Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pastori Akil Pano nuk fitoi ndaj çështjes “Prindi 1 dhe 2”, por u rrëzua masa e vendosur për diskriminim

“Kemi një lajm jashtëzakonisht shumë të mirë. Sot ka qenë seanca e fundit gjyqësore. Një gjyq që zgjati rreth dy vite, në mbrojtje të babait dhe mamasë përkundrejt prindit 1 dhe prindit 2”. Ky ishte komunikimi i pastorit Akil Pano, i cili përmes një videoje të postuar në rrjetin social Facebook bën të ditur fitimin e një gjyqi në Gjykatën Administrative.

Çështja është ndjekur nga avokati Altin Goxhaj, i cili shprehet se kjo është një fitore për kushtetutën.

“Ata donin që të shkonin drejt kushtetutës për të hequr babën dhe nënën nga kushtetuta, për të hequr familjen nga kushtetuta. Kjo është një fitore për kushtetutën, është një fitore për ligjin. Është një fitore për lirinë e fjalës, lirinë e besimit, por për të gjithë babat dhe nënat e Shqipërisë dhe të gjithë fëmijëve të tyre”.

Gjyqi nuk ishte për zëvendësimin e emrave “nëna” dhe ‘babai”

Gjyqi në fakt nuk është për zëvendësimin e nënës dhe babait me termat “prindi 1 dhe prindi 2”, por është një ankimim ndaj vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të datës 15 nëntor 2021.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminim në formën e “gjuhës së urrejtjes” nga pastori Akil Pano kundrejt personave të komunitetit LGBTI+ për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe karakteristikave të seksit. Shkak për këtë ishte gjuha e përdorur nga pastori Akil Pano në emisionin “Zonë e Lirë” të datës 18 qershor 2021 dhe në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, të transmetuar më 22 qershor 2021.

Në vendimin e tij, Komisioneri thekson se nga gjuha dhe fjalët e përdorura nga Pastori Akil Pano, rezulton se personat LGBTI portretizohen si persona të cilët janë një kërcënim për traditën apo vlerat shoqërisë. 

“Ai përdor fjalën “devijancë” për faktin e të qenit gej apo fjalët se “”Nuk ka akt më të shëmtuar dhe nuk ka akt më skandaloz” apo “Nuk ka çnderim më të madh se sa të heqësh nocionin nenë dhe t’i vendosësh një numër” dhe “dekonstruksion të nocioneve dhe vlerave” duke ju referuar propozimit lidhur me opsionin e regjistrimit të fëmijëve nga çiftet e këtij komuniteti. Deklarata e Pastorit Akil Pano se ai është kundër gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, nuk gjejnë asnjë mbështetje në gjuhën e përdorur gjatë diskutimeve të tij në këto emisione”. 

Për këtë arsye, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkoi nga Akil Pano të bënte një deklaratë publike qoftë ajo verbale apo e shkruar, përmes së cilës të distancohej nga gjuha e urrejtjes kundër personave LGBTI+ dhe ta evitojë këtë gjuhë urrejtjeje edhe në të ardhmen.

Vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

“Debati dhe diskutimi për çështje të ndryshme është i nevojshëm veçanërisht për tema apo çështje sensitive, që janë në interes të opinionit të gjerë. Diskutime mbi informacione jo të bazuara shpesh çojnë në krijimin e paragjykimeve dhe stigmatizimin e personave për shkak të orientimit seksual identitetit gjinor apo karakteristikave të seksit. Ligjërime apo fjalime të tilla, të cilat i portretizojnë personat LGBT si kërcënim për shoqërinë apo duke i cilësuar si akte kriminale kërkesat e tyre, stimulojnë frikën, nxisin qëndrime negative, nxisin diskriminimin dhe për këtë arsye ato janë në kundërshtim me ligjin. Gjuha e përdorur nga A.P stigmatizon personat e komunitetit LGBTI duke i etiketuar ata në një mënyrë negative dhe me atribute të pavërteta”,-thuhet në vendimin e Komisionerit.

Në asnjë pjesë të vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk është përdorur termi “prindi 1” dhe “prindi 2”. Po ashtu, nuk ka një legjislacion dhe nuk ka një emërtim në asnjë formë zyrtare për këto dy konotacione.

Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBTI+ shpehet për Citizens Channel se nuk ka ekzistuar asnjë proces për çështjen e “prindit 1 dhe prindit 2”.

Foto: Civil Right Defender

“Akil Pano është raportuar pranë Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga organizatat LGBT si rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes së përdorur prej tij sistematikisht në disa emisione televizive. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë asnjë proces për çështjen e “prindit 1 dhe prindit 2” pasi një kërkesë e tillë nuk është prezantuar në asnjë moment nga organizatat LGBTI në asnjë institucion shtetëror dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”,-shprehet Xheni Karaj.

Sipas saj, “prindi 1 dhe prindi 2” është një fushatë dezinformuese, prej së cilës po tentojnë të glorifikojnë figurën e tyre pastori Pano dhe avokati Goxhaj.

“Fushata dizinformuese për “prindi 1 dhe prindi 2” ka nisur nga disa media dhe u instrumentalizua nga Akil Pano në vitin 2020 kur unë u ftova në një emision televiziv për të diskutuar rreth nismave ligjore të ndërmarra në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë emisionit u vendosën titra dizinformuese që thonin se “komuniteti LGBTI kërkon heqjen e termit nënë dhe baba” të cilat u përcollën në media të ndryshme online duke nisur një fortunë në gotë. Akil Pano dhe Altin Goxhaj po e ndërtojnë këtë narrativë për populizëm, për të glorifikuar figurën e tyre në kurriz të një komuniteti që nuk kërkon asgjë tjetër përpos barazisë para ligjit”,-përfundon Xheni Karaj.

Si nisi debati për “prindin 1” dhe “prindin 2” 

Termat “prindi 1” dhe “prindi 2” u sollën fillimisht në diskursin publik nga dy prindër në Britaninë e Madhe, të cilët nuk donin të quheshin nëna dhe babai, por në vend të tyre, “prindi 1 dhe prindi 2”.

Pas kësaj, shumë organizata kërkuan që në dokumente punësimi apo pasaporta, etiketimi të ndryshohet në prindi 1 dhe prindi 2, pasiqë kështu nuk ka pabarazi gjinore, por ndihmon edhe për regjistrimin ligjor të fëmijëve, të cilët kanë dy nëna apo dy baballarë (për komunitetin LGBTI+).

Ky debat u përhap në shumë vende, mes tyre edhe në Shqipëri. Në një emision televiziv, Xheni Karaj, një prej anëtareve të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri i solli këto terma në diskutim publik, si një mënyrë apo zgjidhje për familjet LBGTI+ në Shqipëri, të cilat kanë fëmijë apo duan të kenë fëmijë në të ardhmen dhe duan ti regjistrojnë ata ligjërisht.

Ky diskutim mori përmasa të mëdha në Shqipëri, ku u përfshinë shumë figura publike, njerëz të ekranit apo përfaqësues fetarë. Si pasojë e këtij debati, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se “nga aktivistë të komunitetit LGBTI janë raportuar kërcënime të shumta në rrjetet sociale dhe se një anëtar i këtij komuniteti është dhunuar fizikisht”.

Në Shqipëri, familjet LGBTI+ tanimë janë realitet, ndërsa vuajnë për regjistrimin e fëmijëve të tyre. I tillë është rasti i Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, të cilat kanë dy vajza, por nuk janë ende të regjistruara, pasi nuk ekziston një ligj që mund të regjistrojë në certifikatë dy nëna apo dy baballarë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *