet e tyre, në të dy rastet u është marrë deklarim nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, ku në bashkëpunim me KZAZ Korçë dhe Maliq, po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme”, – shkruhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

14:44

Të dhënat e përditësuara nga KQZ tregojnë se deri në orën 14:00 kanë votuar 26.64% e qytetarëve, në 2,630 QV nga 5,213 në total. Deri në këtë orë, kanë votuar 503,783 qytetarë, nga 1,890,788 zgjedhës në listat e votimit.

12:22

36.4% e votuesve Romë dhe Egjiptianë janë shoqëruar nga persona të tjerë për në qendrën e votimit, 36.4% janë futur në qendra votimi në grup dhe 27.3% janë ndihmuar për të votuar nga të tjerët për shkak se shumë prej romëvë nuk dijnë të votojnë dhe të lexojnë.

Foto: Community Reporters

14:16,Tiranë

Ilirian Celibashi, Komisioneri Shteteror i Zgjedhjeve pohoi se 502 qendra votimi vijojnë të mos kenë në funksion pajisjen e identifikimit elektronik të votuesve. Ai listoi dhe një serë problemesh të tjera të denoncuara nga KQZ si fletë e votimit me shenjë, problem aksesimi nga personat me aftësi të kufizuar në QV, votim familjar në Velipojë, mungesa fletash votimi në Elbasan dhe probleme me fshirjen e bojës matrikuluese.

14:02

Ilirian Celibashi nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kërkoi nga Policia e Shtetit largimin e personave të pautorizuar të cilët janë të pranishëm jashtë Qendrave të Votimit.

Prania e personave të paautorizuar është intimidim dhe presion ndaj votuesve. Policia e Shtetit të adresojë këtë shqetësim dhe të marrë masat që të boshatisë qendrat, të largojë personat që nuk kanë arsye të qëndrojnë“, – u shpreh Celibashi, i cili shtoi më tej se kanë ardhur denoncime mbi këtë problematikë nga shtatë qendra votimi në Tiranë e Durrës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Sa i përket votimit familjar, Celibashi shtoi se është detyrë e anëtarëve të komisionit mos ta lejojnë këtë të fundit.

13:47

Të dhënat e përditësuara nga KQZ tregojnë se deri në orën 13:00 kanë votuar 23.2% e qytetarëve, në 2,439 QV nga 5,213 në total. Deri në këtë orë, kanë votuar 440,370 qytetarë, nga 1,898,349 zgjedhës në listat e votimit.

13:20

Vëzhgimi i kryer nga organizata Qëndresa Qytetare në 14 bashki ka nxjerrë në pah parregullsi të shumta gjatë procesit të votimit. Ata kanë konstatuar praninë e njerëzve të pautorizuar në KQZ. Gjithashtu, sipas vëzhgimit të Qëndresës Qytetare, rezulton se persona të administrates publike po përdorin postin e tyre për të ndikuar te procesi i votimit.

  • Pezullimi i procesit në 532 qendrat e votimit, ku pajisjet e identifikimti elektronik nuk punuan.
  • Presion dhe intimidim nga drejtues të administratës dhe kandidatë për zgjedhjet lokale ndaj qytetarëve në bashkitë Elbasan, Tiranë, Kukës dhe Durrës, brenda dhe në oborret e qendrave të votimit.
  • Janë evidentuar raste të votimit familjar në bashkitë Shkodër dhe në Bashkinë Tiranë.
  • Vëzhguesit e Partive Socialiste shënojnë ID-të e votuesve, pas përsëritjes me zë të lartë të kodit të votimit nga e komisioneri pas verifikimit në pajisjen PEI, duke intimiduar zgjedhësit.
  • Në Bashkinë Kukës, Drejtori i Burgut të Kuksit ka shoqëruar në qendrën e votimit të burgosurit duke qëndruar pranë tyre gjatë procesit të votimit.
  • Vihet re prezenca e numrit të lartë të personave të paautorizuar ose me bage, jo nga KQZ të cilët shoqërojnë, orientojnë dhe komunikojnë me votues. Ky fenomen është evidentuar në Elbasan, shkolla “Edith Durham”, shkolla “Dëshmorët e Prishtinës”.
  • Janë evidentuar raste të përdorimit të aparateve celularë brenda qendrave të votimit dhe tentativave për të fotografuar votën në Lezhë.
  • Në zonën e Yzberishit në Tiranë janë penguar vëzhguesit dhe përfaqësuesit e medias për të vezhguar procesin e votimit me jusitfikimin e hapesirave të ngushta.

13:04, Konispol

Shoqërohen në komisariat një çift të rinjsh që u kapën duke fotografuar fletën e votimit. Sipas dëshmisë së dhënë, ata pohojnë se u janë premtuar para në këmbim të votës.

12:50, Korçë

Një punonjës policie në Korçë është ndaluar pasi ka pasur me vete një karikator pistolete të mbushur, gati për t’u futur në ambientet e brendshme të burgut.

12:46

Sipas të dhënave të transmetuara nga KQZ, deri në orën 12:00, 18.94% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar në Shqipëri në zgjedhjet lokale. Këto të dhëna vijnë nga 2678 QV, nga 5213 QV në total.

12:33, Elbasan

Reporterë të BIRN kanë konstatuar raste të votimit familjar në qendrën e votimit “Mahir Domi” në Elbasan.

12:22, Tiranë

Forca policore janë paraqitur sot të qendra sociale “Logu i Shkëndijes”, që përdoret nga subjekti zgjedhor “Lëvizja Bashkë”. KQZ ka kërkuar të mbyllet me arsyetimin se ndodhet shumë afër QV. Ky vendim është ankimuar në KAS nga “Lëvizja Bashkë” dhe KAS ka rrëzuar vendimin për mbylljen e qendrës sociale. Forcat policore nuk ishin në dijeni të vendimit dhe janë larguar.

12:06, Maliq

Në Maliq ka ndodhur një incident gjatë procesit të votimit. Në një video të publikuar nga kryetari aktual i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topciu, shihen pamje teksa tërhiqet me forcë votuesi nga deputeti i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Edmond Spaho në fshatin Zvezde. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për orientim votash.

12:00

Pjesëmarrja në orën 11:00 në rang vendi është 13.59%, raportuar nga 2691 QV nga 5213 QV në total. Pjesëmarrja deri në orën 11:00 është më e ulët se në zgjedhjet parlamentare të 2021 në po të njejtin orar.

11:57

Komiteti Shqiptar i Helsnikit ka publikuar Raportin e Ndërmjetëm mbi Monitorimin e Procesit Parazgjedhor për Zgjedhjet Lokale 14 maj 2023.

KSHH ka vërejtur se në disa KZAZ lista e zgjedhësve është publikuar përtej afatit ligjor që parashikohet pse në raste të tjera zgjedhësit kanë pasur pengesa në aksesin e tyre për t’u njohur me përmbajtjen e listave. KSHH vëren në raport se fushata zgjedhore ka filluar para afatit ligjor.

11:44, Durrës

Gazetarja e Euronews Albania është ndaluar të filmojë dhe raportojë në qendrën e votimit 1429/2 në Durrës. Ajo raportoi se sekretari i QV-së i ka kërkuar të dalë jashtë duke u shprehur se nuk lejohet të filmojë brenda QV-së, edhe pse gazetarja ishte e akredituar nga KQZ.

11:39

Në vitin 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhi një marrëveshje me kompaninë “Smartmatic International Holding B.V”, e vetmja ofertuese në prokurimin për sistemin e identifikimin elektronik. Kontrata i kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 19 milionë dollarë. Me nisjen e procesit të votimit, identifikimi elektronik dështoi në rreth 10% të qendrave të votimit. Në një vendim të minutës së fundit, KQZ urdhëroi që në këto qendra të rikthehet identifikimi manual.

11:35, Gjirokastër

4452 qyetarë kanë ardhur në Kakavijë nga Greqia dhe 1400 qytetarë kanë dalë në 24 orët e fundit, sipas policisë kufitare të Gjirokastrës. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i qytetarëvë të ardhur nga Greqia për të votuar duket më i ulët.

11:29 Tiranë, Yzberisht

Gazetarja e Euronews është ndaluar të filmojë dhe raportojë në një qendër votimi në Yzberisht, një kapanon që është përshtatur si QV. Gazetarja Raziela Myslimaj është nxjerrë jashtë qendrës së votimit nga kryetari i KZAZ-së 1537/01. Gazetarja u shpreh se në të gjitha QV-të është lejuar të filmojë pasi është e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

11:22, Baldushk

Në qendrën e votimit “Shkolla 9-vjeçare Kocaj” në Baldushk raportohet se vëzhguesit e Partisë Socialiste kanë lista të votuesve dhe në hyrje të QV-së bëjnë monitorime individuale të pjesmarrjes së qytetarëve në votim. 

QV “Shkolla 9 vjecare Kocaj” në Baldushk

Problematikë tjetër e shfaqur në këtë QV është mosidentifikimi i shenjave të gishtave në pajisjen elektronike, për shkak se një pjesë e banorëve, kryesisht gra për shkak të punimit të tokës, i kanë gishtat e dëmtuar. Si pasojë, ato janë identifikuar dhe kanë firmosur në mënyrë fizike.

11:13, Prrenjas

Në Bashkinë e Prrenjasit votimi ka nisur dy orë me vonesë, në orën 9:00 për shkak të problemeve me pajisjen elektronike. Në dy qendra votimi të Skroskës dhe Fanjës votimi po kryhet manualisht.

11:08, Gjirokastër

Probleme me pajisjen e identifikimit janë raportuar edhe në Gjirokastër në rreth 25 qendra votimi. Në 5 qendra në Libohovë ka pasur probleme, në 4 në Tepelenë, në 4 qendra në Memaliaj dhe në 12 qendra në Dropull. Pas probleme votimi ka vijuar në mënyrë manuale.

10:52

Aktivisti Gentian Serjani ka reaguar duke thënë se asistimi i votuesve të moshuar në pajisjen e votimit elektronik është shkelje e Kodit Zgjedhor.

10:47, Këlcyrë

Shoqërohen në polici dy shtetas D.A dhe R.F pas kallëzimit se kanë ofruar vende pune në këmbim të votës.

10:44, Shkodër

Raportohet për probleme me pajisjen PAY në qarkun e Shkodrës. Komisionerët nuk janë trajnuar në disa qendra dhe kjo ka shkaktuar probleme dhe vonesa, teksa në qendra të tjera nuk ka punuar pajisja elektronike.

10:29

Probleme me votimin elektronik, procesi vijon manualisht. Votimi elektronik ka hasur probleme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të votohet manualisht në ato qendra ku ka pasur probleme.

Pajisja e identifikimit elektronik ka bllokuar procesin e për këtë arsye është kërkuar që të vijohet manualisht. Pajisja e votimit elektonik ka bërë që mos të nis votimi në disa qendra votimi, si gjimnazi “Dhaskal Todri” në Elbasan.

“5200 njerëz, që nuk e dinë se ça backgraundi kanë. Kemi harxhuar para për këtë sistem, por duhet parë se çfarë ka çaluar. Problematike situata është në Tiranë, Durrës, Shkodër, ka Tropojë, Elbasan, Pogradec”, u shpreh kreu i Komisionit Qendror te Zgjedheve Ilirjan Celibashi.

Dy bashkitë e tjera ku po testohet votimi elektronik janë Kamza dhe Vora.Deri në orën 09:00 pjesëmarrja sipas KQZ-së ishte 3.75% në rang vendi.

Pjesëmarrja në orën 9:00 është 3.75% e qytetarëve me të drejtë vote. Deri në këtë orë kanë raportuar 2753 nga 5213 Qendra Votimi në total.

Ora 9:45
Kreu i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve urdhëroi që në qendrat e votimit ku nuk funksionon identifikimi elektronik, procesi të vijojë manualisht.

Ora 9:35

Vëzhgimet paraprake të monitoruesve nga Qëndresa Qytetare në 14 Bashki konstatojnë persona të pa autorizuar në qendrat e votimit, që orientojnë dhe shoqërojnë qytetarët.

Ora 9:28

3,650,550 qytetarë me të drejtë vote (rreth 500 mijë më shumë se popullsia aktuale) kanë të drejtë të vendosin sot për administrimin e 61 bashkive të vendit.

Sipas KQZ, deri në orën 8:00 kanë votuar 1.29% e qytetarëve, ndërsa kanë raportuar vetëm gjysma e qendrave të votimit. Janë evidentuar probleme me votimin elektronik. Në Elbasan nuk ka votime në dy nga tre qendra votimi.

5,213 qendra votimi u hapën në orën 7:00 të mëngjesit në të gjithë Shqipërinë, për procesin që do të vijojë deri në orën 19:00, sipas pikës së parë të nenit 11 të Kodit Zgjedhor. Pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, askush nuk mund të votojë, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes.

Votat e qytetarëve që do të votojnë në këto zgjedhje vendore do të numërohen në tavolinat e numërimit në 92 KZAZ.

Në këto zgjedhje vendore marrin pjesë në garë 145 kandidatë për kryetarë bashkie dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë, nga të cilët do të përzgjidhen 61 kryetarë bashkie dhe 3,222 anëtarë të këshillave bashkiakë.  Plot 40 parti politike marrin pjesë në garën e zgjedhjeve vendore.

Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve është votimi elektronik në 401 qendrat e votimit në tre bashki, atë të Elbasanit, Kamzës dhe Vorës. Rezultati i zgjedhjeve në këto bashki do të mësohet vetëm 30 minuta pas mbylljes së procesit të votimit.

Votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit janë të nëntat që zhvillohen në Shqipëri, pas rënies së diktaturës. Ndërsa janë të angazhuar në vëzhgim të procesit zgjedhor rreth 7 mijë punonjës të trajnuar nga KQZ dhe OSBE.

122,545 zgjedhës kanë të drejtë të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Qytetarët lejohen të votojnë edhe nëse mjeti i tyre i identifikimit ka skaduar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *